LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Inceneratori i Fierit detyron bashkitë që të paguajnë 12 euro/ton për mbetjet

8 Qershor 2023, 12:07, Aktualitet CNA

Inceneratori i Fierit detyron bashkitë që të paguajnë 12

Bashkitë e qarkut të Fierit i rritën sërish kostot për depozitimin e mbetjeve, pasi administratori i inceneratorit të Fierit, Faraudin Arapi, aplikoi një tarifë porte prej 12 euro/ton, ndërkohë që mali me plehra sa vjen e rritet.

Bashkitë e qarkut të Fierit do të rrisin kostot për depozitimin e mbetjeve të tyre urbane në landfillin e inceneratorit të Fierit, pasi administratori Faraudin Arapi ka vendosur që të aplikojë një tarifë porte prej 12 eurosh për ton nga 1 prilli i këtij viti.

Historia e rritjes së kostove fillon që në janar, kur gjashtë bashkitë e qarkut morën një marrëveshje të re nga kompania e sekuestruar, “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, bashkë me kushtin që nuk do të lejoheshin që t'i depozitonin mbetjet në landfill nëse nuk paguanin 12 euro ose 1400 lekë për ton.

"BIRN" mësoi se kryetarët e Bashkive të Fierit, Lushnjës dhe Roskovecit e firmosën këtë marrëveshje dhe e miratuan atë në Këshillin Bashkiak në muajin mars, ndërsa Bashkitë e Patosit dhe të Divjakës refuzuan fillimisht që ta firmosnin atë për mungesë fondesh.

Si pasojë, të dyja bashkitë iu rikthyen fushave të vjetra të plehrave, pasi inceneratori i Fierit u mbylli dyert për mospagim detyrimesh.

“Prej disa javësh Bashkia e Patosit po i depoziton mbetjet në fushën e vjetër të mbeturinave për shkak të një ngërçi instituicional,” tha për "BIRN", Artiol Hoxha, drejtor i Shërbimeve Publike për Bashkinë e Patosit.

Por kryetarja e bashkisë, Rajmonda Balilaj, i tha "BIRN" të mërkurën se situata me tarifën ishte “një keqkuptim” dhe se ata kishin rënë dakord tashmë që t'i çonin mbetjet në inceneratorin e Fierit.

Inceneratori i Fierit detyron bashkitë që të paguajnë 12

Inceneratori i Fierit dhe kompania koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” u sekuestruan në mars të vitit 2022, pasi Prokuroria e Posaçme ngriti akuza për korrupsion dhe shpërdorim detyre për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputetin socialist, Alqi Bllako si dhe biznesmenin Klodian Zoto. Gjashtëmbëdhjetë zyrtarë të tjerë ndodhen aktualisht në gjyq lidhur me akuza të ngjashme.

Pas sekuestrimit, inceneratori i Fierit administrohet nga Farudin Arapi nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Arapi i tha "BIRN" se tarifa prej 12 eurosh ishte e domosdoshme për mbarëvajtjen e punës.

“Ne bëmë llogaritjet për të vazhduar grumbullimin e mbetjeve dhe vendosëm një kosto minimale prej 12 euro për ton mbetjesh. Parashikimi në projekt për këtë tarifë është 25 euro për ton mbetjesh,” tha Arapi.

I pyetur për bllokimin e Bashkinve të Patosit dhe Divjakës, Arapi tha se ato nuk kishin paguar detyrimet.

“Ne i kemi lejuar gjithsesi këto bashki të depozitojnë mbetjet deri një muaj më parë, por tani u detyruam të mos i pranojnë më, pasi nuk kanë paguar detyrimet,” tha ai.

Inceneratori i Fierit detyron bashkitë që të paguajnë 12

Hot-spot mjedisor

Inceneratori i Fierit u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 32 milionë euro, por nuk është vënë asnjë ditë në punë dhe ende nuk djeg mbetje. Sipas administratorit Arapi, nevojiten edhe 2.8 milionë euro të tjera për ta vënë atë në punë, para që janë refuzuar të paguhen nga qeveria.

Depozitimi prej një viti e gjysmë i tonelatave të mbetjeve nga pesë bashkitë e qarkut të Fierit ka krijuar një pirg të madh plehrash të patrajtuara në këtë zonë dhe një rrezik të ri mjedisor.

“Kur e morëm në dorëzim inceneratorin, linja e diferencimit të mbetjeve nuk ishte gati. Ne pritëm një fond që ta vendosnim në punë, por nuk u miratua nga qeveria dhe bëhet vetëm depozitimi i mbetjeve,” tha Arapi.

Punëtorë të inceneratorit të Fierit i thanë "BIRN" në kushtet e anonimatit se kapaciteti i vendeve të depozitimit është drejt limitit.

“Ka mbetur edhe një parcelë bosh, të gjitha të tjerat janë të zëna. Era e keqe ndihet shumë, madje ka filluar të ndihet edhe në fshat. Banorët ankohen,” tha punonjësi.

Por ndërsa landfillet e inceneratorit të Fierit janë në emergjencë, bashkitë e qarkut janë të kënaqura që e kanë hequr hallin e mbetjeve nga duart e tyre.

“Ne kemi dërguar rregullisht mbetje në incenerator, përveç disa ndërprerjeve të shkurtra si në rastet kur punonjësit protestuan për pagat. Kemi pikën e grumbullimit pranë ish-Azotikut, ku mblidhen mbetjet e më pas dërgohen në incenerator,” tha Fatjon Elezi nga Bashkia e Fierit.

“Nuk është pjesë jona se çfarë bëhet me mbetjet, pasi i dorëzojmë ato,” përfundoi ai./ Reporter.al

Lajmet e fundit nga