web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“Redcloud”/ Kompania e lidhur me Arbër Veliajn mori 4.3 milionë euro për biletat e Kanye West

12 Korrik 2026, 14:22, Denoncim CNA

“Redcloud”/ Kompania e lidhur me Arbër Veliajn mori 4.3

Paraditen e 7 Korrikut 2026, Ministria e Kulturës transferoi në mënyrë urgjente 400 milionë lekë (4.3 milionë euro) në llogaritë e kompanisë “Redcloud”, e angazhuar për organizimin e koncertit të reper-it amerikan, Kanye West.

Vetëm një ditë më parë, në 6 Korrik, Këshilli i Ministrave kishte miratuar një Akt Normativ me fuqinë e ligjit, me shpejtësi, për të kaluar shumën e paracaktuar për Fondin e Emergjencave në funksion të mbarëvajtjes së spektaklit të shumë-debatuar.

Kryeministri Edi Rama deklaroi në një dalje publike se fondi qeveritar ishte planifikuar të shpenzohej për koncertin, me qëllim që “Shqipëria të mos turpërohej para turistëve të huaj”.

Më herët, në Prill 2026, kur Rama tregoi për herë të parë se Kanye West kishte planifikuar koncert në Shqipëri, në mes të korrikut, ai theksoi se qeveria nuk do të shpenzonte asnjë monedhë për aktivitetin.

“Redcloud”/ Kompania e lidhur me Arbër Veliajn mori 4.3

Megjithatë, në 6 korrik, ai u shfaq në kantinerin ku po ngrihej skena për koncertin që do të zhvillohej pak ditë më pas, në 11 korrik, në shoqërinë e Ministrit të Kulturës, Blendi Gonxhja.

Kryeministri deklaroi për herë të parë se qeveria do të shpenzonte 400 milionë lekë, të cilat ishin të destinuara për blerje biletash. Vendimi kontrovers u ekzekutua menjëherë.

“Redcloud”/ Kompania e lidhur me Arbër Veliajn mori 4.3
Pagesa e Thesarit të Shtetit për kompaninë “Redcloud”

Të dhënat e Thesarit të Shtetit tregojnë se pagesa është kryer nga Ministria e Turizmit në favor të “Redcloud”, një kompani e angazhuar prej vitesh në organizimin e eventeve.

“Redcloud” në dosjen e Veliaj

Kompania përfituese është krijuar në vitin 2011. Ajo zotërohet prej vitit 2021 nga Klodian Makashi.

Në pranverën e vitit 2024, Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi hetimet për kryetarin në detyrë të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në shkurt të vitit 2025, veprimet proceduriale shënuan një moment kulminant, me arrestimin e Veliajt. Ai tashmë është në gjykim për “korrupsion pasiv” të 9 raste, “fshehje pasurie” dhe “pastrim parash”.

Në një dosje të veçuar, prokurorët e SPAK-ut po kryejnë verifikime mbi rolin Arbër Veliajt, vëllait të kryebashkiakut të Tiranës, në një skemë të dyshuar pastrimi parash.

Djali i vogël i familjes Veliaj zotëron prej vitesh kompaninë “Gogel”, e angazhuar në organizimin e eventeve kulturore e artistike. Prokurorët kanë krijuar një bazë të dhënash, nga ku rezulton se kompani të ndryshme private, të cilat kanë përfituar tendera nga Bashkia e Tiranës, njëkohësisht rezultojnë si kontraktore të “Gogel” të Arbër Veliaj.

Në 17 Prill 2026, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) miratoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për të kryer kontroll në zyrat e shoqërisë “Gogel”.

Mes shumë dokumentave, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) rezulton se kanë sekuestruar edhe një kontratë të nënshkruar ndërmjet “Gogel” shpk të Arbër Veliajt dhe “Redcloud” të Klodian Makashit.

Në proces-verbalin e sekuestrimeve, BKH-ja ka shënuar: “Sekuestrim ‘Business Cooperation Agreement, date July 2024’, në gjuhën angleze, lidhur ndërmjet Gogel Shpk dhe RedCloud Shpk, fletë 4 (katër)”.

Arbër Veliaj e kundërshtoi vendimin për kontrollin e zyrës së tij. Por, Gjykata e Apelit të Posaçëm i rrëzoi pretendimet e tij në qershor të këtij viti, duke mbajtur të sekuestruara të gjithë dokumentacionin e marrë në zyrat e “Gogel”, përfshirë edhe kontratën me “Redcloud”.

Për momentin, nuk ka asnjë të dhënë publike që të dëshmojë se kompania e Klodian Makashit është pjesë e hetimit të Prokurorisë së Posaçme.

Nga të dhënat në portalin informativ “spending.data”, rezulton se kompania ‘Redcloud” ka përfituar rreth 37 milionë lekë të reja nga bashkia e Tiranës, nën drejtimin e kryetarit tashmë të arrestuar, Erion Veliaj./ Bold News





Lajmet e fundit nga