web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pse NATO duhet të mendohet dy herë përpara sesa të pranojë Finlandën dhe Suedinë

5 Qershor 2022, 13:46, Blog Emma Ashford
Pse NATO duhet të mendohet dy herë përpara sesa të
Foto ilustruese

Një nga ironitë e luftës së Rusisë kundër Ukrainës - që gjoja po ndodh për të parandaluar anëtarësimin e saj në NATO - ka qenë ndikimi i saj te dy nga shtetet tradicionalisht neutrale të Europës, Finlanda dhe Suedia. Më 18 maj, 84 ditë pas fillimit të pushtimit, ambasadorët e këtyre vendeve dorëzuan aplikimet për t’u bërë pjesë e aleancës në një ceremoni publike në selinë e saj qendrore në Bruksel.

“Ky është një moment historik, të cilin ne duhet ta shfrytëzojmë. Ju jeni partnerët tanë më të ngushtë dhe anëtarësimi juaj në NATO do ta forcojë sigurinë tonë të përbashkët.”- u shpreh Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg. Ka shumë gjasa që aplikimet e tyre të miratohen me shpejtësi, dhe NATO të zgjerohet në 32 shtete anëtare.

Por në nxitimin për të sfiduar Putinin, udhëheqësit e SHBA-së dhe NATO-s mund të mos marrin në konsideratë kostot e mundshme të anëtarësimit të këtyre 2 vendeve. Ky proces sjell 2 përfitime të qarta. I pari është simbolik: dëshmon qartë solidaritetin europian dhe demokratik kundër agresionit rus në Europën Lindore.

I dyti është teknik: Pranimi i Finlandës dhe Suedisë, do të lidhte më mirë anëtarësimin në NATO me atë të BE-së, duke shmangur skenarin që nuk ka shumë gjasa, por që gjithsesi mbetet problematik, në të cilin një vend anëtar i BE-së i nënshtrohet agresionit, por nuk mbulohet dot nga Neni 5 që parashikon mbrojtjen reciproke nga anëtarët e NATO-s.

Megjithatë në çdo aspekt tjetër, çështja e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë është më e ndërlikuar dhe shqetësuese. Për shembull marrim kapacitetin e përgjithshëm evropian të mbrojtjes. Është e vërtetë që Finlanda dhe Suedia kanë ekonomi shumë të zhvilluara.

Ato mund të jenë kontribuese të mëdha në aftësitë teknologjike të NATO-s, nëpërmjet kompanive më famë ndërkombëtare si “Ericsson AB” dhe “Nokia Oyj”.

Po ashtu ato janë më të afta në aspektin ushtarak sesa disa shtete të tjera evuropiane. Sidomos Finlanda, që ka ruajtur shërbimin e detyrueshëm ushtarak në periudhën e pas Luftës së Ftohtë, dhe zotëron forcën më të madhe të artilerisë në kontinent. Por nga këndvështrimi i anëtarëve aktualë të NATO-s - dhe veçanërisht SHBA-së - hyrja e tyre nuk mund të cilësohet domosdoshmërisht një fitore.

Finlanda dhe Suedia i kanë përqendruar prej kohësh ushtritë e tyre në mbrojtjen e territoreve të tyre, duke ngritur dyshime për vlerën e tyre në ndihmë të mbrojtjes së përbashkët, e cila është në qendër të aktit themelues të NATO-s.

Pse NATO duhet të mendohet dy herë përpara sesa të

Dhe ndërsa të dyja vendet janë zotuar të rrisin shpenzimet e tyre ushtarake dhe aftësinë për të forcuar mbrojtjen më të gjerë të Evropës, ka të ngjarë që të mos e bëjnë këtë. Ato mund të përdorin fuqinë ushtarake të Amerikës - dhe ombrellën e saj bërthamore - siç kanë bërë shumë shtete evropiane për vite me radhë.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, asnjë vend nuk është afër përmbushjes së objektivit të NATO-s, për të shpenzuar 2 për qind të PBB-së në fushën e mbrojtjes. Historia na tregon se rezultati më i mundshëm, është që dy shtete të tjera ta shtojnë barrën e mbrojtjes për Amerikën, pikërisht në një kohë kur Uashingtoni duhet të jetë duke e kthyer vëmendjen drejt Azisë.

Po ashtu le të analizojmë edhe çështjen e mbrojtjes së territorit të ri të NATO-s. Pranimi i Suedisë mund të jetë strategjikisht i dobishëm, pasi i jep mundësi forcave të NATO-s që të kontrollojnë më mirë Detin Baltik dhe të përdorin ishullin Gotland si një bazë strategjike për çdo konflikt që mund të shpërthejë në të ardhmen.

Ndërkohë, territori finlandez përbën një makth strategjik, pasi do të rriste shumë ekspozimin e aleancës ndaj çdo sulmi të ardhshëm nga Moska. Ky vend ndan një kufi prej 1250 km me Rusinë, dhe siç e theksoi një studim i fundit nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare është “shumë i ekspozuar ndaj kërcënimeve ushtarake ruse”.

Pse NATO duhet të mendohet dy herë përpara sesa të

Por ka edhe arsye të tjera për të pasur kujdes, përfshirë shqetësimet e zakonshme mbi zgjerimin e aleancës në një grup gjithnjë e më të madh shtetesh anëtare. S’ka nevojë të jesh një gjeni për të parashikuar se 32 kombe do të jenë edhe më të vështira për t’u menaxhuar sesa 30.

Përpara luftës së Ukrainës, NATO po përpiqej të ruante paqen midis Greqisë dhe Turqisë, pak vende po përmbushnin objektivin e shpenzimeve në nivelin 2 për qind, dhe presidenti francez Emanuel Makron bëri bujë në media me deklaratën e tij se aleanca po përjetonte “një vdekje klinike”.

Edhe përballë agresionit të Rusisë, mbështetja për zgjerimin me dy anëtarë të rinj nuk është unanime. Kundërshtimi i ashpër i Turqisë ndaj Finlandës dhe Suedisë, mund të jetë një përpjekje për të marrë disa lëshime politike nga aleanca, por ai vjen edhe për shkak të mbështetjes së madhe të këtyre vendeve ndaj kauzës kurde.

Udhëheqësit e aleancës duhet të marrin parasysh edhe rrezikun e reagimit të tepruar të Rusisë. Moska ka nisur 3 luftëra kundër zgjerimit të mundshëm të NATO-s, duke pushtuar Gjeorgjinë në vitin 2008 dhe Krimenë në vitin 2014 para luftës aktuale.

Ndërkohë është e qartë se Moska nuk është tani për tani në gjendje të organizojë një tjetër fushatë të madhe ushtarake, nuk mund të përjashtohet mundësia që presidenti Vladimir Putin të ndërmarrë ndonjë veprim të paarsyeshëm në kundër përgjigje të një zgjerimi të NATO-s që e afron kufirin e aleancës vetëm 320 km larg vendlindjes së tij në Shën Petersburg.

Njëkohësisht, nuk është e qartë se Finlanda dhe Suedia janë më të rrezikuara nëse nuk do të lejohen të hyjnë në NATO. Ato janë mbështetur prej kohësh në statusin e tyre neutral dhe në kapacitetin e tyre mbrojtës të brendshëm për të parandaluar krizat. Refuzimi për t’i pranuar ato në NATO, nuk do të thotë një braktisje e tyre në mëshirën e fatit, por thjesht ruajtje e një statuskuoje që funksionon.

Vlera simbolike e pranimit të dy shteteve të reja anëtare, si një kosto ndaj sulmit brutal të Rusisë ndaj Ukrainë, mund të entuziazmojë Brukselin. Por, përpara se të vazhdohet më tej me procesin e pranimit - që u ofron liderëve dhe parlamenteve të çdo shteti anëtar shansin për të reflektuar - politikëbërësit duhet të marrin në konsideratë të gjithë panoramën strategjike, dhe nëse anëtarësimi i tyre e forcon apo jo aleancën.

Neni 10 i Traktatit të Atlantikut të Veriut, e bën të qartë se anëtarët ekzistues, mund të ftojnë shtete të reja që të anëtarësohen, në rast se ato do të “kontribuojnë në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut”. Sipas këtij standardi, pranimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO duhet trajtuar me shumë kujdes.

Shënim:Emma Ashford, anëtare e Qendrën Skaukroft për Strategjinë dhe Sigurinë në think-tankun “Atlantic Council”./ “Bloomberg”-Përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga