web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“MIK Festival” mbyll edicionin e 9-të/ Mbrëmje magjike kushtuar serenatave korçare

13 Korrik 2026, 11:26, Kulturë CNA

Edicioni i nëntë i “MIK Festival” uli siparin me një nga netët më të veçanta dhe më emocionuese të këtij edicioni.

Parku “Rinia” në Korçë u shndërrua në një skenë ku tradita, kujtesa dhe muzika qytetare u bashkuan në një koncert kushtuar serenatës korçare, një prej pasurive më të vyera kulturore të qytetit. Artistë të brezave të ndryshëm interpretuan këngët që kanë shoqëruar ndër vite jetën artistike dhe shpirtërore të Korçës, ndërsa publiku i shumtë i priti me duartrokitje dhe emocion.

“MIK Festival” mbyll edicionin e 9-të/ Mbrëmje magjike

Në përmbyllje të një edicioni që solli në Korçë artistë nga vende të ndryshme të botës dhe një program të pasur me koncerte në skena të pazakonta, drejtuesja artistike e "MIK Festival", Inva Mula, e cilësoi këtë rrugëtim si një sfidë të përvitshme për të mos përsëritur asnjëherë të njëjtën formulë. Ajo theksoi se festivali synon të jetë gjithmonë inovativ, duke ndërthurur zhanre të ndryshme muzikore dhe duke i dhënë publikut eksperienca të reja artistike, ndërsa vlerësoi mbylljen e festivalit me serenatat korçare si homazhin më të bukur që mund t’i bëhej identitetit kulturor të qytetit.

“MIK Festival” mbyll edicionin e 9-të/ Mbrëmje magjike

“Po, për mua gjithmonë është emocion i veçantë. Sa herë vij këtu në Korçë, vij me përgjegjësinë më të madhe për të bërë atë që nuk e kam bërë më përpara. Domethënë kjo më shtyn që të gjej edhe ide të reja edhe për repertorin, të kalojmë nga një zhanër në një zhanër tjetër. Prandaj kjo ishte edhe sivjet ajo që arritëm ta imponojmë në publik një ide shumë të bukur, që fillon nga një jazz manouche, vazhdon në një mbrëmje në një sallon kinematografie, vazhdon me një gala të baletit botëror që për mua ishte një ëndërr e vërtetë, që kisha kohë që e bluaja në mendje dhe më në fund e realizuam, me një skenë madhështore të polit të jugut. Sot paradite ishim në një kishë të mrekullueshme me korin bizantin grek, i cili na mahniti me harmoninë, polifoninë dhe zërat e bukur, në një ambient të mbushur me artdashës të 'MIK Festival' dhe banorë të Voskopojës. Për të ardhur më pas në këtë vend kaq të bukur, ku vjen era gjelbërim, për të dëgjuar serenatën korçare. Me një formacion të shkëlqyer dhe muzikantë që e kanë këtë muzikë në ADN, ne i bëjmë homazh këngës së bukur qytetare korçare. Serenata është ADN-ja e Korçës dhe një nga thesaret më të çmuara të këtij qyteti”,-theksoi artistja.

Përveç artistëve që jetojnë dhe krijojnë në Shqipëri, në skenën e “MIK Festival” u rikthyen edhe emra që prej vitesh jetojnë jashtë vendit, por që lidhjen me Korçën dhe muzikën qytetare nuk e kanë shkëputur asnjëherë. Këngëtarja Roberta Panariti rrëfeu emocionet e rikthimit në qytetin ku hodhi hapat e parë në muzikë, ndërsa ndau edhe shqetësimin për ndryshimet që, sipas saj, ka pësuar serenata ndër vite, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së autenticitetit të saj.

“Unë kam mbaruar shkollën e muzikës ‘Tefta Tashko Koço’ për kanto. Nuk kam kënduar për shumë vite sepse ika në Amerikë dhe kur rikthehem në qytetin e Korçës më kujtohen këto këngë që i kemi kënduar kur kemi qenë të reja edhe i këndojmë me shumë kënaqësi. Nuk më vjen mirë që deformohet serenata me kohën, sepse më pëlqen ajo autoktonia që kemi pasur dikur dhe ajo duhet të vazhdojë gjithmonë. E dua serenatën siç ka qenë më përpara. Në disa këngëtarë e ndiej ende atë frymë, ndërsa në disa të tjerë jo. Në Amerikë këndojmë serenata sa herë mblidhemi bashkë. Ajo na bashkon në çdo gëzim familjar dhe e këndojnë jo vetëm korçarët, por edhe shumë të tjerë”,-tha Panariti.

“MIK Festival” mbyll edicionin e 9-të/ Mbrëmje magjike

Një emocion të veçantë përjetoi edhe një prej zërave më të njohur të serenatës korçare, Zhani Suljoti. Rikthimi në skenën e “MIK Festival” ishte për të jo vetëm një vlerësim për kontributin e dhënë ndër vite, por edhe një mundësi për të përcjellë mesazhin se serenata duhet të ruajë frymën dhe interpretimin tradicional që e ka bërë të njohur brez pas brezi. Me nota nostalgjie, ajo foli edhe për mënyrën se si kjo trashëgimi po përcillet sot.

“Në radhë të parë falënderoj të gjithë këta miq e mikesha, dhe Invën, e cila më krijoi mundësinë të jem për herë të dytë pjesë e këtij festivali. Megjithëse nga njerëzit e qytetit të Korçës isha e harruar, sot jam shumë e lumtur që ndodhem këtu. Në Korçë ka pasur serenata shumë të bukura dhe ne i kemi kënduar gjithmonë në familje. Por tani, kur shikoj se si janë bërë disa prej tyre, më vjen për të qarë. Brezi ynë ende mund t’i këndojë siç duhet, por për brezin e ri nuk e di se çfarë do të ndodhë”,-u shpreh Suljoti.

Ndërsa artistët e brezit të vjetër sollën kujtime dhe nostalgji, mbrëmja i dha hapësirë edhe brezit të ri të këngëtarëve, të cilët po marrin përsipër të mbajnë gjallë traditën e serenatës korçare. Një prej tyre ishte Erika Ahmeti, e cila interpretoi për herë të parë në skenën e "MIK Festival". Për këngëtaren e re, pjesëmarrja në këtë festival përbën një moment të rëndësishëm në karrierën e saj artistike dhe një përgjegjësi për të çuar përpara këngën qytetare korçare.

 “Jam shumë e emocionuar sot, sepse jam një nga vajzat më të vogla, brezi më i ri që merr pjesë për herë të parë në 'MIK Festival'. Dua të falënderoj shumë Invën, Aleksin dhe Odetën që më bënë pjesë të këtij festivali. Jam rritur me serenatat korçare në familjen time dhe jam shumë e lumtur që jam pjesë e brezit të ri që do t’i risjellë serenatat e vjetra”,-tha Ahmeti.

“MIK Festival” mbyll edicionin e 9-të/ Mbrëmje magjike

Pas një sërë aktivitetesh që përfshinë muzikën klasike, jazz-in, baletin, koncertet në monumente kulture dhe në natyrë, si edhe performanca me artistë shqiptarë e ndërkombëtarë, “MIK Festival” mbylli me sukses edicionin e nëntë. Mbrëmja finale me serenatat korçare solli një homazh për identitetin muzikor të qytetit, duke dëshmuar edhe një herë se kjo traditë vazhdon të mbetet një urë që lidh brezat dhe një nga simbolet më të dashura të Korçës./CNA





Lajmet e fundit nga