web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Si mund t’i jepet fund bllokadës ruse ndaj porteve ukrainase në Detin e Zi

8 Qershor 2022, 08:32, Blog CNA

Si mund t’i jepet fund bllokadës ruse ndaj porteve ukrainase në

Nga Anna Borshchevskaya & Garrett I.Campbell  “The Hill”

Presidenti rus, Vladimir Putin, po e vazhdon luftën e tij kundër Ukrainës. Tani Rusia po bllokon portet e Ukrainës në Detin e Zi, gjë që pengon eksportin e mbi 25 milionë tonëve drithë dhe produkteve të tjera bujqësore në tregjet ndërkombëtare.

Nëse kjo situatë vazhdon, ka të ngjarë të krijojë një krizë ushqimore globale, për shkak të mungesave të mëdha në pjesë të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, të cilat mund të shkaktojnë konflikte civile dhe flukse të mëdha emigrantësh drejt Europës.

Bllokada ruse kërkon një përgjigje ndërkombëtare, të mbështetur nga SHBA-ja dhe NATO-ja, e cila ta minimizojë rrezikun e përshkallëzimit. Dhe përgjigjja mund të jetë ndryshimi i flamujve të anijeve tregtare ndërkombëtare. Kur një anije regjistrohet për udhëtime ndërkombëtare, ajo duhet të zgjedhë se nën cilin flamur të një vendi do të lundrojë. Konventa e OKB-së për të Drejtën e Deteve, thotë se një anije duhet të ketë një lidhje “të vërtetë” me shtetin e flamurit të saj. Por me kalimin e viteve, ka evoluar praktika e “përdorimit të flamurit sipas leverdisë”. Shumë shtete i kanë rimodeluar anijet në mënyrë që të fshehin ose mbrojnë ngarkesat e tyre.

Vendet më të rrezikuara nga kjo krizë ushqimore janë si për ironi, shumë prej atyre me të cilat Rusia ka zhvilluar lidhje të forta ushtarake vitet e fundit, si Egjipti, Turqia, Libani, Tunizia, Indonezia, Libia dhe Pakistani. Të gjitha këto vende janë kandidate për procedurën e ndryshimit të flamujve në anijet tregtare.

Edhe pse kriza ekonomike është globale, ajo prek më drejtpërdrejt Lindjen e Mesme. Rusia ka treguar një lloj gatishmërie për të nisur lejimin e nisjes së anijeve nga portet e pushtuara të Ukrainës Lindore. Por duhet bërë më shumë, sepse Rusia po përfiton ende nga situata duke vjedhur anijet dhe grurin ukrainas për ta eksportuar vetë.

Për të çarë bllokadën ruse, Admirali i Marinës Amerikane, Xhejms Stavridhis, rikujtoi pak ditë më parë precedentin e operacionit “Earnest Will” (“Vullneti i Sinqertë” të viteve 1987-1988, operacioni më i madh i transportit detar që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në atë kohë, anijet luftarake të marinës amerikane shoqëruan anijet cisterna në pronësi të Kuvajtit, për t’i mbrojtur ato nga sulmet iraniane gjatë luftës Iran-Irak. Ndërkohë, Forcat Ajrore dhe Ushtria e SHBA-së ofruan mbikëqyrje nga ajri. Stavridhis propozon një operacion të ngjashëm edhe sot në Ukrainë.

Por kur flitet për luftën aktuale, një akt i tillë do të rrezikonte të përshkallëzonte konfliktin. Sigurisht, “Earnest Will” ka ngjashmëri me kontekstin aktual. Ashtu si lufta aktuale, edhe lufta Iran-Irak paraqiste një kërcënim për eksportet për shkak të minave detare të vendosura nga të dyja palët.

Por në dallim nga lufta Iran-Irak, sot ekziston një kërcënim i operacioneve amfibe ruse kundër Odesës, porti kryesor që Rusia dëshiron ta pushtojë. Lufta Iran-Irak nuk paraqiste ndonjë kërcënim për një pushtim amfib. Për më tepër, Konventa e Montrosë, vendos kufizime mbi llojin e anijeve dhe kohëzgjatjen e qëndrimit brenda Detit të Zi.

Ajo përjashton të gjitha llojet e anijeve luftarake që u përdorën për të shoqëruar anije tregtare gjatë operacionit “Earnest Will”. Ndërkohë, bazuar në doktrinën ushtarake ruse, operacioni special i Moskës në Ukrainë shihet si një luftë lokale.

Përdorimi i anijeve luftarake të NATO-s, që do të ishte i domosdoshëm nëse do të përdornim si udhërrëfyes operacionin “Vullneti i Vërtetë”, që do ta rajonalizonte luftën dhe kësisoj do të rriste rrezikun e përdorimit të armëve bërthamore nga Moska.

Dhe Putinit do t’i shijonte një mundësi të tillë, pasi ai mbështetet në frikësimin e liderëve perëndimorë me skenarin e përshkallëzimi të luftës. NATO ka thënë se nuk do të krijojë një zonë të ndalim-fluturimit në Ukrainë, pikërisht për shkak të frikës së përfshirjes në një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak me Rusinë.

Prandaj është më mirë të fokusohemi në këtë krizë nëpërmjet një “lenteje humanitare”, dhe nën flamujt e vendeve më të prekura nga kriza ushqimore. Përdorimi nga anijet ukrainase i flamujve të këtyre vendeve është zgjidhja më e mirë, pasi nuk do të rrezikonte përshkallëzimin e luftës me përfshirjen e forcave detare të NATO-s, që janë më superiore se ato të Rusisë. 

Sigurisht edhe kjo procedurë bart një sërë rreziqesh. Së pari, do të ishte një sipërmarrje e vështirë. Ka të ngjarë që vende pjesëmarrëse të nënshkruajnë një marrëveshje të përkohshme për këtë gjë. Ndërkaq SHBA-së mund t’i duhet që të angazhohet në një diplomaci kreative duke përballur financimin, trajnimin dhe pajisjen e operacionit me anije me aftësi të kufizuara ushtarake, por që shërbejnë për çminimin e zonave detare (MCM).

Më e rëndësishmja, Kremlini do ta shihte këtë mision humanitar si një hap përshkallëzues të luftës. Por ai do të ishte gjithsesi shumë larg nga përdorimi i anijeve luftarake të NATO-s që mund të kryejnë sulme kundër Rusisë dhe Krimesë.

Së dyti, Rusia dhe Ukraina e kanë akuzuar njëra-tjetrën për vendosjen e minave detare. Në fakt, fajtore janë që të dyja palët. Për të adresuar këtë çështje, një opsion i mirë mund të jenë anijet MCM të armatosura minimalisht. Tradicionalisht, këtyre anijeve u mungon ndonjë aftësi sulmuese.

Për më tepër, operacionet e tyre kërkojnë si ndihmës helikopterë dhe teknikë të mjeteve shpërthyese që të asgjësojnë dhe pastrojnë në mënyrë të sigurt shtigjet për anijet tregtare, të cilat të vazhdojnë më pas rrugën drejt ujërave rumune dhe deri te ngushticat turke.

Turqia duhet të sigurojë anijet MCM dhe ta udhëheqë këtë operacion, pasi është ajo që garanton zbatimin e Konventës së Montrosë. Më vonë, aftësi shtesë të MCM mund të sigurohen nga vende jo anëtare të NATO-s si Egjipti, Arabia Saudite dhe Indonezia.

Këto vende duhet t’i shoqërojnë në ujërat e Ukrainës anijet tregtare me flamujt e ndryshuar, ndërsa Bullgaria dhe Rumania duhet ta marrin këtë rol gjatë tranzitit nëpër ujërat e tyre. NATO dhe SHBA mund t’i drejtojnë këto përpjekje duke ofruar trajnime dhe madje të vendosin Grupin e Përhershëm Detar MCM të NATO-s për të mbështetur përpjekjet e NATO-s brenda kufijve detarë të shtetit anëtar të NATO-s.

Sërish, Konventa e Montrosë do ta kufizonte atë pjesëmarrje. Por elementi ndoshta më i rëndësishëm i kësaj fushate do të jetë informacioni. Nëse ushtria ruse do të vazhdojë të sulmojë anijet me flamujt e ndryshuar, këto veprime duhet të transmetohen në kohë reale për ta demaskuar sërish Rusinë në sytë e opinionit publik global.

Në rast se Rusia i ndalon këto anije, ajo do të jetë përgjegjëse për zinë e bukës në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, ndërsa qeveritë që vazhdojnë të kenë marrëdhënie të mira me Rusinë do të ndihen nën presion për të kufizuar marrëdhëniet e tyre me një vend që është i gatshëm të vdesë urie popullin e tyre.

Putin mbetet i përkushtuar ndaj qëllimit të tij për të përmbysur rezultatin e Luftës së Ftohtë dhe rinegocimin e rendit europian të sigurisë, dhe ai ka ende disa letra për t’i luajtur. Perëndimi duhet të sigurojë humbjen e tij. Stabiliteti i rendit global liberal është në rrezik. 

Shënim: Anna Borshchevskaya, bashkëpunëtore në Institutin e Uashingtonit për Politikën e Lindjes së Mesme. Garrett I.Campbell, ish-drejtor i Shtabit të Marinës së SHBA-së.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga