web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Lufta në Ukrainë na ka mësuar se tani jemi që të gjithë refugjatë

23 Maj 2022, 11:09, Blog Les T. Csorba

Lufta në Ukrainë na ka mësuar se tani jemi që të

Im atë ishte vetëm 15 vjeç kur kaloi kufirin hungarez në një mbrëmje vjeshte të ftohtë dhe me shumë mjegull. Mami, asokohe 13 vjeçe, do ta kalonte kufirin pak kohë më vonë. Ata po largoheshin si refugjatë nga vendi i tyre, për shkak të tankeve ruse që po masakronin njerëzit liridashës gjatë Revolucionit Hungarez të vitit 1956.

Për këtë arsye, prindërit i kisha ndër mend gjatë kohës që punova muajin e kaluar në ndihmë të refugjatëve ukrainas, që kanë mbërritur në Hungari, kryesisht gra dhe fëmijë që jetonin një makth paralel, ndërsa ushtria ruse po shkatërron atdheun e tyre. 

Më shumë se 11 milionë njerëz janë larguar tashmë nga shtëpitë e tyre në Ukrainë, duke përfshirë gati 6 milionë në vendet fqinje, dhe mbi 600.000 në Hungari. Në atë që mund të jetë kriza më e madhe e refugjatëve në historinë moderne, më shumë ukrainas mund të lënë vendin e tyre, sesa ata që ikën për shkak të Luftës Civile Siriane dhe Luftës Afgane si pasojë e pushtimit nga Bashkimi Sovjetik.

Si biri i 2 refugjatëve, unë e ndieva përvojën reale të emigrantit të Europës Lindore. “Dua të ulem pranë një të huaji dhe të mësoj për jetën e tij”-  shkroi Tomas Sorba (djali im) në një këngë popullore, sepse kur mësojmë për një shpirt tjetër, me siguri i hedhim një sy edhe mbi vetë shpirtin tonë.

Çfarë mund të kenë ndier nëna dhe babai im si adoleshentë, kur po arratiseshin nga tirania dhe drejt lirisë? Refugjatët e sotëm ukrainas janë si një enigmë familjare e këndshme. Ata ishin të lodhur nga udhëtimi i tyre kompleks; por ishin nga ana tjetër kaq plot jetë dhe këmbëngulje.

Unë doja të shihja se si përshtaten të gjitha pjesët, dhe çfarë zbulon panorama e plotë.  Pavarësisht nga historitë e tmerrshme të përdhunimeve dhe vrasjeve, unë vura re ndjenjën e rezistencës dhe madje një sens të mprehtë humori, ndoshta i frymëzuar nga presidenti i tyre, një aktor humori i kthyer në kryetar shteti, dhe që sot është udhëheqësi de fakto i botës së lirë.

Një familje përgatiti për ne darkën e Pashkëve, në apartamentin e tyre të vogël të përkohshëm në kryeqytetin hungarez Budapest. Ata na bënë të ndiheshim të mirëpritur dhe si në shtëpinë tonë. Ndoshta ata ëndërrojnë të mund të rikthehen në shtëpinë e tyre, qoftë edhe për disa orë. 

Djali i tyre, që vuan nga paraliza cerebrale, qeshi me ironi duke na treguar në iPhone-in e tij foton e një restoranti të bombarduar, një vend i preferuar i familjes në qytetin e Odesës buzë Detit të Zi. Të gjithë kemi ardhur nga diku, dhe të gjithë kemi një histori lufte dhe njëfarë tjetërsimi.

Shumica e refugjatëve ukrainas me të cilët biseduam, po qëndronin relativisht afër Ukrainës me shpresën e rikthimit së shpejti atje. Ditën që kaluam kufirin me Ukrainën për të dërguar furnizime mjekësore në Lviv, karvani i atyre që ktheheshin, ishte më i gjatë se i atij që largoheshin nga vendi.

Shumë ukrainas do të preferonin të riktheheshin në shtëpi nën kërcënimin e granatimeve të vazhdueshme, sesa të jetonin në pasigurinë e tyre aktuale. I tillë është shpirti i refugjatit ukrainas. Por një tjetër rrezik i pret refugjatët e rinj, përkatësisht burrat që ndjekin vajzat e reja në kufi.

Ata u ofrojnë atyre atë që duket si një udhëtim miqësor, por më pas i detyrojnë të hyjnë në botën e krimit të trafikut të qenieve njerëzore.  Të rrezikosh gjithçka për të ikur nga lufta, të kalosh më në fund kufirin dhe më pas të biesh në ferrin e shfrytëzimit, është e tmerrshme.

Edhe pse plot shpresë, ata kanë frikërat e tyre, njëra prej të cilave është se ne në Perëndim do të lodhemi me këtë luftë, ndërsa humanitarizmi ynë do të zbehet me kalimin e kohës. Por si mund ta harrojmë Buçën? Irpinin? Apo Harkivin dhe Mariupolin?

Po ashtu ata druhen se pakënaqësia jonë do të rritet, kur të shtohen kostot e kujdesit social, strehimit, arsimit, kujdesit shëndetësor dhe punësimit. Mirënjohës për dashamirësinë tonë, ata shqetësohen mbi qëndrueshmërinë e qasjes sonë. Disa i drejtohen rregullit të artë në Ungjill, që thotë “Për çdo gjë, bëni për të tjerët atë që do të dëshironit që ata të bënin për ju”. Sigurisht që kanë të drejtë. Është humanizmi ynë i përbashkët, dhembshuria jonë për të vuajtur me njëri-tjetrin.

Të gjithë kemi ardhur nga diku, dhe të gjithë kemi një histori lufte dhe njëfarë tjetërsimi. Kur njëri prej nesh bëhet i fundit i listës, më i vogli dhe i humburi, ne bëhemi strehë për ta sikur po i shërbejmë vetes.

Sigurisht që nuk është i njëjti ferr si në Ukrainë, por kur i shohim historitë tona si refugjatë, si mund të ndalojmë së kujdesuri për miliona ukrainas pa shtëpi dhe një vend? Të gjithë duam një vend të sigurt për të jetuar. Të gjithë jemi të etur për liri dhe dinjitet njerëzor. Të gjithë duam të rikthehemi në shtëpitë tona.

Siç pyeti me të drejtë Dina Nijeri, refugjatja iraniane e rritur në Amerikë, mbi statusin tonë universal si refugjatë: “A nuk është një detyrim i çdo personi të lindur në një dhomë më të sigurt, që ta hapë derën kur i troket në derë dikush që ndodhet në rrezik?”. Nëna dhe babai im janë larguar prej vitesh nga Hungaria, por ata i kujtojnë ende vuajtjet aty. Po kështu edhe ukrainasit, vuajtjet e të cilëve, dhe tonat gjithashtu, na bëjnë që të gjithëve refugjatë.

Shënim:Les T.Csorba, ish-ndihmës special i presidentit Xhorxh H.W Bush në Shtëpinë e Bardhë.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga