web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Orkestra e Filarmonisë së Kosovës/ Koncert për herë të parë në Korçë

17 Maj 2026, 12:55, Qyteti im CNA

Korça mirëpriti për herë të parë Orkestrën e Filarmonisë së Kosovës në një koncert të veçantë artistik, i cili solli në skenë jo vetëm muzikën klasike dhe bashkëkohore shqiptare, por edhe emocione të forta bashkimi kulturor mes Shqipërisë dhe Kosovës. Në teatrin Andon Zako Çajupi, publiku korçar ndoqi një mbrëmje të mbushur me interpretime nga kompozitorë shqiptarë e kosovarë, nën dirigjimin e maestro Baki Jashari dhe me soliste violinisten e njohur Sihana Badivuku.

Programi artistik përfshiu vepra të Giuseppe Verdit, Rexho Mulliqit, Fahri Beqirit, Hajrulla Sylës dhe Valton Beqirit, ndërsa një moment mjaft emocionues ishte interpretimi i serenatës korçare në një version orkestral të realizuar nga Gridi Kraja.  Dirigjenti i koncertit, Baki Jashari, u shpreh se ardhja në Korçë ishte një emocion i veçantë jo vetëm për të, por për të gjithë artistët e Filarmonisë së Kosovës, pasi shumica prej tyre vizitonin qytetin për herë të parë.

“Po shikoni shumica e anëtarëve të Filharmonisë së Kosovës që ishin sonte këtu janë për herë të parë në Korçë. Edhe unë jam për herë të parë në Korçë. Isha shumë i emocionuar ta vizitojmë këtë qytet madhështor, historik, siç e dimë të gjithë. Dhe së bashku me të tjerët ndava një emocion krenarie që jemi këtu”, u shpreh Jashari.

Jashari tha se artistët kishin dëgjuar për traditën kulturore të Korçës dhe për publikun artdashës të qytetit, çka sipas tij krijoi edhe emocionet e para para koncertit.

“Kemi dëgjuar që natyrisht tradita ka bërë të veten, që edhe tani sot e kësaj dite në Korçë ka një traditë përcjellëse të rregullt të evenimenteve muzikore, teatrale e kështu me radhë. Madje kur u nisëm nga Prishtina kemi pasur një stres të vogël, pasi e dinim që po vijmë në një qytet kulturor, një qytet që ka publik që di të vlerësojë muzikën”, tha ai.

Dirigjenti tregoi gjithashtu emocionet personale gjatë udhëtimit drejt Korçës, duke kujtuar librat dhe rrëfimet që kishte lexuar për këtë qytet dhe për rajonin juglindor të Shqipërisë.

“Ju e dini, kosovarët për Shqipërinë gjithmonë e kemi pasur ëndërr. Unë kam lexuar romane, libra të ndryshëm edhe për Korçën, Pogradecin, këtë rajon këtu. Dhe duke ardhur me autobus, i shikonim ato mrekulli gjatë rrugës, atë natyrë të mrekullueshme, liqenin afër dhe natyrisht pamë pak edhe brenda Korçës. Ishin krejt emocione, mu rikthye fëmijëria”, u shpreh dirigjenti.

Ai theksoi se repertori ishte ndërtuar enkas për publikun korçar, me fokus të veçantë tek krijimtaria shqiptare dhe kosovare.

“Siç e vërejtët, përveç veprës së parë që ishte më tepër si hyrje në frymën evropiane në fillim, të gjitha veprat e tjera praktikisht ishin shqiptare. Deshëm të tregojmë se kush do t’i interpretojë në fund të fundit këto vepra nëse ne jo”, tha ai.

Nga ana tjetër, drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, e cilësoi koncertin si një moment të rëndësishëm për lidhjen artistike mes Korçës dhe Prishtinës.

“Tani për ne është absolutisht nder i veçantë që të vijmë në Korçë. Në Shqipëri kemi qenë natyrisht në shumë raste, por jo në Korçë. Për mua është hera e dytë që vij në Korçë. Herën e parë kam qenë si turist, edhe mirë që kthehem tani bashkë me Orkestrën e Filarmonisë së Kosovës”, u shpreh Selimaj.

Selimaj tha se repertori i zgjedhur synonte të sillte për publikun korçar një panoramë të muzikës shqiptare në Kosovë. Një nga pjesët më të vlerësuara të koncertit ishte interpretimi i serenatës korçare në një version të ri orkestral.

“Janë vepra kryesisht të kompozitorëve të Kosovës, që shpërfaqin ndoshta atë që përmban repertori i muzikës shqiptare në Kosovë. Patëm kënaqësinë që të sjellim në një version tjetër një prej këngëve më të bukura korçare, që këtë herë e kemi sjellë duke e porositur Gridi Krajën, që është një nga orkestruesit më të shquar të shqiptarëve, që ta sjellë në një frymë tjetër”, tha ai.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës paralajmëroi se ky koncert është vetëm fillimi i një bashkëpunimi më të gjerë mes dy institucioneve artistike.

“Ky është një koncert i cili do të jetë shenja e parë e një vazhdimësie që besoj të vazhdojë edhe të lidhë qytetin e Korçës me atë të Prishtinës. Ne do të presim Orkestrën e Korçës në Prishtinë në nëntor të këtij viti”, shtoi më tej.

Emocionet e publikut korçar i ndjeu nga afër edhe violinistja soliste, Sihana Badivuku, e cila vlerësoi traditën muzikore të qytetit. Ajo tregoi se ka bashkëpunime të vazhdueshme me artistë korçarë në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, ndërsa theksoi energjinë që publiku përcolli gjatë koncertit.

“Korça ka traditë shumë të lartë, është popull shumë muzikor dhe serenatat korçare i adhurojmë. Ne artistët në skenë e ndjejmë atë energjinë pozitive të publikut. Publiku e bëri atë atmosferë edhe më plot magji, është një energji e ndërsjellë”, tha Badivuku.

Ndërkohë klarinetisti Shkumbin Bajraktari e konsideroi koncertin si një urë lidhëse për bashkëpunimet e ardhshme mes dy institucioneve kulturore. Ai nënvizoi se koncerti kishte si fokus kryesor promovimin e muzikës shqiptare dhe kosovare.

“Desha ta falënderoj edhe Blertën, drejtoreshën e Kulturës që e bëri të mundur këtë koncert. Në një mënyrë unë kam qenë një urë lidhëse mes drejtorit të Filarmonisë dhe Blertës që të realizohet ky koncert. Sot janë luajtur vepra kryesisht të kompozitorëve shqiptarë. Këto vepra kanë qenë shumë domethënëse edhe për neve edhe për publikun korçar, për arsye se të paktën t’i shpalosim vlerat tona kosovare edhe këtu në Korçë”, tha Bajraktari.

Mbrëmja artistike u mbyll mes duartrokitjeve të gjata të publikut korçar, duke lënë pas jo vetëm një koncert të suksesshëm, por edhe premtimin për bashkëpunime të reja kulturore mes Korçës dhe Prishtinës në vitet e ardhshme. /CNA





Lajmet e fundit nga