web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

A do të jetë Rusia një armike e përhershme e Perëndimit?

17 Maj 2022, 07:59, Blog CNA

Nga Mary Dejevsky ?The Indipendent?

Më 9 maj, ndërsa Vladimir Putin po drejtonte paradën e Ditës së Fitores në Moskë, presidenti i sapozgjedhur i Francës ndodhej në Strasburg, duke paraqitur idetë e tij mbi të ardhmen e Evropës. Por vëmendjen më të madhe nuk e tërhoqi plani i tij i ripërtërirë për një ?Evropë me shumë shpejtësi?, por apeli i tij që Rusia të mos poshtërohet pas mbarimit të luftës në Ukrainë.

Nuk duhet të përsëriten gabimet e vitit 1918, tha Makron, duke aluduar mbi argumentin tashmë të njohur se kushtet e ashpra të vendosura ndaj Gjermanisë në atë kohë, krijuan terrenin për luftën e ardhshme botërore vetëm një brez më vonë.

?Ne nuk duhet të harrojmë se kemi për detyrë të ndërtojmë nesër paqen. Dhe këtë do të duhet të bëjmë me Ukrainën dhe Rusinë të ulur në një tryezë? Kjo nuk do të ndodhë me mohimin e njërës apo tjetrës palë dhe as përmes poshtërimit?- theksoi presidenti francez.

Por nëse Emanuel Makron ka shpresuar për duartrokitje, apo edhe ndonjë mbështetje të heshtur për lutjen e tij, në fund u zhgënjye. Në një kundërshtim të nënkuptuar dhe të menjëhershëm, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen (një shtetase gjermane), tha se kontrasti midis paradës ushtarake të Putinit dhe ?festimit të demokracisë? që ishte Parlamenti Evropian ?nuk mund të ishte më i fortë?.

Dhe ajo nuk ishte e vetmja në këtë qëndrim. Thirrja e Makronit shkaktoi një mori kritikash nga ukrainasit dhe shumë të tjerë në mediat sociale. Po ashtu, qëndrimi i tij dukej se e zbehte qasjen e fortë të SHBA-së – e shprehur muajin e kaluar nga Sekretari i Mbrojtjes, Lloid Ostin – se ?ne duam ta shohim Rusinë të dobësuar deri në shkallën sa të mos bëjë më në të ardhmen ato që po bën gjatë pushtimit aktual të Ukrainës?.

Dhe në fakt armiqësia e madhe ndaj Rusisë është më se e kuptueshme, duke pasur parasysh se ishte pushtimi i paprovokuar i saj ai që e filloi luftën në Ukrainës, e cila duket se nuk ka një fund në horizont, dhe se ajo mund të ketë sot më pak të drejtë të dëgjohet në arenën ndërkombëtare sesa në javët e para të luftës.

Mbi Francën dhe Makronin, ka aktualisht shumë dyshime sidomos në kryeqytetet e Evropës Qendrore dhe Lindore që kanë një qasje më të ashpër ndaj luftës, dhe ku Franca është e lidhur me atë që Ukraina i konsideron si marrëveshje ?të pabarabarta? të Minskut të vitit 2014, dhe Makron shihet si një i vetëofruar në shërbim të paqes, duke i mbajtur të hapura kanalet e komunikimit me Putinin për një kohë më të gjatë se të tjerët.

E megjithatë, në fund Makroni ka të drejtë. Një ditë, kjo luftë do të mbarojë dhe luftëtarët e dikurshëm, do të duhet të ulen bashkë rreth një tryeze. Kushtet e çdo lloj marrëveshjeje për paqe do të varen nga pozicionet relative të Rusisë dhe Ukrainës kur të ndalen luftimet, por edhe në rast se forcat ruse dëbohen nga i gjithë territori ukrainas, me përjashtimin e mundshëm të Krimesë, Ukraina dhe Rusia janë të dënuara që të mbeten vende fqinje, siç janë Rusia dhe Evropa (sido që të ripërcaktohen kufijtë e Evropës).

E megjithatë, tani për tani, duket se ka pak njohje të këtij realiteti. Në fakt, duket se ka më pak njohje të saj tani sesa në fazat e hershme të luftës, kur presidenti i Ukrainës dukej gati të pranonte se e ardhmja e vendit të tij do të ishte qasja neutrale, dhe se anëtarësimi në NATO (dhe për rrjedhojë mbrojtja e armatosur) nuk ishte një perspektivë reale.

Por që atëherë, furnizimi i qëndrueshëm me armë perëndimore i ushtrisë ukrainase, dhe ajo që duket të jetë një tkurrje e detyrueshme e ambicieve territoriale të Rusisë, tani po nxit shpresat – ndoshta jorealiste – për një fitore të plotë të Ukrainës, duke e cilësuar cilindo që bën thirrje për bisedime ?armik i Ukrainës?, ?avokat i Putinit?, apo edhe më keq akoma.

Së bashku me gjithë këtë vazhdon edhe demonizimi jo vetëm i Putinit, por edhe i Rusisë dhe i rusëve. Që në momentet e para të pushtimit, u pa se marrëdhëniet midis Ukrainës dhe Rusisë do të jenë shumë të tensionuara për të paktën një brez, dhe se Rusia do të bëhej një shtet i përbuzur në arenën ndërkombëtare, të paktën për aq kohë sa Putini dhe kushdo që ka lidhje me të do të mbetet në pushtet. Në fakt tani kemi hyrë në muajin e tretë të konfliktit, po shihet se Rusia është bërë e tillë kryesisht vetëm në botën perëndimore. India dhe pjesa më e madhe e Afrikës kanë ngurruar që të dënojnë pushtimin e Rusisë, ndërsa Kina ka qëndruar me kujdes në distancë.

Lufta e Ukrainës mund të përshpejtojë një riorganizim të botës – veriu kundër jugut, të pasurit kundër të varfërve – që tashmë kishte nisur të ndodhte. Dhe nëse ky riorganizim do të bëhet ?normaliteti? i ri, tragjedia më e madhe mund të jetë jo vetëm që Rusia do ta shohë veten në anën ?tjetër?, por që ndarja do të jetë thelluar nga kaq shumë helm.

Nga ana e tij, Boris Johnson shpesh herë është treguar shumë diplomat duke kërkuar të bëhet kujdes dhe mos të cilësohen automatikisht të gjithë rusët si bashkëpunëtorë të sundimtarit të tyre autokrat. Por mesazhi i tij u minua nga besimi i përhapur se rusët e Londrës janë të gjithë klientë super të pasur të Putinit, të cilët i fusin paratë e tyre në arkat e Partisë Konservatore që qeveris aktualisht Britaninë.

Nga ana tjetër, ai qëndrim ishte tashmë i komprometuar nga një lloj rusofobie që ka kohë që fshihet nën sipërfaqen e botës anglo-saksone. Pra, edhe para luftës në Ukrainë, thuhej shpesh se të gjithë oligarkët (një term që ka tashmë një konotacion negativ) janë rusë, edhe pse shumë prej atyre që e shijojnë jetën e tyre në mërgim janë ukrainas.

Për shembull, ?The Times? botoi shumë artikujt në fillim të pushtimit rus, ku çdo korrespondent pajtohej me gjithë zemër me një opinionist që kishte argumentuar se ?egërsia ishte tipike në shpirtin e rusëve?. Rusia kishte trashëguar nga Bashkimi Sovjetik një ?korrupsion virulent? thoshte njëri.

Ajo është ?një shoqëri e molepsur gjithmonë nga padrejtësia dhe terrori?, shkroi një tjetër.

Pikëpamja e tyre ishte se rusët, qoftë për shkak të historisë apo natyrës së tyre, janë në thelb të pacivilizuar dhe brutalë. Imagjinoni zhurmën që do të bëhej nëse arabët, myslimanët apo kinezët do të ishin etiketuar në turmë në të njëjtën mënyrë.

Dhe shkalla në të cilën janë ndërprerë lidhjet institucionale dhe personale në vetëm disa javë është befasuese. Nuk është vetëm anulimi i simfonisë së këtij apo atij kompozitori rus, as edhe ndalimi i plotë i artistëve apo sportistëve rusë. Praktikisht janë ndërprerë të gjitha programet e shkëmbimit të studimeve. Siç tha një akademik rus: ?Rusia është hequr nga harta ndërkombëtare?.

Ndoshta një ditë do të bëhen përpjekje për t`i rindërtuar këto marrëdhënie. Por ndoshta jo sa të jem unë gjallë. Britania e Madhe, së bashku me pjesën më të madhe të Perëndimit në përgjithësi, ka qenë e paaftë për të kuptuar sesi Rusia mendon në kohët më të mira. Dhe kjo na sjellë sërish tek pyetja që ngriti Emanuel Makron: Çfarë do të bëhet me Rusinë, pasi të përfundojë lufta dhe të fillojnë bisedimet, siç duhet të ndodhë patjetër?

Rusia do të jetë ende atje, një prani e madhe dhe e përgjumur në skaj të Evropës, dhe jo aq e lehtë për t?u hequr nga harta. Duhet të ketë një mënyrë për ta përfshirë atë, për të dëgjuar frikërat e saj, jo për ta poshtëruar, në mënyrë që të mos fillojë sërish i gjithë cikli i dëmshëm. Mjerisht, në Perëndim duket se ka pak oreks për të bërë dallimin midis liderëve dhe njerëzve, gjë që ishte çelësi i paqes me Gjermaninë Perëndimore pas vitit 1945. Dhe zëri i Makron është ende një zë i vetmuar, që ?qan? atë që ka mbetur ende në shkretëtirën e luftës.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga