web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

GJYSHJA E LADIT

19 Korrik 2026, 07:23, Kulturë Agim Xhafka

GJYSHJA E LADIT

Besimi mes njerëzve nuk është veç një fjalë me tri rrokje. Ka brenda shpresa, zhgënjime, mashtrime, pohime. Të vërteta e rrena plot. Dhe dashurinë besimi e lind. Edhe shpresën, edhe ëndrrën, edhe gëzimin e lumturinë. Në se do e krahasosh me një pemë pylli menjëherë thua që rrënjët janë besimi. Gjethet, që i lëkund dhe një erë e lehtë, shfaqen si premtime. Ndërsa frutat me krimb brenda janë zhgënjimi. Në jetë na ndodh shpesh që të kapemi fort pas dikujt. Që nuk na mashtron, që mban fjalën, që na gjendet në krah. Te ai çdo herë falemi e shumë herë lutemi. Më tej ecim pa dyshuar më në vendimet që do të marrë për ne. Se i besojmë.

Këto po mendoja ndërsa në bankë po merrja një kartë krediti. Normal kisha dilema. Mos ma kopjojnë, mos më vjedhin kodin, mos më rri pas kurrizit ndonjë në bankomat. Të gjitha këto jetojnë. Se njeriu, kemi mësuar që fëmijë, përbëhet prej ujit, por edhe prej dyshimeve. E në një çast të tillë të sikletshëm më shpëtoi Nerënxa, gjyshja e Ladit, fqinjit tim te pallati në Korçë. Te pallati ku linda dhe ku jetova deri sa shkova në universitet. Po pse pikërisht ajo më bitisi në tru? Pse Nerënxa me një protezë te këmba e djathtë, që kur ngjiste shkallët apo i zbriste ngrinte pallatin në këmbë nga zhurma që i bënte druri, më doli te procesi i kartës së kreditit. Ashtu e qeshur sikur më tha:

-Ti, o djalë pate besim tek unë dhe nuk besoke bankën!

U ngroha. Atë çast i buzëqesha vajzës që më shërbeu, mora kartën, dola i qetë nga banka. Nerënxa ishte gjyshja e Ladit, por qe dhe “nëna” e besimit tonë. E kishte të provuar ndër vite; kurrë nuk gënjente, kurrë nuk shante, kurrë nuk bërtiste dhe ne fëmijëve na gjendej. Një ditë kur erdhën ca policë të merrnin Gencin për ta çuar në shkollën e riedukimit ajo u doli para. Me bastun në dorë. Ngritur lart, gati për luftë.

-Shkollë edukimi jemi ne të pallatit, more! Bëri një gabim çuni dhe ju menjëherë e quani rrugaç?!

Raste të tjera plot, por çudia ndodhi kur do të bënim një ndeshje futbolli me lagjen e Shëndëllisë. Nuk donim që arbitrimin ta bënte Zihniu, mësuesi i fizkulturës që banonte te pallati përballë. Na dukej i njëanshëm. Në debatin që po bënim përmendëm disa emra që mund t’i frynin bilbilit në fushë. Unë, mes shumë kandidaturave që dëgjova, papritur propozova:

-Të na arbitrojë Nerënxa, bre.

Heshtje, më pas të qeshura.

-Po me protezë do të vrapojë gjyshja pas nesh, mo? -thanë me të drejtë.

U bukosa në fakt, nuk kisha si ta justifikoja, ama në kokë ajo më qëndronte më dinjitozja. E dinja që nuk do i hante hakun askujt. Një si Nerënxa na duhej, tek gjyshja besonim. Por proteza prej druri ishte postbllok i madh që nuk kishte si kapërxehej.

Dhe ndodhi çudia, ajo e dëgjoi emrin e vet e ashtu zhdraka-zhdruka na u afrua.

-Do jem unë referi, do të arbitroj nga ballkoni. -tha dhe ngriti kokën drejt pallatit.

Banonte në katin e dytë. Ballkoni i saj ishte në një vijë me mesin e fushës. Hypi Nerënxa atje dhe i ra fort bilbilit.

-Të fitojë më i miri, -bërtiti.

Gjatë lojës qe emocionues qëndrimi i saj, por ishte dhe pak komik. Kur ndonjëherë nuk dëgjohej bilbili, se turma e fëmijëve bërtiste me tifozllëk, ajo u binte fort me protezën prej druri kangjellave të ballkonit. Në çast vendosej qetësia, ishin dramatike ato goditje. Ama pas ndeshjes të dy ekipet shtrënguan dorën e gjyshe Nerënxës. Asnjë pakënaqësi. Më tej arbitroi disa herë, në se do ishte gjallë sot me siguri do të qe gjyqtare e FIFA-s.

Besimi është rrënja e pemës, e them unë, nuk e gjeni kund. Atje, te ata litarë të kokolepsur me njëri-tjetrin, mbahet fort druri sado erëra, furtuan, rrebeshe e stuhi të ketë. Atje e ka “shtëpinë” edhe qetësia, edhe siguria, edhe harmonia. Pikë.





Lajmet e fundit nga