web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Perëndimi po përpiqet të kuptojë se si mund të duket paqja në Ukrainë

4 Qershor 2022, 11:30, Blog CNA

Perëndimi po përpiqet të kuptojë se si mund të duket

“Der Spiegel”

Ka zona ku duket se fitorja është e arritshme. Në kryeqytetin ukrainas Kiev, lufta përjetohet ndonjëherë si një kërcënim i largët. Shumë kafene dhe restorante janë rihapur, madje kanë rinisur shfaqjet e operave. Sirenat që lajmërojnë fillimin e sulmeve ajrore janë bërë një gjë e rrallë.

Por a mund të shkohet nga suksesi i pjesshëm në fushën e betejës drejt fitores përfundimtare? Kirilo Budanov, kreu i shërbimit sekret ushtarak të Ukrainës, mendon se po. Ai thotë se deri në fund të këtij këtij viti do të jetë çliruar nga rusët edhe Krimea, dhe se vetëm rikthimi i gadishullit të Detit të Zi në duart e ukrainasve, i aneksuar nga Rusia në vitin 2014, do të shënojë fundin e luftës.

Kjo është një qasje që ka filluar të mbështetet nga shumë njerëz, dhe jo vetëm në Ukrainë. “Synimi duhet të jetë fitorja dhe ndonjë marrëveshje për paqe”- tha për “Der Spiegel” kryeministrja estoneze Kaja Kallas në fillim të këtij muaji. Homologu i saj polak, ishte edhe më i qartë. “Më bën përshtypje fakti se aktualisht po bëhen përpjekje për t’i paraqitur Putinit një kompromis që i shpëton fytyrën. Por si mund të shpëtohet një fytyrë, që është tashmë tërësisht e deformuar?”- tha kryeministri polak Mateush Moraviecki.

Pushtimi rus i Ukrainës nisi më shumë se 3 muaj më parë. Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, asgjë nuk e ka bashkuar NATO-n aq shumë sa lufta e Vladimir Putinit. Kjo e fundit i dha aleancës një ndjenjë të re të qëllimit dhe vetëbesimit, së bashku me dy kandidatë të rinj për anëtarësim: Suedinë dhe Finlandën.

Por tani sukseset e papritura ushtarake të ukrainasve kanë shkaktuar një mosmarrëveshje të re brenda aleancës perëndimore. Është e sigurt të pretendohet se Putini nuk do të jetë në gjendje ta pushtojë të gjithë Ukrainën. Por ashtu s’do të jetë në gjendje të vendosë në Kiev një qeveri kukull, sikurse kishte shpresuar.

Por si përfundon një luftë e nisur nga një fuqi bërthamore? Që nga Lufta e Dytë Botërore ka pasur shembuj të shumtë të një Davidi që ka mundur Golian: Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga Vietnami në vitin 1975, sepse pas më shumë se 50.000 jetëve të humbura në luftën në Lindjen e Largët, votuesit amerikanë donin fundin e asaj lufte.

Bashkimi Sovjetik i tërhoqi trupat e tij të fundit nga Afganistani në shkurtin e vitit 1989, pasi udhëheqësi i tij Mikail Gorbaçov e kishte kuptuar se lufta kundër muxhahedinëve nuk mund të fitohej. Por ajo disfatë i hapi rrugën kolapsit përfundimtar të perandorisë sovjetike, një poshtërim të cilin Putini e ka quajtur si katastrofa më e madhe e shekullit XX, të cilën ai shpresonte ta kompensonte me pushtimin e Ukrainës.

Zyrtarisht, të gjithë udhëheqësit perëndimorë këmbëngulin se kushtet në të cilat paqja me Putinin do të bëhet e mundur, varen tërësisht nga Ukraina. Kancelari gjerman Olaf Sholc, marrëdhënia e të cilit me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski nuk është aspak e ngrohtë, e ka theksuar se vendimet për të ardhmen e Ukrainës do të merren vetëm në Kiev.

Nga ana tjetër, SHBA-ja dhe NATO-ja kanë premtuar kolektivisht më shumë se 50 miliardë euro ndihmë ushtarake dhe kanë dërguar deri tani tanke, dronë, topa dhe shumë armatime shtesë. Por në prapaskenë, aleatët e NATO-s kanë filluar të diskutojnë se cilat synime duhet të mbështesë aleanca në këtë luftë dhe cilat jo.

Sholc dhe presidenti francez Emanuel Makron flasin hapur për mos-vendosjen e Putinit në një situatë ekstreme. Sigurisht, ata nuk duan që lideri i Kremlinit të fitojë luftën, por janë edhe më pak të interesuar të rrezikojnë një konflikt të drejtpërdrejtë me një fuqi bërthamore të poshtëruar dhe të paparashikueshme.

Në Berlin, jo pak politikanë të rëndësishëm u shqetësuan kur Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloid Ostin tha në një konferencë me aleatët në bazën ajrore “Ramstein” në Gjermani në fund të prillit, se jo vetëm që Ukraina duhet ta fitojë luftën kundër Putinit, por Rusia duhet të dobësohet që ta ketë shumë më të vështirë në të ardhmen që të ndërmarrë pushtime të ngjashme.

Strategjia “Win and Weaken” (Fito dhe Dobëso) e Uashingtonit, u mirëprit me entuziazëm në shumë vende të Europës Lindore. Por ajo është diametralisht e kundërt me qëndrimet e Sholc dhe Makron. Kancelari gjerman nuk e ka përmendur asnjëherë fjalën “fitore”, dhe në dallim nga presidenti amerikan Xho Bajden, i është shmangur etiketimit të Putinit si kriminel lufte.

Ukraina mund të ketë arritur suksese befasuese në fillim të luftës, duke arritur ta zmbrapsë ushtrinë ruse nga shumë zona. Por ndryshe nga fillimi i prillit, shërbimet e inteligjencës perëndimore bien tani dakord se një fitore e shpejtë e Ukrainës është jashtëzakonisht e pamundur.

Putini, thonë ata, po ndjek tani një strategji që është shumë më e zgjuar sesa sulmi i keqplanifikuar ndaj Kievit në ditët e para të luftës. Synimet e Rusisë në këtë luftë, janë me siguri shumë më të kufizuara sesa në fillim, madje edhe në Ukrainën Lindore. Një zyrtar i lartë gjerman thotë se makineria ruse e luftës do të fillojë të ndalet vetëm kur embargoja të shkaktojë mungesën e pjesëve të rëndësishme elektronike të nevojshme për sistemet moderne të armëve.

Edhe CIA flet për një skenar të ngjashëm. Sipas saj, Putini po përgatitet për një luftë të ngadaltë dhe brutale të shkatërrimit në Ukrainën Lindore dhe Jugore. Për shkak se shefi i Kremlinit është tërësisht i izoluar nga çdo formë e këshillave kritike, ekspertët besojnë se ai mendon se do të jetë në gjendje të vazhdojë të pushtojë territore në muajt e ardhshëm.

Në aspektin ushtarak, SHBA-ja është e përgatitur për një konflikt të zgjatur. Në takimin e ministrave të mbrojtjes nga më shumë se 40 vende përmes një video-konferencë të hënën e kaluar, Lloid Ostrin u kërkoi aleatëve të fillonin planifikimin për një luftë që mund të zgjasë edhe disa vite.

Këtë parashikim të zymtë bën edhe qeveria. Për një përparim thelbësor të fushën e betejës, njëra palë duhet të ketë një avantazh 3:1 ndaj tjetrës, një dominim që nuk mund ta kenë as rusët dhe as ukrainasit. Kjo do të thotë se shumica e shenjave tregojnë se do të kemi një luftë të përgjakshme dhe në ngërç të vazhdueshëm.

Ekspertët në Berlin besojnë se Putini do të ulet në tryezën e bisedimeve vetëm pasi të bëhet e qartë se nuk ka më ndonjë territor për të aneksuar. Gjermanët druhen se një luftë e gjatë mund të çojë në përçarjen e aleancës anti-Kremlin. Një zyrtar i lartë i inteligjencës gjermane, thotë se Putin beson se uniteti i Perëndimit mund të fillojë të shkërmoqet që në fillim të kësaj vere.

Të mërkurën e kaluar, Ministrja e Jashtme gjermane, Analena Baerbok, foli hapur për shqetësimet e saj mbi “lodhjen” nga lufta, që sipas saj mund të çojë në një situatë në të cilën publiku europian të nisë ta përqendrojë vëmendjen e tij në çështje të tjera.

Gjatë një lidhje online me Forumin Ekonomik Botëror në Davos, presidenti ukrainas Zelenski u pyet nëse e mendon si realist çlirimin e Krimesë. Ai u përgjigj se një veprim i tillë mund t’u kushtojë jetën qindra mijëra ushtarëve ukrainas. Dhe për momentin, as amerikanët nuk duken të përgatitur për ta armatosur Ukrainën deri në pikën që ajo të nisë një betejë për të rimarrë Krimenë.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga