web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kisinger, kundër Sorosit mbi qasjen që duhet të ketë Perëndimi ndaj Rusisë dhe Ukrainës

29 Maj 2022, 17:31, Blog Walter Russell
Kisinger, kundër Sorosit mbi qasjen që duhet të ketë
Ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger

Dy emigrantë amerikanë, që të dy të mbijetuar të sundimit nazist, dhe në të 90-at e tyre, diktuan tonet e debatit në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit. Henri Kisinger, që këtë javë kremtoi ditëlindjen e tij të 99-të, ndërhyri në një lidhje online, duke u shprehur kundër përpjekjeve për të mposhtur apo margjinalizuar Rusinë, duke i bërë thirrje Ukrainës që të pranojë humbjet territoriale të vitit 2014, me synim dhënien fund të kësaj lufte.

Disa orë më vonë, Xhorxh Soros, që mori pjesë personalisht në forum në moshën 91-vjeçare, paralajmëroi se fitorja në luftën kundër Rusisë së Vladimir Putinit ishte e nevojshme për ta “shpëtuar qytetërimin”. Ai i kërkoi Perëndimit që t’i sigurojë Ukrainës gjithçka që i duhet për të fituar në këtë luftë.

“Recetat” e tyre janë rrënjësisht të ndryshme, por perceptimet e tyre kanë shumë të përbashkëta. Që të dy besojnë se vlerat dhe interesat amerikane, e bëjnë mbrojtjen e paqes në Europë një qëllim parësor të politikës së jashtme amerikane. Të dy e shohin veten si mbrojtës të asaj që është më e mira në qytetërimin perëndimor.

Dhe po ashtu që të dy e shohin luftën si një goditje të madhe për sistemin botëror, dhe u druhen pasojave negative të një lufte të gjatë. Kisinger dhe Soros besojnë se Rusia është tek e fundit një problem dytësor për politikën amerikane, dhe se e ardhmja e marrëdhënieve SHBA-Kinë ka në planin afatgjatë një rëndësi shumë më të madhe.

Pika ku nuk bien dakord ka të bëjë me natyrën e rendit dhe qytetërimit për të cilën ata bëjnë thirrje të ruhet. Soros, ashtu si administrata e presidentit Xho Bajden, e sheh çështjen dominuese në politikën botërore si një luftë midis demokracisë dhe totalitarizmit. Demokracitë janë të detyruara me ligj që të respektojnë të drejtat e qytetarëve të tyre në vend, dhe të sillen sipas kufizimeve të ligjit ndërkombëtar jashtë vendit. Sundimtarët totalitarë i refuzojnë kufizime të tilla brenda dhe jashtë vendit, dhe pushtimi i Ukrainës nga Putini është po aq i paligjshëm sa edhe trajtimi që u bën disidentëve në Rusi.

Sulmi i tij ndaj Ukrainës, është një sulm ndaj parimeve themelore të rendit ndërkombëtar, dhe nëse ai do të ketë sukses, atëherë politika ndërkombëtare do të rikthehet në ligjin e xhunglës, sipas të cilit, siç u thanë dikur athinasit melianëve gjatë Luftës së Peloponezit “Të fortët bëjnë çfarë munden, dhe të dobëtit vuajnë atë që duhet”.

Pozicioni i Kisingerit është më pak ideologjik. Në botë ka pasur dhe do të ketë gjithmonë shumë lloje qeverisjesh. Detyra e Amerikës është të krijojë dhe mbrojë një ekuilibër fuqie, që e mbron lirinë tonë dhe atë të aleatëve tanë, me rrezikun dhe koston më të vogël të mundshme.

Ne nuk kemi misionin për t’i kthyer rusët dhe kinezët në “ungjillin” e demokracisë, dhe duhet të pranojmë se fuqitë e mëdha rivale kanë të drejta dhe interesa që duhen respektuar. Siç e tha Kisinger, Rusia është dhe do të mbetet një element i rëndësishëm në sistemin shtetëror europian, dhe një paqe e qëndrueshme duhet që ta njohë këtë fakt të pashmangshëm.

Duke parë historinë, e vetmja gjë që duket e qartë, është se asnjëra nga metodat nuk jep një udhërrëfyes të pagabueshëm drejt suksesit. Udhëheqësit francezë dhe britanikë që u përpoqën të qetësonin ambiciet e Hitlerit në vitet 1930, përdorën argumente shumë kisingeriane mbi nevojën për të respektuar interesat kombëtare gjermane.

Neokonservatorët që e nxitën Xhorxh W. Bushin të pushtonte Irakun, përdorën argumente sorosiane mbi natyrën totalitare të regjimit të Sadam Huseinit. Siç do të binin dakord Kisinger dhe Soros, zbatimi mekanik i çdo teorie të historisë në realitetet e rrëmujshme të jetës ndërkombëtare, është një mënyrë e mirë për t’iu hyrë telasheve.

Kur Uinston Çërçill, një njeri që gjatë karrierës së tij të gjatë politike shfaqi tiparet sorosiane dhe kisingeriane, u pyet për planifikimin e pasluftës në vitin 1942, ai u përgjigj me disa fjalë, të cilat duhet të mos i harrojnë liderët e sotëm perëndimorë: “Unë shpresoj që këto studime spekulative do t’u besohen kryesisht atyre në duart e të cilëve koha është e rëndë, dhe se ne nuk do të anashkalojmë recetën e Librit të Gatimit të zonjës Glase për pjatën e mishit të lepurit me lëng: Në fillim kapeni lepurin!”

Dhe “lepuri” ynë nuk është kapur ende. Larg nga të kërkuarit kushte për dorëzimin e tij, Putin mund të jetë duke u përgatitur për një luftë të gjatë, një skenar bart shumë rreziqe për Perëndimin. Taktika e re e Rusisë për të kërcënuar furnizimin botëror me ushqime, nëpërmjet bllokimit të porteve të Ukrainës, na kujton se presidenti rus ka ende disa letra nën mëngë, dhe shumë europianë duket se i frikësohen një embargoje të gazit rus më shumë sesa Rusia një bojkoti europian.

Ukraina nuk mund ta luftojë dot një luftë të gjatë pa një ndihmë të madhe nga Perëndimi, ekonomike dhe ushtarake. Çfarë do të ndodhë me monedhën e saj, pasi Ukraina të shpenzojë gjithçka që ka për një luftë mbijetese? Sa paketa ndihme prej 40 miliardë dollarësh është gati të miratojë Kongresi i SHBA-së?

Sa ndihmë ekonomike është gati të ofrojë BE-ja, në një kohë kur shumë ekonomi të BE-së po përballen me inflacionin dhe çmimet e larta të karburantit? Nëse lufta shkakton mungesa ushqimore, madje edhe uri në mbarë botën, dhe paqëndrueshmëria politike përhapet në vende të tilla si Egjipti, a do të jetë në gjendje Perëndimi të koordinojë një përgjigje globale në një kohë që vazhdon ta ndihmojë Ukrainën? Henri Kisinger dhe Xhorxh Soros mund t`i kenë dominuar debatet e zhvilluara së fundmi në Davos, por me siguri që fjalën e fundit do ta ketë zonja Glase.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga