LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Dokumenti i dytë- Shkeljet në kontratën koncesionare, kompania nuk respekton asnjë afat për investimet në landfillin e Tiranës

3 Maj 2023, 12:24, Denoncim CNA
Dokumenti i dytë- Shkeljet në kontratën koncesionare, kompania
Inceneratori i Tiranës

Landfilli i Tiranës është një nga çështjet që po hetohet prej SPAK-ut pas disa padive të bëra fillimisht nga mediat, më pas Nisma Thurje, LSI-ja dhe PD-ja, në lidhje me një kontratë koncesionare 30-vjeçare, e cila prek një vlerë prej 430 milionë dollarësh.

Sipas të dhënave të publikuara zyrtarisht, rezulton se në vetëm 5-6 vite, kompania koncesionare të ketë të ardhura deri në 100 milionë dollarë, nga të cilat afërsisht 30 milionë dollarë janë fitime dhe pretendohet prej saj, se rreth 32 milionë dollarë të tjera janë investime. Por si qëndron e vërteta në lidhje me kontratën koncesionare? Sa të ardhura duhet të kishte në total kjo kompani dhe si duhet të kryheshin investimet?

 

 

Sipas kontratës së firmosur mes qeverisë dhe kompanisë “Integrated Energy BV SPV”, e cila ka mëmë kompaninë “Geogenix” në Holandë, e themeluar nga Klodian Zoto dhe më pas i ka kaluar aksionet te Giuseppe Ciaffaglione, një italian i shpallur në kërkim nga SPAK-u, dhe shtetit shqiptar, pasi ai kishte punësuar babain e Alqi Bllakos, zyrtarit të Ministrisë së Mjedisit, i cili ndodhet pas prangave.

Qartazi më pas kompania ndryshon aksionerë dhe kalon emra të tjerë. Kjo nëpërmjet një procedure ende të paqartë ligjore, pasi pretendohet se për të gjitha ndryshimet e aksionerëve, sipas ligjit të koncesioneve, duhej marrë më parë leje nga qeveria shqiptare, gjë që nga zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë thuhet se nuk është kryer.

Sot CNA po sjell një detaj tjetër, ashtu si edhe dje, ku ne publikuam dokumentin, i cili kishte të bënte me aneks-kontratën koncesionare të qeverisë me kompaninë, ku thuhej se për 6 vite, për rreth 72 muaj, duhet të ishin ndërtuar të katër linjat, njëra prej të cilave do të përpunonte rreth 230 ton mbetje në ditë.

Afatet qenë të qarta, ndërkohë që sot, sipas raportimeve të mediave, fotove, por edhe kamerave që kanë hyrë në landfillin e Tiranës, ende thuhet se nuk ekziston asnjë linjë dhe inceneratori nuk është.

Jemi fiks afër 6 vite më pas. Koncesionari, në një dalje publike të disa ditëve më parë, tha se ka investuar 32 milionë dollarë.

Dokumenti i dytë- Shkeljet në kontratën koncesionare, kompania

Në një dokumenti të publikuar nga CNA, të dhjetorit të 2022-shit, ku kompania kërkon partner dhe bën një “shitje me kusht” për të siguruar investimin rreth 120 milionë dollarë, thuhet se investimi është 22 milionë dollarë. Dy shifra të ndryshme me një diferencë rreth 10 milionë dollarë. Gjithsesi, sipas studimit të fizibilitetit në vitin e parë, thamë 38.5, ndërsa në vitin e dytë duhet të ishin 40.2 milionë dollarë.

Në vitin e tretë, 20 milionë dollarë, në vitin e katërt 10.5 milionë dollarë, në vitin e pestë 15.6 milionë dollarë dhe në vitin e gjashtë rreth 3 milionë dollarë, që konsiderohet fondi i investimit, pra në total 128.2 milionë euro.

Sot duhet të ishte afati ku kompania koncesionare duhet të ishte në përfundim të investimit.

Por kompania ka nxjerrë justifikimet e saj, të cilat ne i kemi dëgjuar nëpërmjet përfaqësuesve në komisionin hetimor parlamentar, mbajtur dy vite më parë, ku nga administratorja e saj, Arjola Kodra, u tha se punimet ishin vonuar, jo për shkak të kompanisë, por për shkak të qeverisë, dorëzimi me vonesë i objekteve të truallit ka pasur vonesa edhe për shkak të pandemisë e të tjera si këto.

Dokumenti i dytë- Shkeljet në kontratën koncesionare, kompania

Në fakt, jemi në vitin e gjashtë. Çdo lloj vonese e bërë në 6 vite, sikur t’i marrim të mirëqena ato që ka thënë administratorja, e cila ndodhet në arrest shtëpie, pra 3 vite vonesë të bëra nga qeveria shqiptare. Duhet të ishim në vitin e tretë të investimit.

Pra, sot kompania koncesionare dhe, sipas asaj që vetëdeklaron dhe pretendon ajo, duhet të ishte në një fazë investimi, ku duhet të kishte kryer së paku, sipas të dhënave të studimit të fizibilitetit, investime në këto tri vitet e para prej rreth 100 milionë eurosh dhe rreth 28 milionë euro të tjera duhet të ishin investuar në tri vitet e tjera në vazhdim.

Sipas kontratës koncesionare, investimi prej 128 milionë eurosh duhet të ishte në përfundim, por po marrim të mirëqenë faktin e justifikimeve që ka kompania, vonesat e bëra nga qeveria shqiptare, pandemia e të tjera si këto, megjithëse në të tilla investime afatet apo bllokimet e bëra nga pandemia nuk kanë qenë kaq të shumta, por po i konsiderojmë të gjitha pretendimet e dhëna publike dhe rezulton se kompania koncesionare në 6 vite investim, duke ia falur tri vite për shkak të pandemisë apo vonesave të bëra nga qeveria shqiptare, sot duhet të kishte investuar të paktën 100 milionë euro.

Kompania pretendon se ka investuar në 6 vite më pak se 30% të totalit të vlerës së investimeve.

Sepse tri vitet e para kanë qenë tri vitet kryesore të investimit, sipas tabelës dhe studimit të fizibilitetit, që fillonin me 38.5 milionë euro, vazhdonin me 40.2 milionë euro dhe vitin e tretë 20.2 milionë euro dhe tri vitet e tjera pjesa e mbetur e investimit.

Qartazi kompania koncesionare “Geogenix”, “Integrated Energy”, nuk ka kryer investimet sipas vlerave përkatëse në kontratën koncesionare me qeverinë, nuk është respektuar asnjë afat, vlera e investuar në total të këtyre 6 viteve nuk kap as shifrën e vitit të parë të deklaruar sipas kontratës së firmosur me qeverinë shqiptare. Kompania vetë deklaron 32, në dokumentin e publikuar nga CNA, në dhjetor të 2022-shit rezulton të jetë 22 milionë dollarë, ndërkohë duhet të kishte investuar të paktën 40 milionë dollarë vitin e parë.

Sot jemi në vitin e tretë, siç e theksuam më lart, duhet të kishte investuar të paktën 100 milionë dollarë. Asnjë gjë e tillë nuk ka ndodhur. Këtë e kanë pranuar me zë dhe figurë edhe administratorja e kompanisë në komisionin hetimor, e tregojnë faktet, raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, hetimet që po bën SPAK-u, i cili, në fakt, duket se e ka marrë shumë shtruar, dhe Prokurorët e çështjes së landfillit të Tiranës.

Mesa duket duhet të lexojnë këto dokumente të publikuara nga ne për të ecur me hetimin, për të zbardhur të vërtetën e asaj që ka ndodhur me koncesionin e landfillit të Tiranës./ CNA.al

 

Lajmet e fundit nga