web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Bukuroshja te pallati përballë

12 Korrik 2026, 08:27, Kulturë Agim Xhafka

Bukuroshja te pallati përballë

Kur u bëra 10 vjeç para pallatit tonë në Korçë u ngrit një ndërtesë tjetër. Deri atëhere ishte lëndinë e bukur, me bar të shkurtër dhe verës rrinin plakat e mëhallës me nipërit e mbesat. Një pjesë ishte fusha jonë e futbollit. Vendosnim dy gurë si porta e hareja hare, gëzim e britma pa fund. Ende më oshëtijnë thirrjet “gooollll”, ende më sjellin flutura në stomak e në lukth.

Edhe pasi u ngrit godina përballë sërish fusha nuk na u zvogëlua shumë, u la hapesirë e madhe. Veç të moshuarat që delnin nuk rrinin më në lëndinë, por në ca stolka të vegjël. Nuk u qanë fare, bënin tifo për ndeshjet tona. Mbaj mend se fiks perballë dritares së kuzhinës në pallatin karshi, pas ca muajsh që ajo u popullua, dilte e nderte rrobat një gocë shumë e bukur. Me sy bajame, me vetull të dukshme që larg, ezmere dhe përherë këndonte.

Siç ndodh vetëm në Korçë brenda disa orësh u mësua që ajo sapo ishte martuar me Gaqon, mekanik në park. Nuk punonte, ishte nga qyteti, por na qenkej evgjitkë. Sot quhen romë, por atëhere kjo fjalë nuk njihej. E bukur peri, e qeshur si vetë gëzimi. Pa dashje vinin sytë andej e Teuta, se kështu quhej, vraponte nga dhoma në kuzhinë, nga aneksi në banjë. Dritaret përherë hapur në ditët e  ngrohta dhe dukej lëvizja e saj se të gjitha binin nga ne, pallati përballë. Nuk e di për gocat, por ne  çunat filluam të thurrnim ca histori për të.

Sikur Gaqo e rrëmbeu se prindërit e Teutës nuk ia jepnin. Na dukej absurde nga që Gaqo ishte punëtor, i pafjalë dhe shpesh sa herë vinte nga puna e përqafonte gruan, i përkëdhelte flokët e të dy veç qeshnin. Nuk e di pse, por qeshnin shumë. Ca thoshin se prindërit e Gaqos nuk e donin Teutën nga që ishte evgjitkë. Ndaj ai iku dhe mori këtë hyrje.  Kur përmendej fjala përbuzëse për Teutën, Calja, shoku im i klasës, thoshte:

-Të kem dhe unë një nuse evgjitkë!

Mbase kështu mendonim të gjithë, por vetëm ai e thoshte me zë.

Kaluan vite, Teuta zbukurohej. U rritëm ne kalamajtë e pallatit, shkuam në gjimnaz e ajo këndonte, lante rroba, i nderte t'i thaheshin e çudi për kaq e kaq vite asnjë fëmijë nuk patën. Tani e shihnim edhe si personazh të ëndërrave tona. Na u fut në erotizmin e moshës dhe Teutën me siguri e “shijonim” mbase të gjithë brenda një nate. Na u bë si personazh filmash, si Sofia Loren apo Ana Manjani që shihnim atëhere në kinema. Kaq e bukur e kaq e dashur na dukej.

Shkova në universitet e u ndesha me plot vajza e me plot ëndërra. Por pse çdo gocë të bukur e krahasoja me Teutën? A i ka sytë si ajo, po dhëmbët aq të bardhë, po lëkurën aq të qashtër...?

Kështu më gjeti vera e parë në Korcë për pushime. Që në mëngjes sa u zgjova drejt tek dritarja. E pamja perpara më gëzoi. Teuta duke lyer dhomën e gjumit. Me një kapele prej gazete në kokë, me një shkop lidhur një furcë në majë e këndonte. Kur po kundroja këtë gravurë lumturie hyn babai.

-Si gjithnjë këndon ajo. - më tha.

-Po pse nuk e pamë njëherë në rrugë? Asnjëherë, pse? -e pyeta.

-Gaqo e ka dashur që kur ajo ishte në tetëvjeçare, e parritur. I kishin shtëpitë pranë. Ai e mbronte nga babai i saj që e rrihte sapo dehej. -nisi të më tregojë babai. - Teuta shihte tek ai kalanë që e mbronte. Kaluan vite dhe u deshën aq shumë sa u grind Gaqo edhe me atin e Teutës se e quajti  grabitës të një zemre të vogël, edhe nga prindërit e vet që nuk pranonin një me ngjyrë për nuse. Atëhere Gaqo mori këtë shtëpi e u mbyllën brenda. Se jashtë si çift do përfliten e do të përgojohen. Kur edhe farefisi nuk u shkel në shtëpi gjetën zgjidhje ta ndërtojnë lumturinë brenda mureve. Korridorin e kanë bulevard, atje bëjnë shëtitje. Dritaren e kanë kinema, shohin çfarë bëhet e cfarë ndodh. Lulet ti e di që kanë shumë, është “Parku Rinia” e tyre. Pra mbyllen brenda, nuk e çajnë dot mentalitetin, por edhe nuk duan të luftojnë, jeta është e shkurtër, nuk ia vlen. Po sikur të humbasin?!

-Po pse nuk bëjnë fëmijë?

-Babai i Teutës është fajtori, e ka rrahur kaq shumë një ditë sa ka pasur dëmtime te pakthyeshme. E dinte Gaqo me kohë dhe qysh atëhere e quajti gjë pa rëndësi në dashurinë e tyre.

Kaq më tha babai e Teuta m'u hyjnizua. M'u bë më e bukur, më  njerëzore, si një zanë nga ato të librave. E kujtoj shpesh Teutën. Kur shkoj në Korcë tani nuk hedh më sytë nga dritarja e saj. Nga që prindërit më lanë e shtëpia ka tjetër pronar, por edhe se nuk dua të mësoj në Gaqo rron a jo, apo në Teuta është sëmurë, mbase veshur me të zeza?

Dua që ajo zeshkane të rrijë mbi syrin tim si një gaz i madh, si një burim rrezatimi mirësie, si një orbitë dashurie. Dua Teutën që kam parë përballë e që u rrit me mua. Dua gruan e dashur të Gaqos dhe zonjën e mbyllur mes katër mureve të pallatit përbri. Ajo nuk u internua larg, por u burgos nga mendësia e mbrapshtë e njerëzve, nga racizmi i shfaqur hapur.

Teuta, më mësove që dashuria është e para në jetë, është kryesorja. Të tjerat vijnë varg, por më pas. Ende të kam në sy o bukurane! Ndonjëherë, nuk gënjej, më vjen edhe në ëndërra. Ndonjëherë…/ CNA





Lajmet e fundit nga