web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Financimi i kullës së Ervin Matës/ Plug: Mbi 28 milionë euro autofaturime për kompanitë e lidhura me Vilma Nushin

25 Qershor 2026, 09:19, Denoncim CNA

Financimi i kullës së Ervin Matës/ Plug: Mbi 28 milionë euro

Pas denoncimit të parë, emisioni Plug ka vijuar sërish investigimin për biznesmenen Vilma Nushi, përfituesen e koncesionit të Check Up, e cila sipas denoncimit kishte financuar me paratë e shëndetësisë shqiptare ndërtimin e një kulle, që e ka ndërtuar Luan Mata, babai i Ervin Matës, trafikantit të arrestuar në Brazil.

Kontrata koncesionare për Check up u firmos më 7 janar 2015. Ndërkohë gara për koncesionin e Check up u shpall që në shkurt të vitit 2014, apo 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit 138 milionë euro.

Plug publikoi për herë të parë dokumente ekskluzive, që tregonin se Ilir Beqaj kishte vendosur t’i falte Vilma Nushit miliona euro.

Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3 P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzon publikimin e kësaj kontrate pasi konstaton shkelje të rënda ligjore.

Sipas një shkrese që i përket datës 13 shkurt me numër protokolli 1022/3, që Agjencia e Prokurimit Publik i drejton Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Alfred Çareri, kontrata koncesionare kishte dy shkelje të rënda. Së pari, kontrata dërgohet në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit.

Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar. Më datë 19.02.2015, me shkresën Nr.3082/29, Ilir Beqaj i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3. se: Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë, apo rreth 138 mln euro për dhjetë vjet.

Në pikën IV.4, saktësohet: Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit për personat e grupmoshës 40-65 vjeç.

Ky formular është i publikuar edhe sot e kësaj dite në faqen zyrtare të regjistrit koncesionar nga Open Procurement Albania.

Ndonëse alarmi për koncesionin e Check Up ishte dhënë që përpara se të firmosej kontrata, abuzimet e para me paratë e qytetarëve shqiptarë do të dilnin në pah në vitin 2018. Kontrolli i Lartë i Shtetit kreu një auditim në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ku zbardhi sesi qeveria po jepte miliona euro çdo vit për një shërbim të cilin nuk e merrte. Në përmbledhje të raportit, KLSH shkruante:

Nga auditimi mbi monitorimin e kontratës së kontrollit bazë CHECK-UP, rezultoi se edhe këtë vit nuk janë arritur projeksionet e kontratës duke bërë që pagesat e marra tepër nga koncesionari, për punën e pakryer për vitet 2015, 2016, 2017 dhe 2018, të arrijnë në 925 milionë lekë. Megjithëse KLSH, në auditimet e mëparshme ka kërkuar që koncesionari të paguhet vetëm për kostot fikse për rastet e pakryera dhe jo vlera e shpenzimeve variabël, të cilat nuk ndodhin në rastin e një kontrolli bazë të pakryer, konstatohet se edhe këtë vit është vazhduar si vitet e mëparshme, duke sjellë rritje pa të drejtë të kostove buxhetore për këtë shërbim.

Në vetëm tre vjet, qeveria i paguan Vilma Nushit rreth 10 milionë euro më shumë sesa duhet t’i paguante realisht.

Plug thekson se sipas KLSH, në përfundim të 10 viteve, Check up mund të cilësohet si koncesion i dështuar, pasi nuk ka ndikuar në përmirësimin e shëndetit të qytetarëve shqiptarë.

Financimi i kullës së Ervin Matës

Financimi i kullës së Ervin Matës/ Plug: Mbi 28 milionë euro

Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, që ka në pronësi koncesionin e Check Up nëpërmjet kompanisë ‘3P Life Logistic’, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë ‘Victoria Construction’, e cila po ndërton kullën Ekspozita Building.

Konkretisht, në vitin 2018, kompania ‘Marketing & Distribution’ kalon për llogari të shoqërisë ‘Victoria Construction’ një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë ‘Victoria Construction’ nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë borxh.

Konkretisht, në vitin 2018, Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës. Ndërsa më pas, në vitin 2019, u miratua leja e zhvillimit të godinës polifunksionale ‘Ekspozita Building’ me vendndodhje në Bulevardin ‘Gjergj Fishta’ në Tiranë. Kulla, me lartësi 93 metra, do të ketë 29 kate, 24 mbi tokë dhe 5 nën tokë. Sipërfaqja e përgjithshme e 24 kateve do të jetë rreth 42 mijë metra katrorë dhe do të shërbejë si qendër tregtare, ambiente për zyra dhe banim.

Në vitet në vijim kompania ‘Victoria Construction’ heq emrat e donatorëve me para cash, por ajo që bie në sy është fakti se pas vitit 2019 e deri në vitin 2024, huatë e marra në para cash kapin vlerën e 8 milionë eurove. Emrat e këtyre personave nuk deklarohen nga Luan Mata, ndërsa nuk jepen as të dhëna nëse kompania ia ka kthyer paratë Vilma Nushit apo kjo e fundit ka vijuar të rrisë fondin e investimit për ndërtimin e një kulle, e cila prej vitit 2021 është nën hetim nga SPAK pasi dyshohet se ndërtohej me paratë e trafikut të drogës së Ervin Matës.

Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliard lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividentin e parë nga kompania e Check Up, në vlerën e rreth 1.2 miliard lekëve apo përafërsisht sa shuma që futi te kulla e një trafikanti droge.

Mbi 28 mln euro autofaturime për kompanitë e lidhura me Vilma Nushin

Financimi i kullës së Ervin Matës/ Plug: Mbi 28 milionë euro

Sipas të dhënave, rezulton se së paku katër kompani në pronësi direkte apo të familjarëve të Vilma Nushit kanë faturuar rreth 28 milionë euro, apo rreth 40% të totalit të faturimit që kompania 3P Life Logistic i ka faturuar buxhetit të shtetit për koncesionin e Check Up.

Sipas investigimit të Plug, Marketing & Distribution, në pronësi direkte të Vilma Nushit, ka përfituar rreth 19 milionë euro nga kompania koncesionare nëpërmjet faturimeve. Interlogistic, në pronësi të Besnik dhe Erion Nushit, ka faturuar dhe përfituar rreth 4.5 milionë euro.

Veramentia, një tjetër kompani në pronësi të Vilma Nushit, ka faturuar rreth 259 mijë euro, si dhe TRIMED, në pronësi të kunatit të Vilma Nushit, ka faturuar mbi 4.6 milionë euro. Pra, duket qartë se për të justifikuar shpenzimet, kompania koncesionare merr paratë nga koncesioni dhe më pas i transferon nëpërmjet faturimeve në kompanitë e tjera të Vilma Nushit, për të justifikuar në këtë mënyrë shpenzimet.

Kompania Marketing & Distribution i financon një pjesë të këtyre parave në ndërtimin e kullës së babait të Ervin Matës, të arrestuarit në Brazil për trafik ndërkombëtar kokaine.

Qarkullimi i kapitalit për qira ambientesh është kryer me shoqërinë Veramentia, shoqëri kjo e cila i përket shtetases Vilma Nushi.

Plug thekson se, në shënimet shpjeguese të pasqyrave financiare të vitit 2018 (publikuar në QKB), kjo shoqëri sqaron se klientët e saj kryesorë janë shoqëritë Interlogistic dhe 3P Life. Pra, thënë ndryshe, Vilma i ka paguar qira vetes së saj.

Në po këto pasqyra financiare na bëhet e qartë se shoqëria ka ndarë dividend në shumën 46.812.653 lekë ose 468.126 euro. Pra, shtetasja Vilma Nushi përfiton dividend edhe nga kjo shoqëri. Pasi fillon hetimi për këtë koncesion, më 26.02.2019 shoqëria Veramentia merr vendim për të kaluar në proces likuidimi, vendim ky që depozitohet në QKB më 25.03.2019, çuditërisht në afatin e fundit të 30 ditëve që lejon ligji për depozitimin e vendimeve të asambleve. Më 14.10.2019 kjo shoqëri likuidohet.

Në aneksin 8 të kontratës, pika B ‘Vlera e investimit dhe riinvestimit’ është përcaktuar se shoqëria ‘3P Life’ duhet të kryente një investim prej 21.150.000 lekësh në zërin logjistika, vlera e ambulancave. Bazuar në pasqyrat financiare të koncesionarit, ai ka investuar në mjete transporti 134.137.219 lekë.

Këto automjete në pjesën më të madhe janë blerë nga shoqëria tjetër e Vilma Nushit dhe pikërisht nga shoqëria Marketing & Distribution, dhe për këto shitje, por edhe për të tjera, koncesionari kalon kapital në shoqërinë e Vilma Nushit. Por ajo që u konstatua gjatë hetimit të komisionit është fakti se automjetet, të cilat në kontabilitet janë në pronësi të koncesionarit dhe janë të publikuara edhe në ekstraktin e saj, në të njëjtën kohë janë të publikuara si pika shitjeje edhe për shoqërinë Marketing & Distribution, por edhe për shoqërinë Interlogistic.

Kjo vërtetohet edhe nga ekstrakti i shoqërisë Marketing & Distribution, ku targat e 39 automjeteve që shihni në ekran janë gjithashtu pjesë e të dyja shoqërive, pra Marketing & Distribution dhe 3P Life Logistic, që ka në pronësi koncesionin e Check Up.

Pra, nisur nga ky fakt, arrijmë në konkluzionin se shitja e automjeteve është fiktive për të kaluar kapitalin, sepse këto automjete nuk u bënë asnjëherë pronë e koncesionarit. Kjo skemë fiktive është kryer jo vetëm për të qarkulluar kapitalin, por edhe për të rritur në mënyrë fiktive shpenzimet e shoqërisë koncesionare, e cila ka paguar të gjitha shpenzimet e lidhura me këto automjete si polica sigurimi, karburant, mirëmbajtje, riparime e të tjera që arrijnë vlerën 2.8 milion euro.

Por rasti më skandaloz i faturimeve fiktive është ai me shtetasen Afete Limaj. Në librat e blerjeve të shoqërisë 3P Life, është evidentuar furnitori Afete Alimaj me NIPT L16311205C. Nga ekstrakti i subjektit në QKB kemi evidentuar disa fakte. Objekti i këtij subjekti është suvatime muresh, ndërtim kallëpesh, lyerje. Subjekti e ka filluar aktivitetin në 11.01.2011 dhe në 20.05.2013 pezullon aktivitetin. Në datën 16.06.2017 subjekti kalon nga statusi ‘i pezulluar’ në statusin ‘aktiv’. Vetëm 15 ditë më vonë ky subjekt i faturon koncesionarit 4 fatura në shumën 4.487.010 lekë (me TVSH) ose 44.870 euro.

Faturimi është kryer në muajin korrik dhe një faturë në 08.08.2017 dhe në 10 tetor subjekti kërkon sërish pezullimin e aktivitetit. Nga publikimet e vetë subjektit në QKB ne analizuam pasqyrat financiare të vitit 2017 për këtë subjekt dhe vumë re se të ardhurat e tij për këtë vit vinin vetëm nga koncesionari.

Veprimet e koncesionarit me këtë subjekt janë shumë dyshuese, në këto kushte i mbetet SPAK të hetojë plotësisht veprimet me këtë subjekt si dhe me gjithë furnitorët e tjerë të shoqërisë 3P Life.

Sipas Plug, Vilma Nushi nuk iu përmbajt kurrë kontratës koncesionare për ndërtim laboratorësh, të cilët më pas do t’i mbeteshin si aset shtetit shqiptar. Të dhënat tregojnë se për kryerjen e analizave të Check Up, 3P Life Logistic kontraktoi mbi 16 laboratorë në të gjithë Shqipërinë, për të cilët ka shpenzuar qindra mijëra euro.

Një tjetër detaj, i bërë publik edhe gjatë komisionit hetimor për koncesionet në Shëndetësi, ishte ai i blerjes së 450 laptopëve për llogari të koncesionit të Check Up. Sipas një emaili që i shkoi kryetares së komisionit hetimor të shëndetësisë, Albana Vokshi, kompania e Vilma Nushit bleu 450 laptopë te shoqëria Intech+, me të cilën sipas denoncimit Vilma Nushi kishte një kontratë për zhvillimin e softëare-it dhe database e Oracle për Check Up. Sipas kontratës, kompania fituese e tenderit duhet të ishte në gjendje të garantonte mirëmbajtjen e sistemit kompjuterik. Kjo pikë skualifikoi kompanitë e tjera nga gara. Por edhe M&D nuk kishte një kapacitet të tillë, prandaj paraprakisht ekziston një akord mes M&D dhe Intech+, i cili mori shuma të majme nga M&D për zhvillimin e softëare-it. Më pas, Vilma Nushi, nëpërmjet M&D, ka blerë kompjuterë te kjo shoqëri, ndërsa ia ka shitur shoqërisë së saj 3P Life Logistic me çmim disa herë më të lartë sesa i bleu./ CNA





Lajmet e fundit nga