web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ka ardhur koha t’u jepet fund “zonave gri” të Europës

3 Qershor 2022, 09:08, Blog CNA

Ka ardhur koha t’u jepet fund “zonave gri” të

Atmosferë pranvere në një qytet të Europës Lindore. Lulet lulëzojnë nëpër parqe dhe midis pemëve të mbjella në mënyrë të rregullt. Njerëz që rrinë në pjesën e jashtme të kafeneve në qendër të qytetit, dhe zëra në gjuhën ruse që përzihen me gjuhën vendase dhe ato të huaja.

Elementë të tranzicionit postkomunist përzihet lehtësisht me qendrat tregtare dhe modernitetin. Vendi ka në krye një ekip reformatorësh relativisht të rinj në moshë, plot energji dhe proeuropianë, që janë të etur të luftojnë korrupsionin dhe të rimëkëmbin ekonominë pas pandemisë.

Vizioni i tyre: ta vendosin vendin në mënyrë të vendosur në rrugën drejt një “Europe” që ofron një të ardhme me perspektiva më të mira. Mund t’iu falet nëse mendoni se bëhet fjalë për Ukrainën, pasi e tillë ishte në fakt atmosfera në qytetet e saj vetëm një vit më parë.

Mjerisht ky është Kishinau, kryeqyteti i Moldavisë, një vend i udhëhequr nga dy gra, presidentja Maia Sandu dhe kryeministrja Natalia Gavrilita. Ato janë të detyruara që t`ia përshtatin axhendën e tyre modernizuese kushteve të përkeqësuara të sigurisë rajonale, duke përfshirë kërcënimet që vijnë ngë Rusia për të zgjeruar luftën në vendin e tyre, përmes rajonit të Transnistrisë të pushtuar nga Moska.

Dhe ky nuk është një kërcënim që mund të merret lehtë. Odesa aty pranë bombardohet vazhdimisht nga luftanijet ruse në Detin e Zi. Më tej, përgjatë bregdetit të Detit të Zi, Mariupoli është shndërruar në një gërmadhë të mbushur me kufoma.

Prandaj ndjenja e lumturisë që percepton në rrugët e Kishinaut është mashtruese. Zyrtarët e qeverisë përçojnë një ndjenjë pasigurie; edhe pse ata janë gjithsesi shumë më të qetë se sa mund të sugjerojnë disa nga titujt e mediave perëndimore mbi Moldavinë.

Shpërthimet në Transnistria në muajin prill duket se janë inskenuar nga shërbimet ruse të sigurisë ose separatistët e mbështetur prej tyre. Megjithatë, siç më tha një këshilltar i lartë i qeverisë moldave: “Transnistria është një kleptokraci e përsosur, që merr më të mirën e të dyja botëve: qasjen në BE përmes pasaportave moldave dhe Marrëveshjes së Asociimit me BE-në dhe flukseve të paligjshme tregtare me Ukrainën. Udhëheqësit në Tiraspol nuk duan që të rrezikojnë duke e ndryshuar këtë realitet”.

Në vend që të hapë një front tjetër kundër Ukrainës (Moldavia është në kufirin e saj jugperëndimor), synimi kryesor i Rusisë duket të jetë destabilizimi i këtij vendi kryesisht rumanishtfolës (dhe fqinjes së saj Rumanisë). Moldavia është plotësisht e varur nga energjia ruse.

Në Rusi jetojnë rreth 320.000 qytetarë moldavë, ku shumë prej tyre dërgojnë remitanca në shtëpinë e tyre. Megjithatë, ajo ka zbatuar në heshtje sanksionet financiare kundër Rusisë, dhe ka bashkuar votat për të dëbuar Rusinë nga organet ndërkombëtare kryesore. Zëdhënësit e Kremlinit e kanë sulmuar Sandunë, dhe mediat propagandistike ruse kanë ndjekur të njëjtin shembull.

Ndikimi i luftës ka minuar bazat makroekonomike dhe e ka dëmtuar aftësinë e qeverisë për të ndjekur axhendën e saj ekonomike. Inflacioni ka arritur nivelin 27 për qind, dhe janë rritur edhe çmimet e energjisë. Ndërsa Moldavia është përballur me një barrë joproporcionale në pritjen e refugjatëve ukrainas, më shumë se 90.000 që mbeten ende atje kanë shkaktuar pakënaqësi në popullatën vendase, diçka që fushatat ruse të dezinformimit po e shfrytëzojnë në maksimum.

Shumë moldavë shohin nga BE plot shpresë. Lëvizja e shkathët e Zelenskit për të kërkuar anëtarësimin në BE, duke shfrytëzuar simpatinë e madhe për Ukrainën në Perëndim, ka rritur pretendimet e të tjerëve. Moldavia dhe Gjeorgjia ndoqën me shpejtësi shembullin e saj.

Por moldavët janë të shqetësuar se me gjithë fokusin mbi Ukrainën, ata mund të braktisen në një “zonë gri”, siç e tha vetë Gavrilita në Forumin e Davosit. Ata mendojnë se e meritojnë një sinjal tani nga Brukseli dhe kanë të drejtë. Partneriteti Lindor i BE-së u ndërtua mbi një iluzion.

Ai futi në një grup të gjitha vendet që ndanin një histori të zymtë brenda Bashkimit Sovjetik, por kishin aspirata dhe kultura shumë të ndryshme. Ukrainasit, moldavët dhe gjeorgjianët ndërtuan demokraci të reja, dhe e kanë parë atë partneritet si një moment historik në rrugën e tyre drejt integrimit në BE, që gëzon shumë mbështetje në vend.

Por aktualisht pjesa tjetër e atij klubi nuk ka një qëllim të tillë, anon drejt autoritarizmit dhe mban lidhje shumë të ngushta me Kremlinin, edhe nëse kjo ka të bëjë më shumë me nevojën sesa dashurinë ndaj Moskës. Sot Partneriteti Lindor është thuajse i “vdekur”.

Ka ardhur koha që udhëheqësit europianë të ofrojnë një axhendë më ambicioze. Në fund të qershorit, BE mban samitin e radhës, së bashku me samitin e NATO-s në Madrid. Samitet e BE-së ofrojnë rrallë mundësinë e zhvillimit të diskutimeve me natyrë strategjike. Por takimi i radhës duhet të ofrojë një mundësi që liderët e BE-së të shfrytëzojnë momentin historik dhe për t’i dhënë formë të mëtejshme paqes dhe arkitekturës së sigurisë demokratike të Europës në shekullin e XXI-të.

Ukraina duhet të marrë statusin e vendit kandidat. Ky vendim politik do të ndihmonte procesin e rindërtimit; do të forconte përpjekjet demokratizuese në këtë vend, të bllokuara aktualisht nga nevojat e luftës; do t’u jepte mundësi refugjatëve ukrainas të rikthehen në vendlindje dhe do të forconte qëndrueshmërinë e këtij vendi.

Për arsye të ngjashme, udhëheqësit europianë duhet t’i japin gjithashtu një sinjal të fortë pozitiv Moldavisë, duke ndihmuar kësisoj përpjekjet reformatore të dyshes Sandu-Gavrilita. Ky nuk është thjesht një shpërblim. Por do të ndihmonte në shmangien e rrezikut të përsëritjes së asaj që ndodhi këtu disa vite më parë: zgjedhjet e anuluara, që e detyruan BE-në të pezullojë ndihmën e saj dhe një president pro-rus që flirtonte me Moskën dhe që ishte i painteresuar për reformat.

Udhëheqësit e BE-së duhet gjithashtu të marrin në konsideratë çështjen e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, për arsye se ajo përshtatet me panoramën e përgjithshme. Brukseli duhet të sqarojë se pse Serbia që është miqësore me Rusinë është një vend kandidat, ndërsa Ukraina shumë eurofile jo.

Për këto dilema s’ka përgjigje të lehta, dhe çdo vendim i tillë do të paraqesë një grup të ri problemesh. Por është e sigurt që ideja e një BE-je të konceptuar si një automjet me “motor” franko-gjerman nuk i plotëson më nevojat shekulli XXI. Në Europën e këtij shekulli duhet një BE më e gjerë, duke e mirëpritur dinamizmin e vendeve si Ukraina dhe Moldavia.

Kjo do të ndihmonte në ndërtimin e një shteti më të pasur, të përshtatshëm për të luftuar betejat e mëdha të këtij shekulli të ri, ku demokracia mund ta mposhtë autoritarizmin dhe ku vendet demokratike mund të zmbrapsin së bashku sjelljen imperialiste të një lideri autoritar në Kremlin, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

Shënim: Borja Lasheras, anëtar i programit Transatlantik të Mbrojtjes dhe Sigurisë në Qendrën për Analizën e Politikave Europiane (CEPA). Në vitet 2018-2021, ka qenë këshilltar i presidentit spanjoll për politikën e jashtme.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga