web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Aldor Nini, sulm ndaj CNA-së/ Shoqatat e gazetarëve reagojnë në unison: Akt censure  

1 Tetor 2024, 10:26, Acromax / Aldor Nini CNA

CNA prej gati 3 muajsh po përballet me një sulm kriminal të dirigjuar nga Aldor Nini i “Acromax”-it. Për shkak të këtij sulmi, CNA-së i janë mbyllur faqet në rrjetet sociale “TikTok”, “YouTube”, i është goditur “Instagram”-i, dhe një ditë më parë është mbyllur edhe faqja e saj në “Facebook”. (LEXO KETU)

Aldor Nini, sulm ndaj CNA-së/ Shoqatat e gazetarëve reagojnë
Aldor Nini ne gjykate

Këto sulme të paprecedenta cenojnë lirinë e medias në tërësi dhe synojnë censurimin e CNA-së, e cila është një media, që në fillesat e saj dhe deri më sot, ka pasur dhe ka në fokus të publikojë dhe denoncojë afera dhe çështje, të cilat shpesh nuk kanë gjetur pasqyrim apo janë trajtuar përciptazi në mediume të tjera, siç janë afera e inceneratorëve, dosja “5D”, ligji për Arsimin e Lartë, denoncimet për korrupsionin e qeverisë dhe deri te denoncimet për përndjekësit.

Mbyllja e faqes CNA.al në “Facebook”, e cila ndiqej nga mijëra shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve, ka sjellë një reagim të ashpër nga gazetarët dhe shoqatat e mediave në vend, të cilat dënojnë këtë sulm që i bëhet një medieje, që ka për synimin tejçimin e së vërtetës te qytetarët e thjeshtë.

Këshilli Shqiptar i Medias, me anë të një deklarate të fundit, i cilëson veprimet e Aldor Ninit të “Acromax”-it si akt censure. KSHM thekson se mbyllja e rrjeteve sociale pa një vendim gjykate përbën një shkelje të pastër të lirisë së informimit, lirisë së shprehjes dhe cenim të fjalës së lirë.

“Bllokimi i faqeve online të CNA-së, akt censure. KSHM shpreh shqetësimin e vet për sulmin e përsëritur në rrjetet sociale ndaj medias CNA.

Bllokimi i faqeve të çfarëdo medieje, qoftë në web, qoftë në rrjete sociale, mund dhe duhet të bëhet VETËM me një vendim të prerë të gjykatave shqiptare.

Nëse publikut i bllokohet aksesi, pa vendim gjykate, përveç rasteve të parashikuara me ligj, përbën një shkelje të pastër të lirisë së informimit e lirisë së shprehjes dhe cenim të fjalës së lirë. KSHM u bën thirrje platformave të rrjeteve sociale të evitojnë bllokime të mediave, dhe sidomos pa një njoftim paraprak të të prekurve”, nënvizohet në deklaratë.

Për këtë çështje ka shprehur shqetësimin edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë. AGSH dënoi sulmin online ndaj mediave CNA.al dhe për serinë e raportimeve në "Facebook" të gazetarit Elvi Fundo.

“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh shqetësimin për sulmin online ndaj mediave CNA.al dhe një seri të raportimeve në 'Facebook' të gazetarit Elvi Fundo.

Sot jemi njoftuar se faqja e CNA.al në 'Facebook' është në një seri sulmesh online, ndërkohë që të dielën është mbyllur. Të gjitha sulmet online ndaj mediave, gazetarëve dhe punonjësve të medias janë sulme për të heshtur lirinë e fjalëve. Ne kërkojmë rikthimin sa më shpejt në statusin aktiv të faqeve dhe ndalimin e menjëhershëm të raportimeve të profilit të z.Fundo, si dhe respektimin e standardeve të Bashkimit Evropian për rrjetet sociale”, thuhet në reagimin e AGSH-së.

Qëndrimit të Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë i është bashkuar edhe gazetarja Klodiana Lala, e cila ka reaguar në rrjete sociale duke theksuar se: Media nuk mund të censurohet!

Aldor Nini, sulm ndaj CNA-së/ Shoqatat e gazetarëve reagojnë

Edhe “Safe Journalists” kundërshton me forcë sulmet e përsëritura ndaj CNA-së dhe serinë e raportimeve në “Facebook” të gazetarit Elvi Fundo.

“Safe Journalist Albania i bashkohet shqetësimit të kolegëve të Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë AGSH mbi sulmin online ndaj medias CNA.al dhe një seri të raportimeve në ‘Facebook’ të gazetarit Elvi Fundo”, nënvizohet në deklaratë.

Aldor Nini, sulm ndaj CNA-së/ Shoqatat e gazetarëve reagojnë

Gazetari Klodian Tomorri deklaron se këto sulme janë shqetësuese, ndërsa thekson se nuk është rasti i parë që ndodh.

“Portalit CNA raportohet se i kanë mbyllur faqen në ‘Facebook’. Kjo histori po bëhet një shqetësim shumë i madh se nuk është rasti i parë.

Këtu ka ndodhur një deformim i madh. Autoritetin për të kufizuar ose jo një media duhet ta ketë vetëm gjykata, pas një procesi të ligjshëm. Madje në vendet si Shqipëria edhe gjykata përbën rrezik.

Nuk mund ta kenë palë të treta fuqine për të mbyllur media. Privat jo e jo, por as institucione publike përtej gjykatës. Është turp i madh ky dhe do një rregullim ligjor”, nënvizon Klodian Tomorri.

Aldor Nini, sulm ndaj CNA-së/ Shoqatat e gazetarëve reagojnë

 

Për sulmet ndaj CNA-së ka reaguar edhe deputetja dhe Kryetarja e Komisionit të Medias, Ina Zhupa.

Ajo dënon ashpër sulmet e Aldor Ninit dhe të “Acromax”-it, ndërsa thekson se mbyllja e faqeve të CNA-së është një metodë censure, duke qenë një media që ka denoncuar gjithmonë aferat dhe korrupsionin e qeverisë dhe të Bashkisë Tiranë.

“Si kryetare e komisionit të medias dënoj ashpërsisht sulmet dixhitale ndaj medias Cna.al

Një nga metodat e reja të censurës së mediave në Shqipëri është raportimi dhe bllokimi i faqeve nga patronazhistët e agjencive qeveritare që bëjnë report lajme që nuk ju përshtaten propagandës.

CNA është një media që nuk i shkon përshtat qeverisë dhe Bashkisë të Tiranës nga denoncimet e shumta.

Sulmi ndaj medias është pjesë e aksioneve qeveritare për të minuar lirinë e shprehjes”, thekson Zhupa.

Aldor Nini, sulm ndaj CNA-së/ Shoqatat e gazetarëve reagojnë

Më herët, e konkretisht në 23 gusht të këtij viti, ka ardhur edhe një reagim nga Ambasada Gjermane në Shqipëri.

Administratori dhe kryeredaktori i CNA-së, Xhovan Shyti, i është drejtuar Ambasadës Gjermane në Shqipëri në lidhje me sulmet e vazhdueshme që i janë bërë medias.

Në përgjigje, zëvendësshefi i Misionit të Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë, Tiranë, Thilo Schroeter, ka thënë për CNA-në se refuzojnë çdo përpjekje për të keqpërdorur mekanizmat ligjorë, duke përfshirë pretendimet për abuzim të së drejtës së autorit, për të frikësuar gazetarët ose organizatat mediatike.

Ambasada gjermane thekson se liria e shtypit është një bazë thelbësore për një demokraci funksionale.

“Më lejoni të theksoj se si çështje politike, ne refuzojmë çdo përpjekje për të keqpërdorur mekanizmat ligjorë, duke përfshirë pretendimet për abuzim të së drejtës së autorit, për të frikësuar gazetarët ose organizatat mediatike. Liria e shtypit është një bazë thelbësore për një demokraci funksionale”, thuhet në përgjigjen e ambasadës gjermane.

CNA prej tre muajsh ndodhet përballë një sulmi kriminal, nga një individ që është akuzuar për përndjekje. CNA u ka shkruar disa organizatave ndërkombëtare të medias, gjithashtu edhe kompanive të rrjeteve sociale. Po ashtu janë njoftuar sërish të gjitha organizatat ndërkombëtare të medias dhe gjithashtu edhe platformat e rrjeteve sociale për abuzimet e Aldor Ninit dhe hakmarrjet e tij personale, i cili abuzon me aksesin e platformave dhe i keqpërdor për interesat e tij personale.

Ashtu siç e kemi njoftuar më parë, studiot tona ligjore do të hapin proceset ndaj “Acromax”-it në Shqipëri dhe jashtë saj. Organizatat ndërkombëtare të gazetarëve dhe asistencat e tyre ligjore po vëzhgojnë situatën dhe po raportojnë në lidhje me këtë sulm kriminal ndaj CNA-së.

CNA premton se do të vijojë betejën në të gjitha frontet, me synimin final për të sjellë të vërtetën pa censurë te qytetari./ CNA

 





Lajmet e fundit nga