web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Është shumë herët për të festuar mbi humbjet e Putinit:  Për Ukrainën më e vështira nuk ka ardhur ende

25 Maj 2022, 17:07, Blog Keir Giles

Është shumë herët për të festuar mbi humbjet e

Midis mbështetësve të Ukrainës ka aktualisht një ndjenjë gati euforike në lidhje me dëmet e vazhdueshme ushtarake që po u shkakton ushtria ukrainase forcave ruse. Por e vërteta është se Ukraina ka një rrugë të gjatë për të përshkuar, përpara se të arrijë çdo lloj rezultati të pranueshëm nga kjo luftë.

Dhe rrugëtimi vetëm sa do të bëhet më i vështirë, sa më shumë që duket se po i afrohet fitores. Sfidë nuk përbëjnë vetëm zonat e mëdha territoriale që janë aktualisht nën kontrollin e rusëve, ku Ukrainës i duhet ende të luftojë për të lehtësuar vuajtjet e qytetarëve të saj nën një pushtim ushtarak shumë brutal.

Të tilla janë edhe aspektet politike dhe ekonomike të luftës, të cilat shpesh janë anashkaluar në përshkrimin e detajeve taktike të përditshme mbi disfatat ushtarake të pësuara dhe shkaktuara kryesisht nga vetë ushtria ruse.

Ndikimi ekonomik i luftës po merr tani më shumë vëmendje, jo vetëm për shkak të goditjes së vazhdueshme të infrastrukturës civile të Ukrainës nga raketat me rreze të gjatë veprimi, por edhe si pasojë e efekteve globale të eksporteve të Ukrainës që janë duke u bllokuar nga Rusia.

Këto eksporte përfshijnë furnizime ushqimore, të cilat janë për rajone të tjera të botës. Kohët e fundit është folur shumë se kush do ta financojë rindërtimin e Ukrainës pas përfundimit të luftës. Por ka një pyetje edhe më urgjente: Si mund të ruhet roli jetik i Ukrainës në ushqimin e botës?

Dhe paraliza ekonomike që po shkaktohet nga Rusia, paraqet një sfidë politike shtesë për Ukrainën sa i përket vazhdimit të luftës. Tashmë mbi Kievin po ushtrohet presion për të bërë lëshime ndaj Moskës. Dhe ai vetëm sa do të rritet, teksa pasojat ekonomike të luftës atje do të fillojnë të ndihen plotësisht në shumë vende të botës.

Në rast se ushtria ukrainase do të përparojë përtej vijës së kontrollit që ekziston përpara fillimit të pushtimit në shkurt, dhe do të çlirojë Krimenë e pushtuar, kjo do t’i detyrojë  mbështetësit e saj të ngrenë pyetje të tjera shumë më serioze.

Por ky nuk është aspak një justifikim për sugjerimet që Ukraina duhet t’i japë agresorit një pjesë të territorit të saj për hir të paqes mendore të presidentit rus Vladimir Putinit. Sukseset ushtarake të Ukrainës në terren po vazhdojnë.

Ato janë të përforcuara gjithnjë e më shumë nga mbështetës të saj në Perëndim, me përjashtimin e vazhdueshëm të disa shteteve kryesore të Bashkimit Europian, duke e kapërcyer hezitimin e tyre për të ndihmuar Kievin. Por shumë nga këto suksese duket se janë po aq pasojë e dështimeve ruse në aspektin e kompetencës ushtarake, sa edhe të aftësive të ushtrisë ukrainase.

Por nuk mund të vazhdohet pafundësisht me këtë linjë. Ndërsa lufta po vazhdon – dhe Putini tashmë ka përgënjeshtruar parashikimet se ai do të kërkonte një mjet për t’i dhënë fund luftës deri në Ditën e Fitores – nuk duhet të përjashtohet mundësia që Rusia mund të ketë një përdorim më të arsyeshëm të burimeve ushtarake dhe fuqisë njerëzore që i ka mbetur ende.

Analisti ushtarak rus dhe koloneli në pension, Mikail Kodarenok, ka marrë një vëmendje të madhe në Rusi për shkak të kritikave të tij të hapura në televizionin shtetëror rus mbi mënyrën e zhvillimit të fushatës në Ukrainë, si dhe për gjendjen e ushtrisë ruse.

Tani për tani, Kodarenok është duke luajtur rolin e një gaztori të oborrit të regjimit apo të një budallai për Rusinë, duke u lejuar herë pas here të thotë të vërtetën kur gjithë të tjerët përreth tij përsëritin ende gënjeshtrat zyrtare.

Arsyet se përse i është lejuar ta bëjë këtë janë ende të paqarta. Por disa analistë me përvojë të Rusisë, po pyesin nëse kjo sugjeron perspektivën e një lëkundjeje të ushtrisë ruse në raport me lidershipin e Putinit, apo edhe zhvillimin e luftës në përgjithësi.

Dhe për Ukrainën do të ketë nevoja të tjera jetike, të cilat do të jenë edhe më të vështira për t’u arritur sesa zmbrapsja e ushtrisë ruse. Sipas llogaritjeve të bëra nga vetë Rusia, mbi 1 milionë ukrainas janë zhvendosur në zona të largëta të Rusisë, duke u bërë një jehonë të tmerrshme programeve të dëbimit të shekullit XX-të, ku termi “deportimi” ishte një eufemizëm për të nënkuptuar skllavërimin e njerëzve në epokën moderne.

Lufta për Ukrainën nuk do të mbarojë derisa ajo të çlirojë të gjithë popullin e saj. Shumë ukrainas ka shumë të ngjarë të mbahen peng nga Rusia si një mjet presioni edhe pasi të kenë mbaruar luftimet, njëlloj siç Moska mbajti dhjetëra mijëra të burgosur britanikë dhe amerikanë që kishin qenë robër lufte të gjermanëve, për të bërë pazare edhe shumë kohë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Ndërsa në gjithë Evropën po fillojnë që të kuptohen kostot e mbështetjes së Ukrainës, dhe lufta po zgjatet me perspektivën e një dimri tjetër me një rritje më të madhe të çmimeve të energjisë, mbështetja për Ukrainën për të luftuar mund të zvogëlohet midis udhëheqësve perëndimorë të BE-së dhe publikut të tyre.

Kjo do të jetë një sfidë e vazhdueshme jo vetëm për Ukrainën, por edhe për atë pjesë të mbështetësve të saj që e shohin qartë se kjo nuk është vetëm lufta e Ukrainës, dhe se është jetike që Vladimir Putini të mos dalë nga kjo aventurë, duke menduar se ka qenë diçka tjetër përveçse jo një gabim strategjik katastrofik.

Shënim:Keir Giles, punon për programin e Rusisë dhe Euroazisë në think-tankun britanik “Chatham House”. Ai është autor i librit “Rregullat e Moskës:Çfarë e shtyn Rusinë të përballet me Perëndimin”./CNA.al





Lajmet e fundit nga