web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ja pse Amerika ka një problem unik me armët dhe përdorimin e tyre

1 Qershor 2022, 08:21, Blog CNA

Ja pse Amerika ka një problem unik me armët dhe përdorimin e tyre

Masakra e së martës në një shkollë fillore në Uvalde të shtetit të Teksasit në SHBA, vetëm 10 ditë pas masakrës në një supermarket në Bufalo të Nju Jorkut, ka risjellë edhe një herë në vëmendjen e gjithë botës veçantinë amerikane sa i përket dhunës së shkaktuar nga armët e zjarrit.

Asnjë vend tjetër me të ardhura të larta, nuk ka pasur një numër kaq të lartë të vdekjeve nga dhuna me armë. Çdo ditë, më shumë se 110 amerikanë vdesin për shkak të përdorimit të armëve, duke përfshirë vetëvrasjet dhe vrasjet, mesatarisht 40.620 në vit.

Që nga viti 2009, ka pasur një mesatare vjetore prej 19 masakrash, që përkufizohen si ngjarje me të paktën 4 njerëz të vrarë. Shkalla e vrasjeve me armë në SHBA është 26 herë më e madhe se ajo e vendeve të tjera me të ardhura të larta. Ndërkohë, norma e vetëvrasjeve po me armë gati 12 herë më e lartë.

Kundërshtarët e kontrollit të armëve, duke përfshirë pothuajse çdo republikan, e kanë cilësuar zakonisht epideminë e dhunës me armë në SHBA si një simptomë të një krize më të gjerë të shëndetit mendor. Guvernatori i Teksasit, Greg Ebot, e përsëriti këtë retorikë në një konferencë shtypi, duke sugjeruar se përmirësimi i qasjes në qendrat e shëndetit mendor, duke mos rivlerësuar ligjet e dobëta të shtetit të tij për armët, duhet të jetë përgjigjja kryesore ndaj masakrës në Uvalde.

Por çdo vend ka njerëz që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor apo edhe ekstremistë si autori i masakrës në Bufalo. Këto probleme nuk janë unike. Unik është fiksimi i amerikanëve ndaj armëve, i rrënjosur te politika, kultura dhe ligjet që nga themelimi i këtij vendi, dhe një proces politik kombëtar që deri më tani ka rezultuar i paaftë për ta ndryshuar këtë tendencë.

“Amerika është një vend unik në botë në aspektin e pranisë së përhershme të armëve. Qytetarët kanë në duar një sasi të madhe armësh dhe qeveria nuk ka pasur shumë kontroll mbi to”, - thotë Dejvid Jaman, profesor në universitetin "Ueik Forest", dhe që studion “kulturën e armëve” që kanë amerikanët.

Është e vështirë të vlerësohet se sa është numri i armëve në pronësinë e qytetarëve në SHBA, për shkak se nuk ka një bazë të dhënash kombëtare ku njerëzit të konfirmojnë nëse kanë armë. Ndërkohë, në mungesë të ligjeve të forta federale mbi tregtinë e e armëve, ka një treg të zi shumë të zhvilluar.

Një vlerësim i “Small Arms Survey”, një projekt kërkimor me seli në Zvicër, zbuloi se në vitin 2018 në SHBA kishte rreth 390 milionë armë në qarkullim, ose rreth 120.5 armë zjarri për 100 banorë. Që atëherë ky numër ka të ngjarë të jetë rritur, duke pasur parasysh që 1 në 5 familje bleu një armë gjatë pandemisë së COVID-19.

Por edhe pa llogaritur këtë rritje, pronësia e armëve në SHBA nga qytetarët është ende shumë e lartë mbi çdo vend tjetër: Jemeni, që renditet në vendin e dytë në botë, ka një normë prej 52.8 armë për 100 banorë; në Islandë kjo është 31.7 armë për 100 banorë.

Sipas një studimi të vitit 2016 të universitetit të Harvardit dhe universitetit Northestërn, armët në SHBA janë të përqendruara te një pakicë e vogël familjesh: vetëm 3 për qind e tyre zotërojnë rreth gjysmën e armëve të vendit. Ata quhen “super pronarë”, dhe kanë mesatarisht nga 17 armë secili.

Duke përdorur një metodologji të ndryshme, Gallup zbuloi vitin e kaluar se 42 për qind e familjeve amerikane kishin një armë në shtëpi. Studiuesit kanë identifikuar një lidhje të qartë midis zotërimit të armëve në SHBA dhe dhunës me armë. Madje, disa argumentojnë se ai është shkaku kryesor.

Për shembull, një studim i vitit 2013 i universitetit të Bostonit, zbuloi se për çdo pikë përqindje rritje të zotërimit të armëve në nivel familjar, shkalla e vrasjeve me armë zjarri rritet me 0.9 për qind. Ndërkaq, sipas një studimi të janarit të këtij viti nga grupimi që mbështet kontrollin e armëve “Everytown for Gun Safety”, shtetet me ligje më të dobëta për armët, kanë norma më të larta të vrasjeve dhe vetëvrasjeve të lidhura me armët.

Lidhja midis vdekjeve nga armët dhe zotërimit të armëve, është shumë më e fortë se lidhja midis dhunës dhe problemeve të shëndetit mendor. Sipas një studimi nga profesori i Universitetit Djuk, Xhefri Suanson, që analizon politikat mbi reduktimin e dhunës së armëve, edhe nëse do të ishte e mundur të kuroheshin të gjitha çrregullimet e skizofrenisë, bipolarizmit dhe depresionit, krimi i dhunshëm në SHBA do të binte me vetëm 4 për qind.

Në SHBA ekziston një ide e shumëpërhapur, e propaganduar nga prodhuesit e armëve dhe organizatat për të drejtën e mbajtjes së armëve si “Shoqata Kombëtare e Armëve”, se armatimi i mëtejshëm i Amerikës është përgjigjja për parandalimin e dhunës me armë. Kjo njihet edhe si “djaloshi i mirë i pajisur me armë”.

Por një studim i vitit të kaluar nga Universiteti Hemlajn dhe Universiteti Metropolitan Shtetëror zbuloi se shkalla e vdekjeve në 133 masakra të ndodhura në shkolla midis viteve 1980-2019 ishte 2.83 herë më e madhe në rastet kur shkolla ka pasur një roje të armatosur.

Vetëmbrojtja ka qenë deri tani arsyeja më e spikatur e zotërimit të armëve nga qytetarët amerikanë, duke lënë mënjanë pasionin e gjuetisë, argëtimin apo zotërimin e armëve pasi ato janë diçka antike apo të trashëguara nga familjarët. Kjo reflektohet edhe te shitjet e armëve me kalibër të madh, pasi qëllimi kryesor i tyre nuk është argëtimi, por vetëmbrojtja.

Kultura e zotërimit të armëve në SHBA e ka bërë edhe më të vështirë kërkimin e zgjidhjeve serioze të politikave që adresojnë këtë problem akut. Kanadaja i ndaloi me ligj armët sulmuese të stilit ushtarak vetëm 2 javë pas masakrës së vitin 2020 në Nova Skotia.

Në vitin 2019, më pak se 1 muaj pas masakrës së Kristçërç, deputetët në Zelandën e Re miratuan goxha kufizime për armët e rënda, dhe më vonë krijuan një regjistër të armëve të zjarrit. Masakra e Port Artur e vitit 1996 në Australi e nxiti qeverinë të blinte nga qytetarët 650.000 armë zjarri brenda një viti, dhe vrasjet dhe vetëvrasjet ranë ndjeshëm.

Ndërkohë, në SHBA ka kaluar gati një dekadë që nga masakra e vitit 2012 në shkollën fillore “Sendi Huk” në Konektikat, dhe nuk është bërë ende asgjë në nivel federal për këtë problem madhor.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga