LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Rasti "Ahmetaj" provon se "revolucioni" ka dështuar!

14 Korrik 2023, 12:21, Editorial Elvi FUNDO

Rasti "Ahmetaj" provon se "revolucioni" ka dështuar!

Mazhoranca sot po kërkon të presë një kokë që po e shet për mbret dhe duket se askush në radhët e mazhorancës nuk po e vret mendjen të analizojë më shumë sesa kaq.

Si fillim duhet të analizojme pak rastin “Ahmetaj”, nga këndvështrimi se si vepronte dikur Prokuroria që të gjithë biem dakord që ishte e dështuar dhe si vepron sot SPAK-u!

Dikur prokuroria i arrestonte njerëzit, pastaj gjente çfarë kishin bërë. SPAK-u ka vepruar njësoj!  SPAK-u vepron njësoj rregullisht! Dikur Prokuroria për raste identike, vepronte me standarde të ndryshme apo të kundërta.

Sot kemi një person në sallën e Kuvendit, të dënuar me burg nga gjykata, Deputetin Salianjin, që vazhdon e gjykohet në gjendje të lirë dhe sot voton për heqjen e imunitetit të Ahmetajt.

Ahmetaj është vetëm i akuzuar nga Prokuroria dhe ndaj tij po kërkohet arrest dhe kontroll banese!

Sot në Kuvend po përplasen dy standarde!

Por kujdes!

Prokuroria i ka taruar akuzat e veta pasi kontrolloi pa autorizim nga Kuvendi banesën e Ahmetajt dhe atje gjeti një celular. Ai celular i Ahmetajt është sekuestruar pa procedurë, pa autorizim nga Kuvendi, por kjo nuk i pengon yjet e PROKURORISË SË RE që të mbështesin akuzën mbi materialin e gjetur tek ai celular.

Ligji e njeh kontrollin e banesës dhe kontrollin fizik ndaj një deputeti kur ndodhet në kushtet e flagrancës. Deputeti mund edhe të arrestohet kur është në kushtet e flagrancës. (Si Çeçua do thosh Rama!)

Në cilat kushte flagrance ishte Ahmetaj kur iu kontrollua banesa?

Pse prokuroria pas rrahjes në Fushë-Krujë nuk shkoi të kontrollonte banesën e Rrahman Rrahjës? Në fund të fundit ku më mirë sesa në shtëpinë e babait mund të fshihet djali? Ku më mirë sesa në strehën me imunitet të vëllait mund të strehohet vëllai!!! Prokuroria po të pyetet për këtë neglizhencë të rëndë, pas së cilës sot kemi të paktën dy keqbërës të dhunshëm në arrati, do justifikohet se nuk hynte dot se nuk mund të hynte pa autorizim nga Kuvendi!

Ja dhe dy standarde të tjera nga e njëjta prokurori.

Ishte gjigante fjalia që avokati Visha kishte shkruar në materialin që ka dorëzuar në Kuvend.

"Ose ikën koka e mbretit, ose ju duhet të pranoni dështimin e revolucionit."

"Ose do prisni për statistikë kokën e Ahmetajt, ose ju duhet të pranoni dështimin e reformës në drejtësi."

Ky është halli që ka kapur sot deputetët e mazhorancës.

Ahmetaj duhet të arrestohet se intimidon dëshmitarët, thotë SPAK-u!

Po Salianji çfarë garancie i ka dhënë prokurorisë që nuk ka në plan të intimidojë dëshmitarët?

Ndërkohë nga liria, ka 3 vjet që shtyn seancat!

Nëse Salianji do ishte në burg, nuk do shtyheshin pa fund seancat në Gjykatë, sepse vetë i burgosuri nuk do kishte interes të zgjatej.

Ahmetaj në burg?

Shumë dakord nëse edhe Salianji do kishte marrë masë arrest me burg.

Ahmetajt, kontroll banese pa autorizim Kuvendi?

Shumë dakord nëse edhe Rrahjës do t’i ishte bërë kontroll banese në kushte flagrance.

Shqipëria është Republikë parlamentare, jo republikë e magjistratëve!

Imuniteti nuk është instrument në mbrojtje të deputetit, është instrument në mbrojtje të INSTITUCIONIT.

Nëse ky do jetë modus operandi i prokurorisë këtej e tutje, mes dopiostandardit dhe leximit sipas qejfit të standardit atëherë, opinioni publik, media dhe klasa politike duhet të reagojnë tani.

Paaftësia që tingëllon si harbutëri e me të cilën po operon banda që ka kapur apo që dirigjon prokurorinë rrezikon të kthehet në bumerang për gjithë shoqërinë.

Askush nuk e kupton se pse SPAK-u kërkoi seancë me dyer të mbyllura!

Ka vetëm 1 motiv se pse prokurorët e SPAK-ut i donin kamerat të fikura. Janë të paaftë të përballen të paktën me avokatët mbrojtës të Ahmetajt. Profesionalisht avokatët e të akuzuarit shkëlqyen edhe me dyer të mbyllura.

Reforma në drejtësi si qëllim të parë kishte rikthimin e besimit të publikut te drejtësia.

Këta SPAK-arët nëse janë ata yjet e premtuar nga drejtësia e re, jo dyer të mbyllura, por për rastin “Ahmetaj” duhet të kërkonin seancë me dyer të shqyera për publikun.

Nuk ka asgjë të fshehtë në ato materiale që SPAK-u dorëzoi zyrtarisht në Kuvend. Ato materiale nuk kanë asgjë që në vlerësim të SPAK-ut duhet të përbëjë sekret hetimor.

SPAK kishte gati përgjigjen standarde: nuk mund të përgjigjemi sepse përbën sekret hetimor.

Atëherë pse i duheshin dyert e mbyllura heronjve të drejtësisë së re?

Nuk ndodh kaq shpesh që në raste të ngjashme opinioni publik të jetë kaq i mbarsur me bindjen që Ahmetaj është hajdut!

D.m.th. SPAK-u kishte edhe opininin publik me vete!

Pse SPAK-u i donte kamerat të fikura për opinionin publik?

Opinioni publik i mbështet në betejën kundër korrupsionit.

Pse këta i fshihen publikut kur demek duan të luftojnë korrupsionin?

Duhet thënë se raporti i Arben Ahmetajt me Klodët e inceneratorëve është tejet kompromentues për pozicionin e tij.

Por SPAK-u nuk mund të udhëhiqet nga perceptimi popullor.

Duhet të kopsisë provat, jo të paketojë perceptimin me analizat gazetareske dhe në to të formulojë akuzë!

Halli i SPAK-ut është se nëse ndjek provat, djeg gjysmën e qeverisë.

SPAK-u nuk po zbaton ligjin. SPAK-u ka prishur hetimin për inceneratorët!

Dhe po sillet si pushtet arrestues duke shfrytëzuar klimën dhe duke keqpërdorur kompetencat.

Çfarë po bën SPAK-u? Po mëson dorën me Ahmetajn? Për të shkuar ku?

Si zgjedh SPAK-u për të mësuar dorën? Mësimore e SPAK-ut është Kuvendi?

Pse nuk zgjodhi të mësojë dorën me Salianjin?

Mund të mos biem dakord të gjithë nëse Rama po kontrollon SPAK-un.

Por nëse këta të SPAK-ut nuk veprojnë kryesisht nën autocensurë profesionale, atëherë është evidente që SPAK-un dikush po e kontrollon. Në rrugën që ka nisur nuk është e largët dita që SPAK-u apo banda që po kontrollon sot SPAK-un, të shtjerë në dorë shtetin, dhe nëpërmjet tij, pushtetin, vendimmarrjen, koncesionet, kontratat e tjera shtetërore, listat për deputetët etj.

Kjo është reforma që s'duhet ta pranojmë se ka dështuar?

Opozita nga ana tjetër bën propagandën e vet bajate. Derdimenë që nuk kuptojnë se pse bërtasin.

Në vend që t’i kërkojnë Ramës që t'u sqarojë shqiptarëve nëse kërkon që ta votojnë që ai të marrë sa kohë të dojë dhe kur të dojë për të shprehur talentin e vet në gjuhen shqipe, apo që të qeverisë, hallakaten mes propagandës duke trashur zërin si kapadainj.

Opinioni publik duhet sqaruar se Rama nuk mund të fshihet pa fund pas shprehjes: kush ha dardha të shkojë ku e ka vendin.

Një Kryeminister, i cili shikon që bashkëpunëtorët e tij rreshtohen njëri pas tjetrit "aty ku e kanë vendin" sepse kapen duke ngrënë dardha, ose është dardha e madhe, ose është i paaftë të qeverisë.

Opozita duhet të dërrmojë justifikimin që ngre Rama dhe jo të bëjë si e nxehur ngaqë nuk e beson.

Dhe është e thjeshtë!

Nëse bashkëpunëtorët e Ramës e marrin për lolo, pse duhet shqiptarët ta marrin për kryeministër?

Rama mund të mos ketë nën kontroll SPAK-un, por kryeministri ka në dorë dhjetëra instrumente të kontrollit administrativ për të kuptuar çfarë i ndodh përreth!

Me gjithë zhurmën për inceneratoret, Rama nuk u bë kurrë kurioz, nuk pati kurrë dyshime, nuk i lindi asnjëherë asnjë pikpyetje për asnjë nga bashkëpunëtorët e vet. Nuk dyshoi se mos ndonjëri po hante dardha!

Kryeministri ka të paktën strukturën antikorrupsion në shërbim të tij. Merr rregullisht çdo kopje të raporteve të KLSH-së.

Nuk ka asnjë kallëzim të nisur nga struktura antikorrupsion e Ramës!

Të paktën në historinë e inceneratorëve Rama është ose dorëzan ose leshko, sipas justifikimit që nxjerr.

Në çdo rast nuk është më për kryeministër dhe minimumi duhet t’u ridrejtohet sërish shqiptarëve që ta votëbesojnë përpara kohe.

Fati i Ahmetaj, me ose pa imunitet, është i kryer! Përballja me drejtësinë nuk vihet më në dyshim, është ose jo prezent Ahmetaj.

Çështja është tjetër!

SPAK-u deklaron se kapi 500.000 euro të vjedhura nga inceneratoret. Sipas SPAK-ut, janë ato që listohen si pasuri e sekuestruar ndaj Ahmetajt.

Po ia quajmë të mirëqenë SPAK-ut këto 500.000 euro.

Hajde po i shtojmë edhe ato 500 euro që SPAK-u thotë se janë harxhuar për hotel për Gjiknurin.

E pranojmë pa koment se SPAK-u i gjeti ku shkuan 500.500 euro.

SPAK-u po tallet me shqiptarët? E di SPAK-u se sa kushton afera e inceneratorëve?

Si në rastin “Koka”, edhe në rastin “Ahmetaj”, SPAK-u futi dorën në xhepin e Terit dhe shkoi mbrapsht deri tek inceneratorët.

Afera e inceneratorëve nuk fillon te xhepi i Terit apo i Benit.

Nëse SPAK-u do të donte të bënte hetim duhet që hetimi të niste nga thesi i inceneratorëve dhe të ndiqte paranë deri në xhepin e fundit.

Por SPAK-u, njëjtë si prokuroria e dikurshme që paguhej 5 herë më pak, ka zgjedhur të fusë hundët e të nuhasë vetëm në xhepa të caktuar, dhe të mos prekë e as hetojë thesin e madh.

Me logjikën e kontrollit të xhepave, pse nuk fut hundët SPAK-u edhe te xhepi i Gjiknurit, Lali Erit, edhe te xhepi i Agaçit, edhe te xhepi i Ramës, dhe i të gjithë zyrtarëve që kanë prekur qoftë edhe një herë të vetme me dorë, ndonjë letër që lidhet me inceneratorët.

Pse SPAK-u nuk heton çfarë e shtyu Lali Erin që me shpërdorim detyre të pastër të merrte kompetenca të Këshillit Bashkiak?

Pse SPAK-u nuk heton xhepat e ministrave të Financave që kanë qenë në detyrë sa herë është bërë ndryshimi i pronësisë mbi kuotat e koncesionarit?

Por SPAK-u këtë nuk e bën dot. Sepse SPAK-u do statistika, ndërsa ajo që duan shqiptarët e ka emrin Drejtësi.

Po flasim për drejtësi jo për gjetjen e një koke si kurban që të mos detyrohemi të themi publikisht "sekretin hetimor" që tashmë e dinë të gjithë: Re(forma)volucioni ka dështuar!/ CNA.al

17:15 Editorial Ardi Stefa

Urat...

Kur pret ura pa ndonjë arsye të veçantë, ndonjëherë bie në...

Lajmet e fundit nga