web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse Perëndimi nuk mund të bëjë më biznes si zakonisht me Rusinë e Putinit

27 Maj 2022, 08:26, Blog CNA

Pse Perëndimi nuk mund të bëjë më biznes si zakonisht

Nga Petro Poroshenko, “Politico.eu”

Kur presidenti rus Vladimir Putin nisi luftën e tij shkatërrimtare kundër Ukrainës, ai i bëri shumë keq llogaritë. Si një demokraci e re dhe një ekonomi në zhvillim, ai mendonte se Ukraina ishte shumë e dobët dhe e përçarë për t’i bërë ballë makinerisë së tij të luftës, dhe se Perëndimi ishte shumë hezitues, naiv dhe rehat në ndjenjën e tij të rreme të sigurisë për të ndërhyrë në krahun tonë dhe për t’i kërkuar llogari Rusisë.

Por pushtimi vërtetoi të kundërtën. Jo shumë njerëz në Ukrainë e kanë besuar ndonjëherë se Putini ka qenë serioz në arritjen e paqes apo kompromisit. Dhe që nga viti 2014, falë mbështetjes perëndimore, Ukraina e ka ndërtuar demokracinë e saj, ka rindërtuar ekonominë e saj, ka forcuar pavarësinë energjetike, ka përparuar në rrugëtimin drejt NATO-s dhe ka forcuar mbrojtjen e saj. 

Por a është më në fund Perëndimi i gatshëm ta godasë Putinin aty ku i dhemb vërtet? Në disa qarqe perëndimore, është kërkuar gjithnjë “biznesi si zakonisht” me Rusinë, kryesisht për shkak të një varësie nga nafta dhe gazi rus, e cila detyroi vendimmarrës të ndryshëm të kishin një miqësi interesi me Kremlinin.

Më pas, fillimi i pushtimit të Ukrainës, dhe më vonë masakrat në Buça dhe Mariupol, dukej se ndihmuan në ndryshimin njëherë e përgjithmonë të kësaj qasjeje. Por sa herë që flitet për naftën dhe gazin rus, prapëseprapë ka diçka që e pengon heqjen dorë nga energjia ruse.

Putinit po i lejohet që t’ia hedhë paq edhe këtë herë, dhe europianët po vazhdojnë t’i paguajnë rreth 1 miliard euro çdo ditë për naftën dhe gazin e lyer me gjak të Rusisë, në kurriz të shkatërrimin fizik të vendit tim. Ky është një vendim i gabuar.

Dhe nëse Rusia nuk ndalet dhe as nuk mposhtet sot në Ukrainë, i gjithë Perëndimi nuk do të ndihet asnjëherë plotësisht i sigurt dhe në paqe. Në fillim të këtij muaji, udhëheqësit e G7 bënë një propozim premtues në këtë front. Ata u angazhuan t’i japin fund varësisë së tyre nga energjia ruse, duke përfshirë heqjen ose ndalimin e importit të naftës ruse.

Edhe pse një gjysmë hapi, është më mirë se pa një hap fare në këtë drejtim. Por ajo nuk do ta ndihmojë Perëndimin që t`i japë fund varësisë. Ndërkohë, Putini mund ta konsiderojë këtë si një shans për të thelluar ndarjet në Europë, pasi për të, burimet energjetike të Rusisë kanë qenë gjithmonë një armë, pra një shtyllë tjetër e regjimit të tij si ushtria apo aparati propagandistik. 

Unë e di që për perëndimorët, refuzimi i gazit dhe naftës ruse, është diçka shumë më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Ne ukrainasit po përballojmë shumë rëndë koston e plotë të qëndrimit kundër Putinit. E kuptojmë se do të ketë edhe për ju një kosto financiare.

Por kjo kosto është e vogël në krahasim me atë që do të ndodhte nëse Ukraina do të pushtohej dhe lufta do ta kalonte kufirin me vendet tuaja, në Hungari, Bullgari, Sllovaki. . . A do të kundërshtonit ende, nëse do ta dinit që ndalimi i naftës ruse do të ndihmonte në shmangien e një Lufte të Tretë Botërore?

Nëse ndërprerja e fluksit të parave që merr Putini nga nafta dhe gazi, do të shpëtonte pavarësinë tuaj dhe do të parandalonte një luftë të mundshme bërthamore, a nuk do të ishte ky një çmim që ia vlen të paguhet? Mos lejoni që një ndjenjë e rreme rehatie sot, të çojë në vendime që do të sjellin nesër pasoja të paprecedenta.

Fuqia e Putinit nuk qëndron te fuqia e ushtrisë së tij. Ne e shohim këtë çdo ditë që luftojmë kundër pushtim rus. Përkundrazi, qëndron në aftësinë e tij për të ngacmuar, manipuluar dhe shantazhuar të tjerët. Putini paguan shumë për propagandën. Ai do që të na nxisë të besojmë se refuzimi i energjisë ruse do të shkatërronte ekonomitë.

Ai është i bindur se demokracia është në thelb e dobët dhe se mund ta shkatërrojë atë nga brenda, duke shfrytëzuar ndarjet e brendshme. Nafta dhe gazi janë vetëm grasoja në timonin e strategjisë “përça dhe sundo” të Putinit. 

Kjo është arsyeja pse një embargo e naftës mund të bëhet një letër lakmusi, sfida e parë për efikasitetin dhe unitetin e Aleancës së Demokracive të sapokrijuara.

Dhe ajo do të duhet të fillojë me një koordinim dhe dakordësi të fortë midis anëtarëve të aleancës mbi politikën e sanksioneve kundër regjimit autokratik të Putinit. Është koha të goditet me sanksione tregtia e naftës ruse me cisterna. Nuk mjafton vetëm parandalimi i hyrjes së cisternave me flamur rus në portet perëndimore.

Duhet të ketë një kontroll shumë më të rreptë të origjinës së naftës që transportohet në Europë dhe vende të tjera perëndimore. Për të ndaluar tregtinë me Rusinë, është e nevojshme një embargo totale me këtë vend. Megjithatë, ne kemi nevojë për një hap të parë, dhe ai mund të fillojë me tubacionin rus të naftës “Druzhba” (Miqësia) që është ndërtuar që në vitet 1960.

I ndërtuar për të transportuar naftën sovjetike në Hungari, Republikat Çeke dhe Sllovake, Poloni dhe Gjermaninë Lindore, tubacioni mbetet ende sot një simbol i imperializmit rus.

Ai sjell në Europë edhe sot e kësaj dite tonelata naftë bruto. 

Megjithatë, aty ku ka një vullnet, ka edhe një mënyrë për të dalë nga ky ngërç. Ka gjithmonë një alternativë. Dhe ndërprerja e tubacionit të “Miqësisë” do të ishte një ndryshim i fuqishëm i lojës në luftën që Putini është duke zhvilluar kundër Ukrainës dhe Perëndimit. 

Nuk do të kishte asnjë shenjë më të madhe uniteti dhe solidariteti, edhe as qëndrueshmërie energjetike përballë agresionit rus, sesa ndërprerja e tubacionit të “Miqësisë” dhe kufizimi i ndikimit që ka tani Kremlini mbi Europën. Ky vendim do t’i dërgonte një mesazh të fuqishëm Putinit se pas këtij pushtimi, nuk mund të ketë më “biznes si zakonisht”. Dhe për sa kohë që ai zhvillon luftë në Europë, nuk ka më “Druzhba” (miqësi) me Rusinë.

Shënim:Petro Poroshenko, ka qenë presidenti i pestë i Ukrainës që nga shpallja e pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga