LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ndëshkoni Putinin dhe jo Pushkinin

2 Qershor 2022, 11:08, Blog CNA

Ndëshkoni Putinin dhe jo Pushkinin

Tbilisi - Që kur Rusia pushtoi Ukrainën, kryeqyteti i Gjeorgjisë është bërë një nga vendet më interesante në botë. Kjo pasi aty ka emigruar muajt e fundit pjesa më e madhe e elitës kulturore dhe intelektuale të Rusisë, artistë, shkrimtarë, gazetarë, aktorë, regjisorë, filozofë dhe profesorë.

Hyni në një kafene dhe do të dëgjoni në mënyrë të pashmangshme të flitet rusisht apo të takoni dikë që e njihni. Tbilisi është një qytet komod, piktoresk dhe i vogël në krahasim me Moskën, dhe në pamje të parë gjithçka aty duket e lehtë. Kudo valëviten shumë flamuj ukrainas me slogane që shprehin mbështetje për vendin fqinj.

Dhe pastaj ka edhe parulla të shkruara në gardhet dhe muret e shtëpive: Shkofsh në djall Putin; Shkofsh në djall Rusi etj. Pra problemi është se të gjithë rusët po sulmohen dhe dejonizohen si mbështetës të Presidentit Vladimir Putin.

Unë shkova në Tbilisi me fëmijët dhe bashkëshortin tim (kryeredaktori i Dozhd, televizivioni rus i pavarur, i mbyllur pak kohë më parë nga regjimi rus) kur u mbyll me dhunë dritarja e fundit për lirinë e fjalës në Rusi. Edhe pasi qeveria ruse e shpalli televizioni një “agjent në shërbim të të huajve” në gushtin e vitit 2021, unë dhe bashkëshorti im u lejuam të punonim, sepse Putin e konsideroi të nevojshme ruajtjen e një fasade të demokracisë.

Por pushtimi i dha fund edhe kësaj. Pavarësisht persekutimit të opozitës dhe gazetarëve, gjykatave të korruptuara dhe autoritarizmit, Rusia e para 24 shkurtit u dha shumë liberalëve hapësirë ??për të marrë frymë, madje edhe për të folur. Por tani rusët mund të burgosen deri në 15 vjet nëse flasin apo shpërndajnë të vërtetën rreth luftës.

Ai ishte paralajmërimi i fundit. Pas lëvizjes sonë, të cilën unë ende nuk guxoj ta quaj emigracion, nisa të kuptoj domethënien e kësaj lufte: Putini ka shkatërruar jo vetëm jetën e miliona ukrainasve, por edhe tonat. Për më tepër, ai ka arritur të bëjë diçka që ishte më parë e paimagjinueshme: Bota e qytetëruar, me vlerat e saj të humanizmit dhe respektit për çdo individ, iu përgjigj pushtimit të Ukrainës duke damkosur të gjithë rusët.

Sipas saj të gjithë ne rusët jemi përgjegjës për krimet e qeverisë së Putinit. Të gjithë jemi fajtorë. Në Tbilisi, një koleg nga televizioni Dozhd hipi në një taksi dhe e përshëndeti shoferin në rusisht. Pasoi një bisedë e shkurtër në anglisht: “Jeni rus?” “Po”.

“Ju lutem dilni nga makina!”.

Po kështu, kur isha e ftuar para disa kohësh në një emision televiziv për të rinjtë gjeorgjianë, një nga drejtueset adoleshente të emisionit më tha se rusët që mbërrinin në Gjeorgji do të bënin mirë të shkonin në Sheshin e Lirisë në qendër të Tbilisit dhe të shpallnin me zë të lartë mbështetjen për Ukrainën.

“Për shembull, unë nuk do t'u shërbeja rusëve që ulen në një kafene, derisa ata të shpallnin qëndrimin e tyre ndaj Putinit”- tha ajo. Me një lëmsh që mu mblodh në fyt, unë thashë disa fjalë për të drejtat e njeriut dhe demokracinë, dhe theksova se nuk ekziston diçka e tillë si “të gjithë rusët”, dhe se ne nuk përfaqësojmë Putinin.

Por diskutimi nuk vazhdoi. Por si arriti Perëndimi t’i ndëshkonte një komb të tërë? Izolimi i 145 milionë rusëve është një mënyrë e thjeshtë për të dalë nga situata aktuale. Ajo që po bën Putin në Ukrainë është një tragjedi. Çdo ditë ne shohim imazhe tronditëse të qyteteve të rrafshuara të Ukrainës, trupa njerëzish të vdekur të shtrirë në mes të rrugëve të shkatërruara dhe fëmijë të plagosur që u mungojnë krahët dhe këmbët.

Kur lexova se forcat ruse kishin vrarë një vajzë 3-muajshe dhe nënën e saj në Odesa, u indinjova pa masë. Ata që janë përgjegjës për krime të tilla duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore. Anketuesit e pavarur në Qendrën Levada raportojnë se 83 për qind e rusëve i miratojnë veprimet e Putinit.

Sigurisht që po, thotë perëndimori i indinjuar: rusët kanë në gjenet e tyre imperializmin dhe gjakmarrjen, dhe atyre u pëlqejnë diktatorët. Tek e fundit, ata zgjodhën si udhëheqës Putinin. Prandaj le të paguajnë edhe ata për sjelljet e tij. Ndaj t’ua refuzojmë atyre vizat, t`u ngrijmë llogaritë bankare. T’i pengojmë që të ndjekin universitetet tona prestigjioze. T’i dëbojmë ata nga La Scala, nga turneu i Uimbëlldonit.

Le të behët Rusia si Koreja e Veriut, dhe bota ta harrojë se ekziston ky vend. Por është e pamundur t’u besosh sondazheve të kryera nën një diktaturë, madje edhe kur ato kryhen me ndershmëri dhe me kompetencë. Njerëzit e frikësuar nuk i përgjigjen më sinqeritet pyetjeve. Ne nuk e dimë se sa rusë e mbështesin realisht Putinin.

Ajo që dimë është se gjatë 22 vitet e tij në pushtet, Putin ka shkatërruar mundësinë e zgjedhjes, duke burgosur apo internuar rivalët e tij, dhe duke i kthyer në një farsë proceset zgjedhor. Ndoshta historia e kohëve të fundit mund të orientojë më mirë drejt një reagimi më të nuancuar të Perëndimit ndaj popullit rus.

Në vitin 2008, Rusia pushtoi Gjeorgjinë. Ajo luftë ishte shumë më e shkurtër - zgjati vetëm 5 ditë - dhe solli pushtimin e 20 për qind të territorit të Gjeorgjisë nga Rusia. Presidenti i atëhershëm francez, Nikolas Sarkozi, ndërmjetësoi bisedimet për armëpushim.

Edhe pse Moska nuk i përmbushi detyrimet e saj sipas marrëveshjes që pasoi, Parisi nuk reagoi dhe demokracitë e tjera perëndimore e harruan shpejt atë ngjarje. Po ashtu duhet të kujtojmë veprimet e mëvonshme të presidentit të atëhershëm të Gjeorgjisë, Mikail Shakashvili.

Pavarësisht se ishte një nga kritikët më të pakompromis të Putinit (dikur e quajti “Liliputin” udhëheqës shtatshkurtër të Rusisë), Shakashvili hoqi regjimin e vizave për qytetarët rusë vetëm 3 vite e gjysmë pas luftës. “Ne nuk do ta mbyllim asnjëherë kufirin për biznesmenët dhe turistët rusë, sepse aty ku biznesi është aktiv, nuk ka vend për tanket”- tha ai.

Edhe pse Gjeorgjia dhe Rusia ende nuk kanë marrëdhënie diplomatike zyrtare, vendimi i Shakashvilit do të thotë se dhjetëra mijëra rusë kanë gjetur sot strehim në një vend të bombarduar nga avionët rusë 14 vjet më parë. Por shumë gjeorgjianë, nuk e kanë kapërcyer ende traumën e atij agresioni dhe pushtimi.

Ata po e përjetojnë pushtimin e Ukrainës nga Putini si një luftë të dytë kundër tyre, gjë që shpjegon pjesërisht edhe ndjenjën anti-ruse që ekziston këtu. Le të shpresojmë se Perëndimi mund të adoptojë një qasje më pak emocionale, dhe të refuzojë logjikën perverse të fajit kolektiv.

Në vend se të ndëshkojë me izolim të gjithë rusët, përfshirë ata, kundërshtimi i të cilëve ndaj Putinit i ka detyruar të largohen nga atdheu i tyre, zyrtarët perëndimorë duhet të merren me goditjen e burimeve, imazhit dhe parave të atyre që janë vërtet përgjegjës për këtë katastrofë.

Shënim:Ekaterina Kotrikadze, korrespondente dhe spikere në kanalin televiziv të pavarur rus “Dozhd”, të mbyllur kohët e fundit nga autoritetet në Moskë.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga