web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Tatimet: 20 mijë subjekte përfituan nga falja me kusht 60 milionë euro detyrime të papaguara

13 Korrik 2026, 14:28, Ekonomi CNA

Tatimet: 20 mijë subjekte përfituan nga falja me kusht 60 milionë

Administrata tatimore ka njoftuar përfundimin e fazës së parë të zbatimit të ligjit të faljes me kusht të detyrimeve tatimore të papaguara.

Administrata tatimore ka njoftuar se mbi 22 mijë tatimpagues të tjerë kanë përfituar nga procesi, me 60 mln euro detyrime të fshira/shuara.

Ndërkohë, procesi i fshirjes automatike vijon në fazën e dytë për tatimpaguesit që do të përfitojnë falje deri në 25% të detyrimeve për periudhën 2015-2019 për pagesat e kryera brenda muajit dhjetor 2026.

Në vijim të udhëzimit nr. 11, datë 14.05.2026 “Për zbatimin e ligjit nr. 86/2025 “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë”, Administrata Tatimore njofton të gjithë tatimpaguesit se, brenda 20 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi, do të hartohet lista e plotë e subjekteve që përfitojnë nga fshirja e detyrimeve tatimore, si dhe e atyre që nuk përfitojnë.

Vetëm tatimpaguesit që nuk përfitojnë nga fshirja ose shuarja e detyrimeve tatimore të papaguara do të njoftohen elektronikisht nëpërmjet sistemit “e-Filing”.

Pas përfundimit të procesit të hartimit dhe njoftimit të listave, Administrata Tatimore do të vijojë me kompensimin automatik të tepricës kreditore të TVSH-së ose të tatimeve të tjera me detyrimet tatimore të subjekteve.

Kategoritë e detyrimeve që përfitojnë nga fshirja/shuarja

Detyrimet tatimore deri më 31 dhjetor 2014

Fshihen plotësisht detyrimet tatimore të papaguara që u përkasin periudhave tatimore deri më 31.12.2014, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat. Për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nuk falet detyrimi principal.

Detyrimet tatimore për periudhën 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019

-Shuhet 50% e detyrimit principal, nëse 50% e mbetur paguhet njëherësh nga 10.06.2026 deri më 30.06.2026;

-Shuhet 25% e detyrimit principal, nëse 75% e mbetur paguhet nga 10.06.2026 deri më 31.12.2026.Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht.

Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht.

Detyrimet tatimore për periudhën 1 janar 2020 – 31 dhjetor 2024

Fshihen gjobat dhe kamatëvonesat me kusht që tatimi për periudhën përkatëse të paguhet i plotë (100% e principalit) nga data 10.06.2026 deri më 31.12.2026.

Përfitime të tjera të parashikuara nga ligji

Sipas ligjit nr. 86/2025:

Fshihen detyrimet për subjektet e çregjistruara në QKB ose me vendim gjykate deri më 31.12.2024, përveç kontributeve te sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore;

Fshihen gjobat për mosdeklarim ose deklarim të vonuar të deklaratave që i përkasin periudhave deri në 31.12.2024, me kusht që deklaratat e padorëzuara të dorëzohen deri më 30.06.2026;

Fshihen gjobat për dorëzim të vonuar të pasqyrave financiare dhe vendimit për destinimin e rezultatit, të llogaritura deri më 31.12.2024;

Fshihen gjobat dhe interesat e krijuara nga ndryshimet e listëpagesave si pasojë e akteve ligjore/nënligjore me efekt prapaveprues ose vendimeve gjyqësore të formës së prerë.

Fshihen gjobat administrative për periudhat deri më 31.12.2024.

Subjektet që nuk përfitojnë

Nuk përfitojnë nga fshirja/shuarja e detyrimeve subjektet që:

Janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore dhe/ose doganore;

Janë në proces gjyqësor ose hetimi për vepra penale tatimore dhe/ose doganore gjatë periudhës së zbatimit të ligjit;

Kanë vendim gjyqësor të formës së prerë në favor të Administratës Tatimore apo Doganore për detyrimet objekt përfitimi.

Tatimpaguesit që janë në proces ankimi administrativ ose gjyqësor mund të përfitojnë nga dispozitat e ligjit vetëm nëse heqin dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë, ankimit ose rekursit, sipas përcaktimeve ligjore. Paraqitja e aktit nga ana e subjektit, do të kryhet me kërkesë zyrtare pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, duke filluar nga data 10.06.2026 përpara kryerjes së pagesës së detyrimit principal, por jo më vonë se data 30.11.2026.

Administrata Tatimore fton të gjithë tatimpaguesit të verifikojnë situatën e tyre financiare në sistemin “e-Filing” dhe të kryejnë pagesat sipas afateve të publikuara, me qëllim përfitimin nga lehtësitë e parashikuara në ligj./ Monitor





Lajmet e fundit nga