web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

"Një pistë, një ëndërr"/ Si po zhvillohet motocross-i në fshatin Polenë të Korçës

21 Prill 2026, 10:09, Qyteti im CNA

Sportet ekstreme në Korçë duket se po njohin një zhvillim të ri, duke tërhequr gjithnjë e më shumë të rinj dhe të apasionuar pas adrenalinës. Motocross-i, një nga disiplinat më sfiduese, po fiton terren falë iniciativave private dhe pasionit të një grupi të rinjsh, të cilët kanë ndërtuar një pistë në zonën e Polenës.

Ky sport, që kërkon aftësi, përkushtim dhe investim, po shndërrohet në një alternativë për të rinjtë, në një kohë kur shumë prej tyre zgjedhin të largohen nga vendi. Për disa, është më shumë se një hobi, është një mënyrë jetese.

I lidhur me motorët që në fëmijëri dhe me një ëndërr të kahershme për të ndërtuar një pistë, Dhimitraq Kolevica është një nga nismëtarët kryesorë të këtij projekti në Polenë. Ai rrëfen se rrugëtimi nuk ka qenë i lehtë, për shkak të kostove dhe sfidave që mbart ky sport, por pasioni ka qenë më i fortë. Për të, motocross-i nuk është vetëm adrenalinë, por edhe një mënyrë për t’u dhënë të rinjve një alternativë në vendin e tyre, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin e zonës.

 

Është një pasion që ka nisur që i vogël, që fëmijë, me motorët që ishin atë kohë të vjetër. Në një moment në vitin 2010 kam marrë motocross për herë të parë dhe ëndrra ime më e madhe ishte të bënim një pistë për të bërë manovrat që bëjmë sot. E thjeshtë nuk ka qenë, sepse çdo gjë ka kosto, motorët duan mirëmbajtje, por pasioni nuk na ka ndalur. Në grupin tonë janë afërsisht 10 persona. Këtë pistë e kemi nisur vetëm me 3 persona dhe kemi arritur në 10 tashmë. Në një moment që të gjithë të rinjtë po ikin nga Shqipëria, unë si pak patriot që jam, mundohem që të krijoj gjëra që të rinjtë të argëtohen”, shprehet Kolevica.

 

Kolevica tregon se motorin e parë e ka blerë në vitin 2003 dhe prej atij viti, ai nuk është ndarë kurrë nga ky sport, ndonëse herë pas here është përballur edhe me “aksidente” të vogla.

 

Unë që në vitin 2003 kam marrë motor, tip ‘off road’ për jashtë rruge. Që atëherë e ushtroj, pothuajse çdo fundjavë sepse është një sport që të fal shumë adrenalinë e kënaqësi. Normalisht, edhe aksidente të vogla kemi bërë, por pa pasoja. Ky është sport që hyn në kategorinë e sporteve ekstreme, do kujdes. Gjithmonë duhet të jesh i mbrojtur me kaskë, me veshjet e duhura”, thotë Dhimitraq Kolevica.

 

Ajo që thekson më së shumti Kolevica është fakti se përballen me mungesë promovimi, që lidhet ngushtë edhe me bukuritë natyrore të zonës, por edhe me vetë këtë sport që këta të rinj ushtrojnë. Ndër të tjera, ëndrra e vetme që Dhimitraqi ka, është t’ua trashëgojë këtë pasion fëmijëve të tij në të ardhmen.

 

Kemi nevojë për promovim sepse është një zonë që ka shumë nevojë, është një zonë e lënë pas dore. Këtë pistë mund ta kishim bërë edhe në ndonjë fshat tjetër, por jam patriot për fshatin Polenë dhe duam, me sa mundemi, ta zhvillojmë këtë zonë. Them se është një bukuri natyrore dhe ua sugjerojmë të gjithëve. Ëndrra ime më e madhe ajo është, të lë një trashëgimtar, të ketë pasion motorin, makinat. Më pëlqen shumë kjo gjë”, shprehet ai.

 

Nga Italia në Korçë, Mauro Castignani sjell me vete një histori të gjatë me motocross-in, që nis që në adoleshencë dhe vazhdon edhe sot, ndonëse tashmë në një tjetër ritëm. Ish-pjesëmarrës në gara dhe fitues trofesh në vendlindje, ai tregon se ky sport mbetet një pasion i pandalshëm, pavarësisht moshës dhe sfidave fizike.

 

Unë jam Mauro, nga Italia. Punoj në Korçë, jam sipërmarrës i një kompanie italiane. Hobi im tani është motocross-i. Në fillim e praktikoja si pjesëmarrës në gara në Itali, por tani që jam në këtë moshë e bëj për hobi. Jam i apasionuar. Njoha Dhimitrin dhe Mariglenin dhe ngadalë-ngadalë pamë mundësinë për të gjetur një terren në mënyrë që të bënim një pistë. Edhe pse jemi gjithmonë në punë, kjo na shërben të largojmë pak edhe mendjen nga rutina. Djemtë më treguan disa vende dhe më sollën këtu, ku vendi më pëlqeu shumë. Investimin e bëra për pasion, madje kam synimin që të rinjtë të marrin pjesë dhe ta praktikojnë këtë sport”, shprehet Castignani.

 

Mauro është sot 64 vjeç, por kjo nuk e ndal aspak pasionin e tij për motocross-in. Investimi në pistën e Polenës, sipas tij, është një mënyrë për të mbështetur të rinjtë dhe për të ndarë përvojën e tij, duke e kthyer këtë hapësirë në një pikë takimi për të apasionuarit.

 

Për moshën që kam, motocross-i është shumë i vështirë. Nga ky sport ka pasur edhe probleme të vogla, ku jam rrëzuar, kam bërë ndërhyrje, si për shembull te dora, por kam filluar prapë sportin. Kam nisur që fëmijë me këtë sport, kam qenë 10-15 vjeç atëherë. Jam i lumtur që të bëj që të njihet ky sport dhe me pjesëmarrjen e kaq shumë të rinjve, do më pëlqente të bëja diçka për ta. Kjo gjë më sjell kënaqësi. Kam qenë pjesëmarrës në gara në Itali deri në fund të vitit 2001. Në Itali kam arritur nivele të larta, kam dalë edhe kampion duke marrë trofe dhe jam i kënaqur për këtë”, thotë ai.

 

Me një eksperiencë të hershme në garat e motocross-it dhe me titull kampioni në nivel kombëtar, Isert Gjatolli është një nga figurat që njeh më mirë vështirësitë dhe kërkesat e këtij sporti. Gara e tij e parë ka qenë një mrekulli për të, duke fituar vendin e dytë, me kushte shumë të vështira të terrenit, por teknika e saktë bëri që të dilte fitues.

 

Gara ime e parë ka qenë në Surrel në vitin 2010 me motocross, madje ka qenë një kohë me baltë e me shi. Në këtë garë kam dalë i dyti në MX2, që për mua si fillim ka qenë mrekulli. Motocross-i është shumë i vështirë, madje është kulmi i motosportit. Motocross-i kërkon teknikë, pavarësisht se është vetëm një pistë ku ti bën qarkullim, vetëm kthesa dhe kërcime, por ato janë teknikë e gjitha. Normal që ka pasur edhe gabime te kthesat e kërcimet, çdo ecuri nuk është asnjëherë njësoj me tjetrën”, thotë Gjatolli.

 

Iserti kujton fillimet e tij në kushte jo të lehta, ku mungesa e mjeteve kompensohej nga mbështetja e shoqërisë dhe dëshira për të garuar. Sot, si kampion i Shqipërisë në vitin 2016, ai e sheh me optimizëm rritjen e interesit nga të rinjtë dhe krijimin e pistave të reja, që, sipas tij, janë thelbësore për zhvillimin e motocross-it në vend.

 

Ky rrugëtim ka qenë pasion. Fillimet e mia kanë qenë që në 2010-ën, kur nisi edhe motocross-i në Shqipëri. Unë vetë nuk kam pasur motor, por shoqëria më ka ndihmuar, kam marrë pjesë nëpër gara me motorët e shokëve. Më pas, në 2016-ën kam qenë kampion i Shqipërisë në motocross dhe enduro. Pata një periudhë shkëputjeje, por tani vazhdojmë përsëri e përsëri. Interes ka nga të rinjtë, sidomos tani në pista në Polenë, që është edhe shumë e mirë, por është e vështirë, ka ato kostot e veta, por ka interes”, shprehet Isert Gjatolli.

 

Pasioni i lindur që në fëmijëri dhe i ndërprerë për një periudhë për shkak të frikës së familjes, është rikthyer më i fortë për Mariglen Malavecin. Së bashku me miqtë, ai ka zgjedhur ta ndjekë sërish këtë sport, duke e kthyer në pjesë të përditshmërisë së tij. Ai tregon se përtej rreziqeve dhe gabimeve të fillimit, motocross-i ofron emocione të forta dhe një ndjesi lirie që e bën të pamundur largimin prej tij.

 

Pasioni ka lindur që në fëmijëri, rreth moshës 10 vjeç, por për shkak të moshës së vogël dhe frikës së prindërve, u ndalua. Më vonë, me shoqërinë që jemi organizuar, filluam ta praktikojmë përsëri këtë sport. Ky lloj motori është motori që unë kam qejf, motori që kam pasur ëndërr dhe motori që do vazhdoj ta ngas derisa të jem në gjendje. Ndjesia që më jep është shumë e mirë, adrenalinë e lartë, aq sa gjithë ditën të vazhdosh ta ngasësh nuk të mërzitet. Në fillimet e veta ka pasur pakujdesi, neglizhencë, por pa pasoja, shyqyr Zotit pa dëme, ndërsa tani mundohemi të ruhemi nga pak”, thotë Mariglen Malaveci.

 

Në një kohë kur mundësitë për të rinjtë shpesh duken të kufizuara dhe largimi mbetet një nga zgjedhjet më të shpeshta, iniciativa të tilla tregojnë se pasioni mund të kthehet në veprim dhe të sjellë ndryshim real në komunitet. Pista e motocross-it në Polenë është një shembull i qartë se si përkushtimi, bashkëpunimi dhe dëshira për të ndërtuar diçka në vendin tënd mund të krijojnë alternativa të reja.

Edhe pse ky sport mbetet sfidues dhe kërkon investim të vazhdueshëm, interesi në rritje dhe përfshirja e të rinjve japin sinjale pozitive për të ardhmen. Me më shumë mbështetje dhe promovim, kjo nismë mund të shndërrohet në një pikë referimi jo vetëm për Korçën, por edhe më gjerë, duke e kthyer zonën në një destinacion për sportet ekstreme dhe duke i dhënë një tjetër dimension potencialit turistik që ajo ofron./CNA





Lajmet e fundit nga