web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Zgjedhjet e vështira të Zelenskit për të shpëtuar Ukrainën

27 Maj 2022, 13:02, Blog Gerald F.Hyman

Zgjedhjet e vështira të Zelenskit për të shpëtuar

Pas goditjes që forcat ruse morën në përpjekje për të pushtuar Ukrainën, ato po rigrupohen në përpjekje për të pushtuar rajonin e Donbasit në lindje të vendit, që kufizohet me Rusinë dhe pjesën juglindore të Ukrainës në kufi me Detin Azov.

Nëse këto manovra nuk do të jenë vetëm të përkohshme, dhe do të synojnë të zhvendosen sërish drejt perëndimit për të pushtuar gjithë vendin, kjo do ta linte ende në duart e Kievit, Odesën dhe pjesën jugperëndimore të Ukrainës që ka qasje në Detin e Zi.

Pas gjithë bombardimeve, shkatërrimeve masive dhe masakrave ndaj civilëve, presidentit ukrainas Volodimir Zelenski, do t’i kërkohet sipas të gjitha gjasave të bjerë dakord me një marrëveshje mbi Donbasin, e cila të jetë minimalisht e kënaqshme për presidentin rus Vladimir Putin.

Zgjedhjet e vështira të Zelenskit për të shpëtuar

Për më tepër, Putinit mund t’i duhet të përhapë trillimin se marrëveshja e kufizuar te një pjesë e konsiderueshme e territorit ukrainas në lindje dhe në jug, përmbush objektivat që ka pasur që në fillim Kremlini. “Në përgjithësi objektivat kryesore të fazës së parë të operacionit janë arritur. Kapaciteti luftarak i forcave të armatosura të Ukrainës është reduktuar ndjeshëm, gjë që na lejon ta fokusojmë vëmendjen dhe përpjekjet te synimi ynë kryesor, çlirimin e Donbasit”- deklaroi Ministri rus i Mbrojtje,s Sergei Shoigu, më 30 mars.

Një deklaratë gati identike bëri 5 ditë më parë gjeneralkoloneli Sergei Rudskoi, zëvendës shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Zelenski ka lënë të kuptohet kohët e fundit se Ukraina do të mbetet ushtarakisht neutrale, si pjesë e një zgjidhjeje të përgjithshme të konfliktit.

Por David Arakhamia, udhëheqësi i shumicës në parlamentin ukrainas, Rada, ka theksuar se “ne duam një mekanizëm ndërkombëtar të garancive të sigurisë, ku vendet garantuese të veprojnë në mënyrë të ngjashme me nenin nr.5 të NATO-s”, duke shtuar se çdo marrëveshje e tillë do t’i nënshtrohej një referendumi publik sepse aspirata për t’u anëtarësuar në NATO është e përfshirë në kushtetutën e vendit.

Putini e përdori fjalimin e mbajtur më 9 maj, Ditën e Fitores, për t’u shpjeguar rusëve “domosdoshmërinë” e “operacionit të tij special ushtarak” në Ukrainë si e vetmja mënyrë për të parandaluar një sulm të planifikuar ndaj Rusisë nga “regjimi neo-nazist” në Kiev dhe aleatët e tij në NATO.

Po atë ditë, Zelenski u tërhoq nga aludimet i tij të mëhershme për ndonjë lëshim të mundshëm në këmbim të dhënies fund të luftës. “Ne nuk do t'i japim askujt asnjë pjesë të territorit tonë”, - tha ai. Shumë gjëra në këtë luftë do të varen se ku do të ndalet Rusia, edhe nëse ajo i kufizon pretendimet e saj vetëm në pjesën lindore të Ukrainës.

Zgjedhjet e vështira të Zelenskit për të shpëtuar

A i përfshin kjo të gjithë rajonet e Luhanskut dhe Donetskut, apo vetëm pjesët që ishin pushtuar nga separatistët në vitin 2014 dhe deri para pushtimit të 24 shkurtit? Donbasi, dikur një qendër industriale, është shkatërruar që kur separatistët e aneksuan me mbështetjen e Moskës së bashku me Krimenë në vitin 2014.

Industritë e saj ishin jokonkurruese në tregjet globale edhe para vitit 2014. Sot janë shkatërruar ose mezi funksionojnë. Shumica e banorëve të saj në moshë të re dhe ekonomikisht produktivë, kanë emigruar në perëndim dhe në qendër të Ukrainës, qoftë edhe “përkohësisht” siç shpresonin fillimisht.

Të moshuarit dhe të sëmurët që kanë mbetur kanë pak ose aspak burime të ardhurash përveç pensioneve të tyre, të cilat kanë qenë të vështira për t’u mbledhur nga Kievi, dhe të pamundura për t’u mbledhur nga Moska. Forcat separatiste të mbështetura nga Rusia mbeten aty.

Në ato zona nuk ka shumë gjëra për t'u lakmuar, dhe aq më pak për të luftuar për to duke rrezikuar pjesën tjetër të vendit. Megjithatë, asnjë vend nuk është i përgatitur përveçse nën presion, për të lejuar shkëputjen e një pjese të territorit, sidomos përmes pushtimit dhe aneksimit.

Në lojë nuk është objektiviteti, por dinjiteti, nderi dhe identiteti kombëtar. Jugu i Ukrainës, nga Krimea në Moldavi është një çështje tjetër. Dhënia e tij Rusisë do t’i hiqte Ukrainës qasjen në ujërat ndërkombëtarë përmes Detit të Zi. Ajo do ta bënte këtë vend pa dalje në det.

Por a ia vlen vërtet Donbasi pa pjesën tjetër të jugut, vazhdimin e shkatërrimeve dhe vdekjeve të panumërta? Vetë Zelenski ka lënë të kuptohet kohët e fundit se kufijtë e 2014-ës dhe ato para shkurtit 2022 mund të jenë të pranueshëm në anën lindore, por me garanci të hekurta se çdo marrëveshje e tillë, sado e neveritshme, do të garantohej nga fuqitë e mëdha.

Ndërkaq, Putini nuk ka qenë plotësisht i qartë në lidhje me jugperëndimin e Ukrainës, përfshirë Odesën (historikisht porti i dytë më i madh i Rusisë pas Shën Petersburgut). Ai ka lënë të kuptohet se pas pushtimit të Donbasit synon të lëvizë drejt perëndimit përmes gjithë zonës jugore me synim Moldavinë.

Zgjedhjet e vështira të Zelenskit për të shpëtuar

Tensionet gjuhësore ngrinin herë pas here krye midis pjesëve lindore të vendit, kryesisht rusishtfolëse, dhe atyre perëndimore, kryesisht ukrainishtfolëse. Por jo që nga viti 2014 dhe pushtimi rus i Krimesë dhe Donbasit lindor, kur nacionalizmi ukrainas nisi të dominojë vendin.

Edhe ata rusishtfolës që ndiheshin të diskriminuar pas pavarësisë, filluan të flasin më shpesh ukrainisht. Me sulmin e tij, Putini e ka vulosur atë prirje. Nëse ukrainasit ishin në mendjen e tij “vëllezërit e vegjël” të Rusisë, tani janë krejtësisht të larguar nga familja.

Prandaj çdo territor i lëshuar përmes negociatave, do të mbetej për breza në mendjet e ukrainasve. Ata do të duan rikthimin e këtyre territoreve, dhe do të shfrytëzojnë çdo mundësi për t’i rimarrë ato. Krimea dhe Donbasi mund të bëhen lehtësisht Alsas Lorena e shekullit XXI.

Tek e fundit, për t’i dhënë fund gjakderdhjes, të dyja palët duhet të arrijnë një lloj marrëveshjeje. Dhe kjo do të nënkuptojë me siguri një kontroll de fakto të një pjese të territorit ukrainas nga Rusia apo separatistët e mbështetur prej saj. Zelenski ka të ngjarë të paguajë një kosto të madhe politike në zgjedhjet e ardhshme, por ai do të ketë shpëtuar më shumë qytete, qyteza, kultura, industri, banesa, shkolla, spitale, dhe qindra apo mijëra jetë.

Do të jetë e domosdoshme që vendimi të merret ekskluzivisht nga ukrainasit, por aleatët e NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara, duhet të inkurajojnë ose të paktën mos ta pengojnë Zelenskin që ta arrijë një pakt të tillë.

Shënim: Gerald F.Hyman, bashkëpunëtor i Qendrës për Çështjet Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga