web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

"Terrorizëm" me review-të në rrjetet sociale

10 Korrik 2026, 12:28, Editorial CNA
"Terrorizëm" me review-të në rrjetet sociale
Foto ilustruese

Sektori i turizmit në Shqipëri po përballet me një formë të rrezikshme "terrorizmi" kibernetik. Sipas të dhënave të bëra publike nga drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, është identifikuar një aktivitet i dyshuar dhe i koordinuar në hapësirën kibernetike ku mbi 10 mijë llogari kanë publikuar masivisht komente dhe vlerësime negative për të dëmtuar reputacionin e bizneseve shqiptare.

Ky sulm që synon të dëmtojë imazhin e Shqipërisë si një vend i sigurt dhe mikpritës, po prek një gamë të gjerë biznesesh, përfshirë ato në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Korçë, Vlorë, Sarandë dhe më gjerë.

Sulmet e koordinuara kërkojnë reagim të ashpër ligjor. Biznesi është biznes dhe aktiviteti i turizmit është shpirti i ekonomisë shqiptare. Bizneset që operojnë në këtë sektor paguajnë taksa, me të cilat shteti kryen investime, prandaj dëmtimi i tyre nga sulme të koordinuara kibernetike është një goditje direkte ndaj vendit.

Aktiviteti i koordinuar në platformat online, është vlerësuar si një shqetësim serioz nga drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, por reagimi i kryepolicit ishte mjaft i butë.

Ky veprim nuk është thjesht një mendim i lirë, por një akt kriminal dhe një formë terrorizmi që bëhet kundër biznesit. Këto sulme që shënjestrojnë bizneset rrezikojnë të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë si një vend i sigurt dhe mikpritës.

Në këtë valë sulmesh janë vënë në shënjestër edhe bizneset e Gjergj Lucës.

"Terrorizëm" me review-të në rrjetet sociale
Shkeputur ne nje nga videot e publikuara nga biznesmeni Gjergj Luca

Por, dëmi nuk ndalet tek ai. Përtej figurës së tij, që është shumë e ekspozuar në rrjete sociale si "TikTok" apo në debate të ndryshme, këto sulme po shkatërrojnë bizneset e shërbimeve që operojnë nën të njëjtin model.

Këto janë biznese që punësojnë me mijëra qytetarë, kamerierë, banakierë, shoferë dhe punonjës të tjerë, të cilët mbeten në mëshirë të fatit kur aktiviteti goditet nga një fushatë inati dhe anarkie.

Dëmi është kriminal, sepse pasojat e rënda nuk i ndien Gjergj Luca, por i ndiejnë mijëra familjarë që varen nga paga e bizneseve të tij dhe shumë biznese të tjera të ngjashme që po sulmohen online.

Këto sulme nuk shënjestrojnë vetëm restorantet, por po godasin rëndë çdo sektor të turizmit, nga gastronomia te turizmi dentar dhe estetik, që janë kthyer në ndërmarrje të rëndësishme për ekonominë shqiptare. Kur këta kriminelë duan të nxijnë biznesin, në fakt, ata po minojnë zhvillimin e ekonomisë dhe qarkullimin e parave në vend.

Çdo përpjekje për të cenuar interesin ekonomik të vendit duhet të trajtohet me prioritet maksimal nga Policia e Shtetit, e cila ka bërë thirrje që kushdo që ka kontaktuar raste të ngjashme të paraqesë kallëzim zyrtar.

"Terrorizëm" me review-të në rrjetet sociale

Megjithatë ky reagim nuk është i mjaftueshëm. Duhet ndërhyrja e të gjitha institucioneve ligjzbatuese, përfshirë edhe SPAK-un, pasi është e domosdoshme për të hetuar këto grupe të strukturuara kriminale që mbjellin anarki në Shqipëri.

Nëse një konsumator nuk është i kënaqur me një shërbim, e drejta e tij është të zgjedhë një tjetër, por askush nuk ka të drejtë të organizojë sulme për të shkatërruar mundin e mijëra punonjësve dhe imazhin e biznesit shqiptar.

Mijëra qytetarë kanë të drejtë të protestojnë para Kryeministrisë, edhe pse bllokimi i rrugëve në kryeqytet sërish po dëmton bizneset, por kjo është një tjetër çështje; qytetarët janë në të drejtën e tyre legjitime të protestojnë për qeverinë dhe të kërkojnë llogaridhënie. Por kur dëmtohet biznesi i ndershëm, aktet shkojnë përtej protestës, këto janë aktivitete mirëfilli terroriste që po dëmtojnë rëndë të ardhmen ekonomike të vendit./ CNA





Lajmet e fundit nga