web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Mulizimi apo Molëzimi i PD-së?!

17 Korrik 2026, 18:59, Editorial CNA
Mulizimi apo Molëzimi i PD-së?!
Sali Berisha dhe Flamur Noka

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të PD-së pati debate. Gjithçka dukej provokative nga disa njerëz të cilët kërkonin një rezolutë më pas u shfaqën në media dhe termi që u përdor gjerësisht ishte “Mulizimi i PD”, njerëz që deklarojnë se nuk bëhet karrierë në PD, po nuk kalove nga Muli. Mendojnë njësoj si Mero, por ai me mendjen e tij të sëmurë nga ligësia s'ka si të mendojë ndryshe.

Në fakt, e vërteta është se në PD nuk ka bërë dot kush karrierë pa kaluar nga Berisha. Se të kesh Sali Berishën kryetar dhe të akuzosh Mulin është njësoj si historia e famshme e Pal Vatës që ne në CNA e përdorim shpesh. Dhe këta të rezolutave që gjejnë fajtor Mulin se nuk i do doktori, ja kalojnë dhe Pal Vatës.

Sipas tyre është Muli ai që nuk i lë njerëzit të bëjnë karrierë në PD, ndërsa Saliu nuk di gjë. E njëjta histori kur e pyetën Pal Vatën për një ngjarje që kishte ndodhur, Pali tha “po e ka bërë Mehmeti në kokë të vetë se unë dhe Enveri s’dina gja.”

Edhe kjo puna e këtyre që flasin me tezën e Mulizimit të PD-së, sikur PD ka qenë një parti kaq e madhe, e hapur edhe kaq demokratike sa pretendojnë këta, fakti është se PD nuk ka pasur problem Mulizimin.

PD e tillë ka qenë, e ndërtuar dhe drejtuar me dorë të fortë nga Berisha. Kush i ka dalë kundër ka ikur, kush i ka shkuar nga pas ka bërë karrierë. Kjo është e vërteta.

Tani doktori në moshën 82-vjeçare përpiqet të jetë disi më tolerant, por mos të kujtojnë se ka ndryshuar në këtë moshë, ka të njëjtën dorë të njëjtën goditje. Nuk është Muli që pengon njerëzit të bëjnë karrierë, ai thjesht zbaton urdhrat.

Si mund të të pengojë Flamur Noka të bësh karrierë, kur emrat sekretar i propozon Sali Berisha?

Si mund të të heqë Flamur Noka nga Këshilli Kombëtar ku lista kalon në duart e Berishës?

Si mund të mos futesh në Kryesi kur të propozon Saliu?

Si mund të humbasësh garën për drejtues në PD kur të do Saliu?

Prandaj në PD, këta njerëz që flasin për Mulizimin e PD janë të pasinqertë dhe nuk duhet të besohen nga demokratët.

PD nuk ka problem Mulizimin por Molëzimin.

Mola është ai krimbi që ju hyn rrobave, palltove dhe robave, dikur luftohej me një skon, një ilaç kundër molës, vendosej te rrobat dhe largonte këtë krimb që shkatërronte dhe hante kryesisht palltot e vjetra apo veshjet.

PD ka një problem molëzimin, gërryerjen nga krimbat e brendshëm, një histori që nuk ka filluar sot që është Flamur Noka apo po rizgjidhet, por molëzimi i madh ka filluar në 22 korrik të 2013 me hipokrizinë më të madhe të historisë politike të PD, vjedhjen e votave të Sokol Olldashit dhe bërjen e Lulit kryetar.

Më pas mbështetja e tij nga Berisha dhe të gjithë servilët e tjerë që sot flasin për Mulizim, por që janë disa nga njerëzit që molëzuan PD. Pasi iku Luli që i sulmoi me gaz pranuan t’ju vinte gjithë “banda e Lulzim Bashës”, ajo banda e molëzimit që luftoi kundër demokratëve dhe Berishës dhe më pas i morën, i mbajtën deputet, kryetarë grupi parlamentar, nënkryetarë, kanë poste të rëndësishme, nuk votohen dhe nuk zgjidhen. Janë mola e Lulit ende pas Saliut, nuk ka skon që ju bën derman.

PD nuk mund të flasë për Mulizim, po nuk i vuri pikat mbi “i” dhe të luftojë molëzimin e saj. Prandaj ka më pak vota dhe nuk vjen në pushtet me gjithë skandalet, aferat dhe gjithçka çfarë i plas kësaj qeverie, sepse PD është e molëzuar.

Mulizimin nuk e beson as Mero Baze që është “armiku më i madh” i Flamur Nokës jo më ta besojnë demokratët. Molëzimi i PD ngjason shumë me kokën e Meros si pamje, por si fenomen është edhe më i ligë dhe negativ se çdo e zezë që sipërfaq “armiku i Mulit”, Mero./ CNA





Lajmet e fundit nga