web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

“Dritat dhe Hijet” sjellin emocione artistike në Korçë

22 Mars 2026, 10:48, Qyteti im CNA

Në ambientet e Teatrit "Andon Zako Çajupi" në Korçë u mbajt mbrëmjen e 21 marsit koncerti “Dritat dhe Hijet”, një aktivitet që solli për publikun një ndërthurje të muzikës klasike dhe asaj moderne. Katër artistë të rinj, Nikola Kondakçi, Sonja Hoxhallari, Flobens Zyma dhe Ejona Nako, interpretuan në skenë një repertor të pasur, duke nisur nga kuarteti i njohur i Franz Schubert e deri tek një homazh për grupin legjendar Queen. Publiku korçar e mirëpriti këtë mbrëmje artistike, e cila kërkon një nivel të lartë bashkëpunimi dhe ndjeshmërie mes instrumentistëve.

Vetë artistët e konsiderojnë këtë koncert si një sfidë, për shkak të kompleksitetit të veprave dhe formacionit të kuartetit, që kërkon një harmoni të plotë mes interpretuesve. Nikola Kondakçi, artisti korçar i cili luan në violinë, tregon se koncerti i zhvilluar ishte një risi dhe sfidë më vete, ndërsa rikthimi në skenën e vendlindjes mban emocione të forta për të.

“U munduam të sillnim një risi, sepse për këtë formacion të sjellësh këto vepra është shumë e vështirë, pasi kërkojnë një fuzion shumë të madh. Është një sfidë. Shpresoj që çdo gjë të ketë shkuar mirë. I përfshijmë të gjitha, çdo gjë që përmban muzika. Është një nga kuartetet më të bukura dhe ndoshta më i vështiri i shkruar ndonjëherë. Të luash në vendlindje është skena më e vështirë. Publiku, ndoshta me kalimin e kohës, do të jetë akoma edhe më i mirë, por i mirë është sidoqoftë", është shprehur Nikola Kondakçi. 

Përtej vështirësive teknike, koncerti solli edhe një frymë bashkëpunimi dhe miqësie mes artistëve, të cilët për herë të parë u ngjitën së bashku në skenë si një kuartet i plotë. Ejona Nako, artistja e cila luan në violonçel, tregon se për të është jera e parë që luan me kolegët e saj në një kuartet në qytetin e Korçës, ndërsa shprehet e kënaqur për mikpritjen e publikut korçar.

“Ishte një mbrëmje shumë emocionuese, me një repertor shumë të veçantë. Ne njihemi prej kohësh; është hera e parë që luajmë bashkë të katërt. Është një kënaqësi shumë e madhe për të katërt, besoj. Kur ndihesh mirë si nga ana miqësore, ashtu edhe nga ana profesionale, është shumë e lehtë për t’u bashkuar. Më parë kemi interpretuar veç e veç, ndërsa kësaj radhe ishim të katërt si kuartet. Unë në Korçë kam qenë dy-tri herë në formacione të ndryshme dhe jam kënaqur shumë”, tha Ejona Nako. 

Koncerti “Dritat dhe Hijet” vjen si një tjetër përpjekje për të pasuruar jetën kulturore në Korçë, duke sjellë për publikun jo vetëm repertor të zgjedhur, por edhe emocione të veçanta artistike. Mbrëmje si kjo dëshmojnë se Korça vijon të mbetet një nga qendrat më të rëndësishme të artit në vend, ku talenti i artistëve të rinj dhe repertorët cilësorë gjejnë gjithmonë një publik vlerësues. /CNA





Lajmet e fundit nga