web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Maska, muzikë dhe traditë/ Korça çel sezonin turistik me Karnavalet

7 Qershor 2026, 13:19, Kulturë CNA

Korça është shndërruar këtë fundjavë në kryeqendrën e festës dhe ngjyrave me zhvillimin e edicionit më të ri të Festivalit Ndërkombëtar të Karnavaleve. Qindra qytetarë dhe turistë kanë mbushur rrugët e qytetit për të ndjekur paradën spektakolare të maskave, kostumeve artistike dhe performancave të trupave pjesëmarrëse nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të Europës.

Maska, muzikë dhe traditë/ Korça çel sezonin turistik me

Atmosfera festive nisi që në orët e paradites me parakalimin e grupeve pjesëmarrëse në rrugët kryesore të qytetit, ndërsa festa vijoi në pedonalen e Korçës ku personazhet shumëngjyrëshe tërhoqën vëmendjen e të rriturve dhe fëmijëve.

Maska, muzikë dhe traditë/ Korça çel sezonin turistik me

Drejtoresha e Kulturës, Blerta Belliu, tha se ky edicion vjen më i pasur se vitet e mëparshme, me pjesëmarrjen e shtatë trupave ndërkombëtare nga Rumania, Serbia, Greqia, Italia dhe Polonia, duke e kthyer qytetin në një skenë të madhe artistike dhe kulturore.

"Karnavalet e Korçës vjen në një edicion sa vjen dhe më të bukur. Kemi shtatë trupa që na kanë ardhur nga Rumania, nga Serbia, nga Greqia, Italia, Polonia. Një festival ndërkombëtar që sjell të gjithë frymën jo vetëm të Korçës, por dhe jashtë saj. Kemi grupe që vazhdojnë të ruajnë traditën e karnavaleve të Korçës, por kemi dhe grupe të reja këtë vit. Kemi bërë butfori të shumta. Kemi paraduar në mëngjes me grupet e huaja, vazhdojmë në bulevardin kryesor, më pas në pedonale dhe kulmon me party karnaval. Korça si asnjëherë më parë",-tha Belliu.

Mes personazheve që tërhoqën vëmendjen ishte edhe personifikimi i stinës së dimrit nga trupa e Teatrit “Andon Zako Çajupi”. E veshur me një kostum të veçantë dhe maskë artistike, ajo tregon se Karnavalet mbeten një nga festat më të dashura për qytetin.

Maska, muzikë dhe traditë/ Korça çel sezonin turistik me

"Unë vij nga trupa e Teatrit 'Andon Zako Çajupi' të Korçës dhe përfaqësoj dimrin. Jam e veshur me fustan nuseje dhe maska e realizuar nga Ilda Pepi është, përfaqëson stinën e dimrit. Me trupën e teatrit është hera e parë, por nuk është hera ime e parë në Karnavale. Kam marrë dhe me kërcimet më përpara pjesë me personazhe të ndryshme. Është shumë bukur, sidomos kur fëmijët vijnë dhe duan foto me ty. Patjetër që Ilda na ka dhënë të gjithë hapësirën të dukemi dhe të përfaqësojmë veshjet tona, prandaj është diçka shumë e bukur dhe jam shumë e lumtur që qyteti jonë i jep kaq rëndësi një feste të bukur për ne, po mbase edhe për të rriturit",-tha pjesëmarrësja. 

Karakteri ndërkombëtar i Karnavaleve u pasqyrua edhe nga pjesëmarrja e grupeve të huaja. Përfaqësuesja e trupës rumune nga Petroshani u shpreh e emocionuar për pjesëmarrjen e parë në Shqipëri, duke theksuar se personazhet e tyre përfaqësojnë botën e përrallave dhe folklorin rumun.

Maska, muzikë dhe traditë/ Korça çel sezonin turistik me

"Është hera jonë e parë në Shqipëri. Ne jemi skuadra rumune nga Petroshani dhe përfaqësojmë personazhe nga përrallat rumune. Mbretër, mbretëresha, magjistarë, fshatarë, kafshë, folklori rumun. Arti dhe kultura i bashkojnë njerëzit",-tha ajo. 

Ndërkohë, një prej pjesëmarrëseve nga Serbia, e cila merr pjesë për herë të tretë në Karnavalet e Korçës, tregoi simbolikën e kostumeve të tyre, të frymëzuara nga liria dhe triumfi i së mirës mbi të keqen.

"Ne jemi si njerëzit, shprehim emocione dhe po tregojmë se njerëzit në të vërtetë janë të mirë. Ne jemi zogjtë dhe jemi të lirë, ashtu si një zog. Unë jam diçka si udhëheqësja, ndërsa ato me të zeza përfaqësojnë diçka të keqe, Dhe pastaj, zogjtë me blu dhe të bardhë vijnë dhe i shpëtojnë ato. Kështu që, unë jam zogjtë, e lirë. Jo, unë jam këtu për herë të tretë. Është bukur, më pëlqen ky karnaval. Duken të lumtur dhe të gjithë janë në atmosferë karnavali, kështu që edhe ne jemi shumë të lumtura",-tregoi pjesëmarrësja. 

Me muzikë, valle, maska dhe performanca artistike, Karnavalet e Korçës vijojnë të mbeten një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend, duke tërhequr çdo vit mijëra vizitorë dhe duke promovuar qytetin si një destinacion turistik e kulturor të veçantë./CNA 





Lajmet e fundit nga