web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ilir Xhakolli tregon Pogradecin/ Në perlat e qytetit liqenor

2 Maj 2026, 17:06, Qyteti im CNA

Qyteti i Pogradecit vijon të mbetet një ndër destinacionet më të preferuara për turistët vendas dhe të huaj, duke u shndërruar çdo vit në një pikë të rëndësishme referimi për pushime të qeta dhe përvoja të veçanta. Kjo jo pa arsye. Qetësia që ofron, pastërtia e admirueshme, mikpritja karakteristike e zonës, si dhe panorama e rrallë që krijon Liqeni i Ohrit, e bëjnë Pogradecin një destinacion ideal për këdo që kërkon të shkëputet nga rutina e përditshme.

Ilir Xhakolli tregon Pogradecin/ Në perlat e qytetit liqenor
Drilon, Pogradec

Ajri i pastër, natyra e mrekullueshme dhe hapësirat e shumta çlodhëse janë elementë që e dallojnë këtë qytet, ndërsa ndërthurja e tyre me atraksionet turistike, shëtitoren buzë liqenit, zonat e gjelbra dhe fshatrat përreth krijojnë një ofertë të plotë për vizitorët. Nga turizmi familjar tek ai kulturor e natyror, Pogradeci vazhdon të tërheqë gjithnjë e më shumë vizitorë gjatë gjithë vitit.

Në këtë speciale, CNA TV sjell një intervistë me kryetarin e bashkisë, Ilir Xhakolli, i cili flet gjerësisht për qytetin që ai drejton, për transformimet që ka pësuar vitet e fundit dhe për investimet më të rëndësishme të realizuara si në brendësi të qytetit, ashtu edhe në disa nga zonat më të frekuentuara turistike. Ai ndalet gjithashtu tek projektet në zhvillim, përmirësimi i infrastrukturës, rritja e cilësisë së shërbimeve dhe synimi për ta bërë Pogradecin një destinacion gjithnjë e më konkurrues në hartën turistike shqiptare dhe më gjerë.

Ilir Xhakolli tregon Pogradecin/ Në perlat e qytetit liqenor
Rruga Naim Frashëri, Pogradec

Intervistën e nisim pikërisht në zemër të Pogradecit, në qendër të tij, aty ku po merr formë një nga investimet më të rëndësishme që synon të rikthejë identitetin historik dhe kulturor të zonës.

Ilir Xhakolli tregon Pogradecin/ Në perlat e qytetit liqenor

 

“Në fakt, po ta shikoni këtu, kjo është rruga e vjetër që ka qenë dhe ne po mundohemi që ta rikthejmë në gjendjen fillestare, ndoshta edhe më mirë se ç’ishte sepse shumica e qytetarëve shqiptarë apo të huaj nuk e dinë që Pogradeci ka një lagje të vjetër. Do shikoni një lagje shumë të bukur, e cila do të vazhdojë jo vetëm këtu por edhe në pjesën tjetër të Toplecit që ka qenë edhe qendra e qytetit. Nga ana tjetër kemi Pallatin e Kulturës që është gati për t’u investuar, për t’u restauruar e për t’u kthyer bashkë me kinemanë verore, me të gjitha sallat dhe ambientet, edhe njëherë siç ka qenë, ndoshta dhe më e bukur se ç’ishte”, tha Xhakolli.

 

Ky investim synon jo vetëm rikualifikimin urban, por edhe rikthimin e vlerave historike të qytetit, duke e kthyer zonën në një pikë të rëndësishme atraksioni për vizitorët vendas dhe të huaj.

Pogradeci gjatë sezonit, por jo vetëm, ne kemi një kalendar të ngjeshur me rreth 100 aktivitete gjatë një viti, por të përqendruara më tepër gjatë sezonit. Sigurisht që ky Pallat Kulture i mirëpret dhe këtu zhvillohet shumica e këtyre aktiviteteve, po ashtu edhe në ambientet e Odeonit si një ambient i shkëlqyer për evente në Pogradec. Tani jemi përqendruar edhe me Drilonin, që edhe aty mund të vazhdojmë të bëjmë aktivitete të ndryshme, patjetër edhe në këto lagje që po përfundojmë investimin”, u shpreh Xhakolli për CNA.

 

Me një kalendar të pasur aktivitetesh dhe hapësira të reja kulturore, qyteti synon të jetë aktiv gjatë gjithë vitit, duke tërhequr vizitorë përtej sezonit veror.

Ilir Xhakolli tregon Pogradecin/ Në perlat e qytetit liqenor
Pallati i Kulturës, Pogradec

Nuk është se janë të njohur, zakonisht nuk e dinë që ka patur qytet tjetër dhe po mundohemi që qytetin e vjetër ta ruajmë, ta restaurojmë, të mos preket pra të jetë në gjendjen fillestare siç ka qenë, mos të ndërhyjmë me godina të larta. Ndërkohë që ne do t’i bëjmë një promovim të madh kësaj lagjeje. Edhe në lagjen Toplec ne po mundohemi që së bashku me Ministrinë e Kulturës edhe me familjarët ta kthejmë në shtëpi muze edhe shtëpinë e Lasgush Poradecit, edhe të Mitrush Kutelit, edhe shkollën e dytë shqipe. Këto do futen në pikat guidë që do të ketë Pogradeci për të gjithë turistët vendas por edhe të huaj”, tha krybashkiaku i Pogradecit.

 

Ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe promovimi i figurave të njohura të letërsisë shqiptare mbeten një tjetër fokus i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit kulturor në qytet.

 

Ne zakonisht e çelim sezonin turistik në ditën e liqenit që është data 21 qershor, por për shkak se edhe moti ka marrë për mbarë, ne do ta bëjmë çeljen në datën 6 qershor. Do inaugurojmë këtë rrugë dhe atë ditë do të sjellim finalen e eventit Miss Albania dhe misset do vijnë ta inaugurojnë këtë rrugë. Patjetër që ky është një promovim i mirë për Pogradecin por edhe për këto punë të bukura që po bëjmë”, u shpreh Xhakolli.

 

Me këtë çelje të parakohshme të sezonit turistik dhe evente të rëndësishme promovuese, Pogradeci synon të tërheqë edhe më shumë vizitorë dhe të forcojë imazhin e tij si një nga destinacionet më të dashura në vend.

Puna për mirëmbajtjen dhe pastrimin e Liqenit të Ohrit mbetet një ndër sfidat dhe angazhimet më të përditshme të Bashkisë së Pogradecit. Si një nga asetet më të rëndësishme natyrore dhe turistike të zonës, liqeni kërkon kujdes të vazhdueshëm, sidomos në periudhat kur kushtet atmosferike sjellin mbetje dhe alga në breg, duke e bërë pastrimin një proces të pandërprerë.

Ilir Xhakolli tregon Pogradecin/ Në perlat e qytetit liqenor
Pastrimi i liqenit

Përveç rëndësisë për turizmin, ruajtja e pastërtisë së liqenit lidhet drejtpërdrejt edhe me cilësinë e jetesës së banorëve dhe imazhin që qyteti përcjell tek vizitorët.

 

Liqeni, siç e shikoni, sa herë fryn një erë apo bie shi, mbushet në këtë mënyrë dhe kjo është një punë e përditshme. Para disa kohësh e patëm një problem, sepse nuk e ka më operatori privat që pastron bregun e liqenit. Kemi krijuar një brigadë prej 10 personash dhe një teknik që e bën këtë punë çdo ditë. Çdo ditë ne përshkojmë gjithë bregun, pastrojmë të gjitha mbeturinat dhe algat që nxjerr vetë liqeni. Presim edhe një makineri që e kemi fituar nga thirrjet e Bashkimit Europian, që shumë shpejt, për 2-3 muaj ndoshta vjen, e cila mbledh pisllëqet edhe në liqen por edhe në rërë dhe do na japë një dorë tjetër. Ky që po bëjmë tani është një shpenzim i madh, përveç punëtorëve që lodhen në këtë mënyrë, por edhe transporti i mbetjeve deri në landfill-in në Maliq na kushton goxha sepse janë tonelata që dalin në vit. Me një kompani kanadeze po mundohemi që atje ku kemi përpunimin e ujërave të ndotura të vendosim një makineri që i djeg këto në mënyrë të brendshme dhe i kthen në energji ose naftë. Shumë shpejt mund ta përfundojmë këtë projekt dhe në këtë mënyrë edhe liqenin do ta mbajmë më të pastër edhe koston do ta kemi më të ulët”, tha kryetari i Bashkisë Pogradec.

 

Pas një shëtitjeje në qytetin e Pogradecit, vendosëm që së bashku me kryetarin e bashkisë të ndaleshim në Drilon, një prej perlave turistike të zonës, ku natyra, uji dhe qetësia krijojnë një atmosferë të veçantë për çdo vizitor.

 

Ne pogradecarët kemi një shprehje që këtu vdes nga rehati. Në fakt, u bë një investim i rëndësishëm nga tre institucione financiare: Fondi Shqiptaro-Amerikan, Fondi Shqiptar dhe Banka Botërore, rreth 22 milion euro. Këtu në Drilon kishte rreth 70 vite që nuk ishte ndërhyrë. Morëm një iniciativë dhe një projekt shumë ambicioz, i cili vazhdon deri në Gurras, meqenëse Gurrasi dhe Tushemishti janë në projektin e 100 fshatrave. Për t’i dhënë zhvillim edhe asaj zone, projekti u shtri edhe në Gurras dhe Tushemisht, pra i gjithë ky pellg kushtoi 22 milion euro dhe kjo është faza e parë. Kemi akoma fazë tjetër sepse duhet të gjejmë mënyrën si do t’i ndihmojmë bizneset që janë në Tushemisht, për shkak se shëtitorja është pedonale dhe nuk do të lejohen më makinat. U vijnë në ndihmë dy parkime të mëdha që janë bërë këtu, ku do të ketë edhe mjete për t’i çuar qytetarët tek hoteli apo restoranti i tyre. Gjithsesi, pas lokaleve që janë në Tushemisht, po bëhen dy-tre projekte nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në mënyrë që makinat për bizneset që kanë parkime të shkojnë në ambientet e tyre. Do të mundohemi që autobusët t’i lejojmë me orar që t’i çojnë turistët atje ku kanë nevojë. Ka patur vështirësi. Vjet patëm probleme me bizneset që operojnë për shkak të rrugës, por sivjet besoj se do të jemi gati për këtë sezon”, u shpreh Xhakolli për CNA.

Ilir Xhakolli tregon Pogradecin/ Në perlat e qytetit liqenor

 

“Unë tamam nuk e di se sa kushton një xhiro me këto varka, por besoj se është 2500 lekë (të reja) për 30 minuta. Besoj se ky është vendi më i bukur në Shqipëri dhe këtë nuk e them unë, por e thonë të gjithë. Këto varka janë elektrike, në pajtim me ambientin dhe mjedisin. Janë rreth 6 varka të tilla që kanë ardhur nga Fondi Amerikan; do të vijnë edhe të tjera, por kjo është faza e parë. Fondi Amerikan ka në projekt që brenda këtij viti do të konsumojë rreth 1 milion euro të tjera për ta pasuruar akoma më shumë këtë peizazh të mrekullueshëm që është Driloni”, shprehet Xhakolli.

 

Ilir Xhakolli tregon Pogradecin/ Në perlat e qytetit liqenor
Drilon, Pogradec

Tradita në Pogradec është gati e njëjtë, kanë atë lakrorin e mrekullueshëm që e bëjnë gati njëlloj si rajoni i Korçës. Peshku patjetër që është pjata më kryesore, me qepë sipas traditës, por edhe në mënyra të ndryshme. Ka edhe shumë prodhime të amvisave, të zonjave që janë në këtë zonë, sidomos në Tushemisht. Ka shumëllojshmëri gatimesh të mrekullueshme, por kryesorja është çmimi që ofrohet. Kanë mbetur po të njëjtat çmime për vite me radhë dhe kjo është një nga ato ofertat që u bëjmë ne turistëve për ta vizituar Pogradecin”, tha kryebashkiaku i Pogradecit.

 

Kështu, ndërthurja e natyrës, investimeve dhe traditës e kthen këtë zonë në një destinacion të plotë, ku çdo vizitor mund të gjejë një eksperiencë autentike dhe të paharrueshme.

Krahas qytetit të Pogradecit dhe fshatit Drilon, që ndodhen shumë pranë njëri-tjetrit dhe përbëjnë dy nga pikat më të vizituara të zonës, nuk mund të linim pa vizituar edhe fshatin e mrekullueshëm të Linit. Edhe pse ndodhet rreth 20 kilometra larg qytetit, Lini nuk e ka ndjerë kurrë mungesën e turistëve, përkundrazi, vit pas viti është kthyer në një destinacion të preferuar, sidomos për vizitorët e huaj që e konsiderojnë një ndalesë të detyrueshme në itinerarin e tyre.

Ilir Xhakolli tregon Pogradecin/ Në perlat e qytetit liqenor
Fshati Lin, Pogradec

Sapo futemi në fshat, vihet re menjëherë lëvizja dhe puna që po bëhet për investimet e reja, një tjetër projekt që synon t’i japë më shumë zhvillim kësaj zone të veçantë buzë liqenit. Për më shumë detaje mbi këto ndërhyrje dhe perspektivën e zhvillimit, flet vetë kryetari i bashkisë gjatë bisedës me ne.

Ilir Xhakolli tregon Pogradecin/ Në perlat e qytetit liqenor

 

Kohët e fundit këtu janë shtuar shumë bujtina. Këto investime janë të vonuara për Lini. Lini është një fshat perlë në të gjithë Shqipërinë, gjithë shqiptarët Linin e kanë në zemër. Ne kemi filluar me ujin e pijshëm që ishte problem, e kemi mbyllur atë histori. Jemi në proces për ujërat e ndotura, ndërkohë që me përfundimin e këtij projekti, besoj për Linin të paktën, sepse kjo po bëhet për të gjithë Njësinë Administrative të Udënishtit, Lini duhet të mbyllet që të kapet sezoni turistik. Pas sezonit turistik, ne kemi një projekt tjetër të rëndësishëm në bashkëpunim me Fondin shqiptaro-amerikan, me të cilët kemi bërë një marrëveshje. Besoj që shumë shpejt do të nisë projekti, meqenëse Lini është në programin e 100 fshatrave dhe do të kthehet në një fshat perlë. Lini do të jetë kështu siç është, por mendoj që ka nevojë për ndërhyrje në infrastrukturë, nëpër godina. Unë pak a shumë e kam idenë e projektit se si do të jetë dhe me përfundimin e tij fshati Lin bëhet i mrekullueshëm”, shprehet Xhakolli.

 

Me thënë të drejtën, banorët këtu më shumë merren me bujqësi, janë marrë edhe me blegtori, dje, tani më shumë me turizëm. Ne si bashki po fokusohemi këtu me investime që edhe për njerëzit të jetë fshati më atraktiv, por edhe banorët të kenë mundësi të rrisin ekonominë e tyre. Ne kaluam bashkë në fshat dhe vutë re që, pavarësisht pjesa më e madhe është me gurë, disa kanë ndërhyrë me tulla dhe me suva dhe besoj që projekti që sapo përmenda do t’i përfshijë edhe këto dhe ta kthejë në një fshat me gurë dhe me dru, siç ka qenë dikur”, tha Xhakolli.

 

Duke folur për turizmin në Lin, Xhakolli tha se banorët janë shumë të përkushtuar ndaj turizmit si të gjithë pogradecarët.

“Në fakt këtu ka nevojë për shumë shtretër sepse këtu vijnë vetëm të huaj. Banorët e Linit që merren me turizëm nuk është se e japin për shqiptarët, sepse janë të rezervuara të gjitha nga të huajt. Ata janë shumë të mrekulluar nga kjo pamje, edhe banorët që merren me turizëm janë shumë të përkushtuar ndaj tyre, siç janë të gjithë pogradecarët. Turistët janë shumë të kënaqur dhe po ta shihni në mesazhet që ata shkruajnë, bujtinat në Lin janë më të mirat në Republikë”, thotë Xhakolli.

 

Nga qendra e Pogradecit, tek brigjet e Liqenit të Ohrit, në Drilon dhe deri në Lini, ky reportazh solli një panoramë të plotë të një prej zonave më të veçanta turistike të Shqipërisë. Investimet që po realizohen, kujdesi për mjedisin, zhvillimi i infrastrukturës dhe promovimi i trashëgimisë kulturore tregojnë një drejtim të qartë zhvillimi. Në këtë rrugëtim, Ilir Xhakolli thekson se vizioni mbetet i qartë: ruajtja e identitetit, ndërthurja me zhvillimin dhe krijimi i kushteve sa më të mira për banorët dhe vizitorët.

Ilir Xhakolli tregon Pogradecin/ Në perlat e qytetit liqenor

Një Pogradec që nuk ndryshon vetëm në pamje, por edhe në standard, duke u kthyer në një destinacion gjithnjë e më të kërkuar gjatë gjithë vitit. Dhe ndërsa dita mbyllet mbi liqen, mbetet e qartë se kjo është një zonë që nuk ofron vetëm peizazh, por një eksperiencë të plotë, natyrë, kulturë dhe mikpritje që e bëjnë Pogradecin dhe zonat përreth një prej perlave më të çmuara të turizmit shqiptar./CNA





Lajmet e fundit nga