web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ylli i "Jurassic Park" dhe "Peaky Blinders", ndërron jetë në moshën 78-vjeçare

13 Korrik 2026, 16:20, Lifestyle CNA

Ylli i "Jurassic Park" dhe "Peaky Blinders", ndërron

Aktori i njohur botëror Sam Neill, i famshëm për rolet e tij në filmat "Jurassic Park" dhe serialin "Peaky Blinders", ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare.

I lindur në Irlandën e Veriut dhe i rritur në Zelandën e Re, Neill ishte një nga aktorët më të suksesshëm të këtij vendi në skenën ndërkombëtare.

Gjatë një karriere që zgjati më shumë se pesë dekada, ai interpretoi në më shumë se 50 filma, ndërsa u bë shumë i njohur për rolet e tij në "Jurassic Park", "The Piano", "Event Horizon" dhe shumë prodhime të tjera.

Familja e aktorit njoftoi se ai ndërroi jetë të hënën në Sidnej të Australisë. Në deklaratën e tyre, ata e përshkruan humbjen si të papritur, ndërsa nuk bënë të ditur shkakun e vdekjes.

Neill ishte diagnostikuar në vitin 2022 me limfomë angioimunoblastike të qelizave T, një formë e rrallë e limfomës jo-Hodgkin, një grup kanceresh që prekin sistemin limfatik. Pas trajtimit, ai kishte njoftuar më herët gjatë këtij viti se ishte shëruar nga kanceri dhe kishte planifikuar të rikthehej në aktrim. 

Sam Neill u vlerësua si një aktor me talent të jashtëzakonshëm, i aftë të interpretonte me sukses si në superproduksione hollivudiane ashtu edhe në filma artistikë. Ai do të mbahet mend për rolin e Dr. Alan Grant në serinë "Jurassic Park", si dhe për interpretimet e tij në filma të vlerësuar nga kritika.

Pas lajmit për ndarjen e tij nga jeta, personalitete të shumta nga bota e filmit dhe politikës shprehën ngushëllimet e tyre. Regjisori Colin Trevorrow, me të cilin Neill bashkëpunoi në "Jurassic World Dominion", e cilësoi atë si "një njeri me shpirt të madh dhe mik të jashtëzakonshëm".

Kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon, e përshkroi Neill si "një nga aktorët dhe personalitetet më të mëdhen", duke theksuar kontributin e tij në promovimin e kinemasë së vendit në arenën ndërkombëtare. Edhe kryeministri australian Anthony Albanese i bëri homazh aktorit, duke vlerësuar forcën dhe humorin me të cilin ai përballoi sëmundjen.

Me ndarjen nga jeta të Sam Neill, bota e kinemasë humbet një prej figurave më të dashura dhe më të respektuara, ndërsa trashëgimia e tij artistike do të vazhdojë të jetojë përmes roleve që frymëzuan miliona shikues në mbarë botën. Aktori la pas dy djemtë dhe dy vajzat e tij. /CNA





Lajmet e fundit nga