web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

SHBA kryen sulme të reja ndaj Iranit/ Teherani kërcënon të bllokojë më shumë rrugë tregtare

15 Korrik 2026, 16:48, Kosova & Bota CNA

SHBA kryen sulme të reja ndaj Iranit/ Teherani kërcënon të

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit janë përshkallëzuar sërish, pasi ushtria amerikane nisi një valë të re sulmesh ndaj objektivave ushtarake iraniane.

Rojet Revolucionare të Iranit (IRGC) deklaruan se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa SHBA-ja të ndalojë ato që i cilësojnë si "akte agresioni". Teherani paralajmëroi gjithashtu se mund të bllokojë edhe rrugë të tjera rajonale të eksportit të naftës dhe gazit.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi paraditen e sotme se kreu sulme me dronë, avionë dhe mjete detare, pas një tjetër operacioni shtatëorësh gjatë natës. Sipas CENTCOM-it, një valë sulmesh 90-minutëshe goditi mbrojtjen bregdetare të Iranit, si dhe depot dhe pozicionet e lëshimit të raketave lundruese në ishullin “Greater Tunb”.

Zyrtarët amerikanë thanë se operacioni kishte për qëllim të dobësonte aftësinë e Iranit për të sulmuar anijet tregtare që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se, nëse Irani nuk rikthehet në negociata, SHBA-ja do të godasë javën e ardhshme ura dhe centrale energjetike iraniane.

"Do t'i lëmë objektivat energjetike për në fund, por në fund do t'i godasim edhe ato" tha Trump në një intervistë për Fox News.

Përshkallëzimi i konfliktit ka rritur shqetësimet për ekonominë globale, pasi trafiku i cisternave në Ngushticën e Hormuzit është reduktuar ndjeshëm, duke shkaktuar edhe rritje të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare.

Po ashtu, SHBA-ja rivendosi bllokadën ndaj porteve iraniane, duke ndaluar anijet të hyjnë ose të dalin nga portet dhe zonat bregdetare të Iranit. Kjo masë ishte hequr muajin e kaluar në kuadër të një memorandumi mirëkuptimi mes dy vendeve, i cili synonte uljen e tensioneve.

Në reagim, IRGC paralajmëroi se SHBA-ja duhet të presë mbylljen edhe të rrugëve të tjera të eksportit të naftës dhe gazit që u shërbejnë interesave amerikane dhe aleatëve të saj, pa dhënë detaje se për cilat korridore bëhej fjalë.

Nga ana tjetër, media shtetërore iraniane raportoi se ushtria e vendit ka ndërmarrë sulme të veçanta ndaj objektivave amerikane në Jordani, Kuvajt dhe Bahrein. Aleatët e SHBA-së njoftuan se kanë interceptuar dronë dhe raketa të lëshuara nga Irani. /CNA





Lajmet e fundit nga