LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Rektori qesharak që nuk i duhet një universiteti

26 Qershor 2023, 19:43, Editorial CNA

Rektori qesharak që nuk i duhet një universiteti

Ndodh që të dëgjojmë fatkeqësisht në vitin 2023 që mund të gjesh edhe rektorë qesharakë. Janë raste që të çojnë deri në neveri përtej qeshjes me aktet që bëjnë çdo ditë.

Një rast i tillë është Dhimitër Bello, rektor i Universitetit të Korçës, që për arsye që shpesh nuk i gjejnë, por që faktikisht lidhen me karrierën e tij, me të ardhmen e tij, me mënyrën se si do ta menaxhojë universitetin, me uzurpimin duke u sjellë si një sulltan, me një çekiç në dorë dhe në një vend të një rektori dhe administratori akademik është kthyer në një inatçi që kërkon të shkatërrojë universitetin e Korçës.

Në të drejtën e tij ose jo, në një mbledhje të senatit të Universitetit të Korçës tri ditë më parë, ai ka kërkuar shkrirjen e universitetit të këtij qyteti dhe kthimin e tij në një filial të Universitetit të Tiranës.

Argumenti është mungesa e studentëve në disa degë.

Në fakt, Universiteti i Korçës duhet të shtojë degët, të korrigjojë ato, të ndryshojë kurrikulat, të gjejë simotrat në Europë për të bërë diploma të njohshme ndërkombëtarisht e të tjera si këto dhe jo të mbyllet e të dorëzohet sepse një person që është rektor kërkon që të vazhdojë karrierën e tij duke e quajtur Universitetin e Korçës një filial.

Korça ka pasur një institut të rëndësishëm bujqësor shumë dekada më parë, që sot është një fakultet agronomie, e më pas fakultetin e Mësuesisë, Ekonomisë e të tjera si këto.

Por zoti Bello, i cili është rektor kërkon ta shkrijë me teknikat apo taktikat e tij politike. I çuar në Korçë nga Rilindja si një shpresë që do të sillte zhvillimin e universitetit, për shkak se kërkon të ketë kamzhikun mbi institucion dhe duke qenë në konflikt të hapur me senatin e universitetit, zoti Bello, 3 ditë më parë ka bërë hilenë e tij.

Hileja e zotit Bello ka qenë se kur ka dërguar në mbledhje rendin e ditës, në fund ka vënë një pikë te të tjera dhe në pikën të tjera ka kërkuar shkrirjen e universitetit të Korçës dhe kalimin e tij në një filial të Universitetit të Tiranës.

Pra, pikën më të rëndësishme, problematikën më të rëndësishme, atë që duhet të ishte e para, thelbësorja, e kalon në fund. Megjithëse duhet të ketë disa hapa për të shkuar deri te senati dhe vendimi që është marrë 3 ditë më parë nuk ka më asnjë vlerë, pasi duhet të ketë konsultime, diskutime të tjetër niveli deri në vendimin për ta çuar universitetin në mbyllje apo kalimin e tij në filial. Nuk mund të jetë një rektor, i cili bën një propozim në pikën të tjera dhe disa persona e ndjekin nga pas.

Një tjetër mbledhje është zhvilluar sot, ku rektori Dhimitër Bello është vënë me “shpatulla pas muri” dhe i gjithë senati ka qenë kundër propozimit që ai ka bërë 3 ditë më parë, duke e quajtur të pavlefshëm, të gabuar dhe më shumë sesa kalimin në një filial, të gjithë njëzëri kërkojnë që universiteti të ketë një reformim, të ketë një qasje tjetër, të gjenden rrugët e daljes nga një “krizë” apo zgjidhja e një problematike.

Dhe në fund të mbledhjes, zoti Bello, kur ka dalë jashtë, ka thënë se ka dhënë dorëheqjen nga dorëheqja.

Kjo është qesharake, por e pabesueshme ta bëjë një akademik.

Gjatë zhvillimit të mbledhjes, zoti Dhimitër Bello ka thënë se u lodha dhe është deklaruar se është dorëhequr si rektor i universitetit, mjaft më, pasi gjithë senati ka qenë kundër tij. Ndërsa kur ka dalë jashtë, mesa duket ka ndryshuar mendim dhe u ka deklaruar gazetarëve se ishte një dorëheqje në moment nxehtësie dhe nuk mund të ishte e vërtetë.

Pra, Zoti Bello sot dha dorëheqjen nga dorëheqja dhe na tregoi se si një rektor mund të kthehet në një shkatërrues të një universiteti dhe në një person qesharak deri në neveri, por që sjell pasoja jo thjeshtë dhe vetëm mbi një universitet, por mbi një qytet të tërë, mbi të rinjtë e atij qyteti apo zonave të tjera që studiojnë dhe mbi historinë e Universitetit të Korçës që vlen shumë më tepër dhe ka më shumë peshë se sa emri i një individi që për inatet e tij apo të vjehrrës shkon te mullixhiu, apo më keq akoma, për pleshtin në jorgan i vë zjarrin shtëpisë./ CNA.al

Lajmet e fundit nga