web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Lufta në Ukrainë dhe Ballkani Perëndimor

6 Qershor 2022, 08:32, Blog Ivana Stradner

Lufta në Ukrainë dhe Ballkani Perëndimor

Pushtimi i paligjshëm i Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin, është thjesht një vazhdim i luftës që ai nisi në vitin 2014. Ndonëse mendonte se do të ishte në gjendje të pushtonte Kievin brenda pak ditësh dhe të vendoste atje një regjim pro-Kremlinit, ka të ngjarë t’i ketë llogaritur gabim aftësitë e tij ushtarake dhe vendosmërinë e ushtrisë ukrainase.

Tani Putin po fokusohet në fazën tjetër të luftës, e cila është e fokusuar në rajonin e Donbasit. Duke pasur parasysh mangësitë ushtarake të Rusisë në Ukrainë, shumë zyrtarë dhe ekspertë në Perëndim po i gëzohen tashmë dështimit të tij. Por është shumë herët për ta bërë këtë, pjesërisht sepse Putini ka ende në dispozicion një mjet të fuqishëm joushtarak: armët informative.

Rusia i ka përdorur intensivisht këto armë që kur Putini u ngjit në pushtet, dhe po kërkon pikat e dobëta për ta shpërqendruar Perëndimin. Konkretisht Rusia po shfrytëzon Moldavinë, Gjeorgjinë, dhe Ballkanin Perëndimor si rrugë të reja potenciale për të përçarë Europën, ku Rusia po zbaton manualin e saj të njohur të shfrytëzimit të ndarjeve ekzistuese, dhe përkeqësimit të tensioneve separatiste.

Ofensiva fillestare e Moskës përbëhej nga 4 fronte kryesore: në Kiev nga veriu, në Harkiv nga verilindja, në Donbas nga lindja, dhe në Herson/Mariupol nga jugu. Trupat ruse arritën deri në periferi të Kievit, por nuk ia dolën të pushtonin kryeqytetin. Edhe përparimi i Rusisë në Harkiv nuk arriti të përparojë përtej periferisë së qytetit.

Ofensiva e Rusisë në Donbas ka hasur një rezistencë të madhe. Ofensiva e Rusisë në jug ishte më e suksesshmja, duke pushtuar Hersonin dhe më pas Mariupolin. Pavarësisht përqendrimit në rritje të forcave ruse në Donbas, trupat ruse po arrijnë përfitime territoriale të ngadalta dhe të kufizuara.

Ajo ka rrethuar aktualisht qytetin e madh ukrainas Severodonetsk. Por edhe nëse e pushton atë, për të pushtuar të gjithë Donbasin, do t’i duhet ende të pushtojë qytetet e mbrojtura mirë, Sllaviansk dhe Kramotorsk. Po si arritëm në këtë pikë?

Pushtimi rus i Ukrainës që nisi në shkurt, nuk duhet ta habiste aspak Perëndimin, duke pasur parasysh se Putini është përgatitur prej 2 dekadash për arritjen e synimeve të tij. Perëndimi dështoi t’u kundërvihej luftërave hibride të Moskës, dhe po ashtu të sfidonte në mënyrë aktive luftërat informative të saj.

Perëndimi ka marrë shumë masa mbrojtëse për të parandaluar ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e tij apo manipulimin e hapësirës së informacionit. Por nuk ka bërë të njëjtën gjë për të kundërshtuar operacionet informative ruse në nivel global.

Ndërkohë, Perëndimi dështoi të kufizonte aktivitetet e paligjshme financiare të Putinit dhe korrupsionin global. Nga ana tjetër e trajtoi me naivitet Putinin si një partner, dhe e lejoi atë të përshkallëzonte tensionet ushtarake dhe më pas të depërshkallëzonte krizën që ai prodhoi, duke e pozicionuar Rusinë si një ndërmjetëse në bisedime.

Putini e përshkroi rënien e Bashkimit Sovjetik si katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit të XX-të, e cila e pengoi Rusinë të mbetej një nga fuqitë e mëdha botërore. Gjatë mandatit të tij prej dy dekadash, Putini ka punuar për rivendosjen e një sistemi ndërkombëtar shumëpolar.

Po ashtu ai dëshiron të rikrijojë një sferë të ndikimit brenda ish-Bashkimit Sovjetik, dhe të kontrollojë afërsinë e tij jashtë vendit, veçanërisht Ukrainën dhe Bjellorusinë. Putini ka synuar gjithashtu ta përçajë NATO-n, dhe të tregojë se aleanca nuk do të respektojë angazhimin e saj ndaj anëtarëve që buron nga Neni 5.

Edhe pse Rusia nuk ka një “strategji të madhe” për Ballkanin Perëndimor, rajoni është hallka më e dobët e Europës, dhe për këtë arsye është pjesë e lojërave që luan Moska. Putini nuk ka ndërmend që ta pushtojë Ballkanin Perëndimor.

Por duke pasur parasysh dallimet etnike dhe fetare të përhapura midis shteteve të Ballkanit Perëndimor, presidenti rus e kupton shumë mirë se strategjia “përça dhe sundo” funksionon mjaft mirë në rajon. Fushata e Putinit në Ballkanin Perëndimor, është një rast studimor mbi metodat që ai përdor për të arritur objektivat e tij globalë.

Tani që Kremlini po i përdor këto dallime për të shkaktuar tensione të reja nëpërmjet përfaqësuesve të tij në Ballkanin Perëndimor, paqja e vazhdueshme në rajon nuk është më një garanci. Manualet si “lufta moderne” dhe “metodat joushtarake” që përdor Rusia janë të mirënjohura.

Ato përfshijnë protestat, sabotazhet apo subversionet, të shoqëruara me fushatën informative.

Ky është një prelud i procesit të ndërmjetësimit të Rusisë dhe i kryerjes së operacioneve paqeruajtëse. Po pse Putini vazhdon që ta shtyjë rajonin drejt destabilitetit?

Sepse kjo i jep atij mundësinë të përmbushë me një goditje tre nga objektivat e tij kryesorë të politikës së jashtme: të zhvlerësojë vetëmbrojtjen kolektive të NATO-s, të dobësojë BE-në; dhe ta shkëpusë vëmendjen e Perëndimit nga lufta në Ukrainë.

Duke përshkallëzuar me sukses tensionet në Ballkanin Perëndimor drejt një dhune të drejtpërdrejtë, Putini mund të tregojë se as NATO, as Bashkimi Europian, dhe as shoqëritë e tyre përbërëse nuk janë partnerë të besueshëm për asnjë nga popujt e rajonit.

Shënim: Ivana Stradner, këshilltare e Qendrës Barish në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga