LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Elisa e inceneratorëve!

20 Korrik 2023, 14:08, Editorial CNA
Elisa e inceneratorëve!
Foto ilustruese

Famozja Elisa Spiropali tashmë mund të quhet Elisa e inceneratorëve. Fakte dhe prova të reja kanë dalë, lidhjet e Klodian Zotos me bashkëshortin e saj, matësit e famshëm të ujit, një histori që fillon me korrupsionin e matësve sa në Korçë, në Berat, në Lushnjë, në Fier, e kështu me radhë.

Matës inteligjentë që faturoheshin për 100 apo 120 euro, ndërkohë që në Kinë vlejnë jo më shumë se 20 dollarë.

Elisa Spiropali ka folur sot në parlament dhe ka shkëlqyer. Mamica e Skënderbeut quhej dikur, tani duhet të quhet Elisa e inceneratorëve. Ajo tha se nuk kishte frikë kryeministri ynë të përballej në parlament me çështjen e inceneratorëve, ai e kishte bërë të qartë në komisionin hetimor kur ka qenë përballë Joridës.

Por Elisa harron të thotë se Jorida ishte një instrument i Lali Erit, Erion Veliajt të Mjaftit, ku ka qenë edhe Elisa dhe kanë luftuar për të rrëzuar Partinë Socialiste dhe Fatos Nanon në 2005 nga pushteti, për interesa të Sali Berishës, kuptohet, atëherë.

Elisa e inceneratorëve!

Më pas shkatërruan socialistët që të merrnin karriget e tyre. Elisa e inceneratorëve harron të na thotë se Arben Ahmetaj ka qenë zëvendëskryeministër i Ramës. Elisa harron të na thotë se qeveria e ka mbrojtur me pathos inceneratorin e Elbasanit që sot nuk po funksionon dhe mali me plehra është aty e i duhen 2 milionë euro në vit që të punojë dhe bashkitë janë të varfra, nuk kanë mundësi që ta mbajnë.

Elisa harron të na thotë që inceneratori i Fierit është jashtë funksionit dhe do rreth 3 milionë euro të tjera, megjithëse kompania që e ndërtoi i ka bërë një letër që para dy vjetësh shtetit shqiptar, hajde dhe merre në dorëzim. Por ka dhe një detaj tjetër që duhet ta mësojë Elisa e inceneratorëve.

Në Tiranë paguhet për landfillim 29 euro/ton ndërkohë në Fier, sipas letrës së vetë zyrtarit që e administron, është 12 euro/ton. Janë 17 euro/ton në 6 vjet të paguara kot dhe mbetjet janë aty, është bërë kapsulim dhe po bëhen malet me plehra.

Pse duhet të paguajnë moj Elisa e inceneratorëve për një incenerator që nuk ekziston. Pse duhet të paguhen 29 euro/ton kur atje nuk ka incenerator.

Ato mund të mblidheshin, kur të ndërtohej inceneratori mund të paguheshin 29 euro/ton, pasi dhe do të digjeshin. Ndërkohë që nuk ka incenerator, pse duhet të paguhen?

Sepse procesi i plotë nuk kryhet dhe 29 eurot në kontratë janë për procesin e plotë të landfillimit të incenerimit e të tjerë, ndërsa sot nuk ka incenerator.

Elisa e inceneratorëve!

Dhe meqenëse Elisa e ka merak dhe mendon se mund të ketë inceneratorin para zgjedhjeve të 2025, pikëpyetjet janë të mëdha. Nuk mundet të ndërtohet një incenerator si ai që është projektuar në Tiranë në një vit apo 18 muaj, është e pamundur.

Nga ana tjetër rezulton se kompania nuk ka financat e duhura, pra nuk i ka ato 128 milionë euro për t’i investuar. Elisa e inceneratorëve duhet ta dijë mirë se kryeministri nuk mund të shkojë dot në parlament sepse ka para syve një tabelë.

Në të paktën 4 vite do të duhet të ishin investuar 110 milionë euro. E në rast se konsiderohen 6, pra që nga data e firmosje së kontratës duhet të ishte përfunduar investimi. Janë bërë disa gardhe me tela, janë bërë disa kapsulime, janë ndërtuar nja dy kapanone, por nuk ka incenerator.

Aksioneri Giuseppe Ciafaglione ka marrë malet. Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto i kanë shitur aksionet te të tjerë, shitje me kusht, pra kontratën e inceneratorit të Tiranës, të landfillimit, e kanë marrë dhe e kanë bërë mall pazari në tregun evropian për të gjetur aksionerë dhe për ta ndërtuar, pasi nuk kishin para. Këtë mund ta kishte bërë shteti shqiptar.

Mund të kishte bërë një tender të hapur ndërkombëtar dhe të vinin investitorët e duhur jo të fshihej Klodian Zoto duke përdorur Polwurth apo kompaninë Energy Recuperator për 6 muaj dhe për t’ia shitur italianit Ciafaglione, i cili ka marrë malet dhe është në kërkim ndërkombëtar.

Një kompani që fiton rreth 25 milionë euro në 6 vite u shitet aksionerëve të tjerë nga 400 apo 300 mijë euro, me lekë me të pritur dhe me para që merren si paga. Elisa e inceneratorëve duhet ta kuptojë se puseta e tyre do të fusë brenda qeverinë.

Nuk e mund dot Edi Ramën, as Lulzim Basha, as Ilir Meta, as Sali Berisha, nuk kanë për ta mundur dot kurrë në zgjedhje. Ajo opozitë e copëtuar, e ndarë në thelb, në bindje, në mënyrën se si duhet të veprojë, nuk e mund dot Edi Ramën. Por që shumicën e qeverisë së tij, sekretarin e tij të Përgjithshëm e shumë zyrtarë do t’i fusë brenda, kjo nuk ka diskutim.

Që incenerarori i Tiranës është skandali më i madh në 30 vite, skandali korruptiv më i pandalshmi në të gjithë historinë e demokracisë shqiptare, ky është një fakt. E në rast se piramidat e dikurshme që dogjën Shqipërinë vlenin vetëm 70-90 milionë euro, inceneratori vlen 10-fishin e tyre.

Dhe këto para të cilat pretendohet se nuk i paguan qeveria, por qeveria paguan pak, i japin qytetarët shqiptarë nga xhepat e tyre, nga taksat që i japin Bashkisë së Tiranës. Nga taksat që i japin qeverisë shqiptare. Taksat i paguajnë qytetarët e Tiranës, qytetarët e Shqipërisë nga shuma më e rritur e apartamenteve, dyqaneve që ata blejnë apo të pronës që ata e blenë.

Elisa e inceneratorëve këtë gjë e di shumë mirë. E di se qeveria shqiptare nga transferta e pakushtëzuar i ka dhënë rreth 60 milionë dollarë inceneratorit që mungon në Tiranë.

I ka dhënë private rreth 50 të tjera dhe këto sipas bilancit të deklaruar të kompanisë jo sipas shifrave të shpikura nga gazetarët.

Prandaj Elisa e inceneratorëve duhet të mësojë njëherë e mirë se ato do ta thithin brenda edhe atë vetë, pushtetin e saj të korruptuar dhe të gjithkujt që është përfshirë me inceneratorët qoftë në matës uji gjoja inteligjentë shumica e të cilëve në Berat e të tjerë nuk funksionojnë, janë hedhur në kosh të plehrave qindra mijëra euro apo miliona të marra nga taksat e qytetarëve të varfër.

Ata inceneratorë do të djegin çdo Elisë dhe çdo skandaloz tjetër politik që vjen vërdallë në mejhanen e parlamentit duke na treguar se nuk kemi korrupsion kemi një qeveri të mirë dhe se inceneratorët janë suksesi më i madh i Rilindjes. Në fakt inceneratorët janë ata që do të djegin Rilindjen./ CNA

 

KUJDES! Shkrimi është ekskluziv i CNA.al dhe gëzon të drejtën e autorësisë, sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Ai mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “CNA.al” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

 

17:15 Editorial Ardi Stefa

Urat...

Kur pret ura pa ndonjë arsye të veçantë, ndonjëherë bie në...

Lajmet e fundit nga