web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Bizneset shqiptare "pushtojnë" Berlinin/ Mbi 100 kompani korrin sukses në “Global Albanian Gastronomy”

4 Tetor 2024, 10:40, Qyteti im CNA



Mbi 100 kompani nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, diaspora, si dhe ndërmarrje gjermane me pronësi shqiptare u bënë bashkë për dy ditë me radhë në panairin “Global Albanian Gastronomy”. Ky festival gastronomie zhvillohej për herë të parë, ndërsa qindra kompani shqiptare prezantuan më së miri vlerat që mbartin dhe tejçuan ekselencën dhe suksesin e bizneseve shqiptare në Berlin.

CNA e ndoqi nga afër këtë panair, nëpërmjet gazetarit Elvi Fundo, i cili pa stendat me produktet nga më të shumëllojshmet, si dhe takoi biznesmenë dhe përfaqësues të kompanive shqiptare. Në “Arena Halle” të Berlinit gjendeshin sipërmarrje të shumta gastronomie, si restorantet, produkte artizanale nga më të ndryshmet, si birrë artizanale, apo akullore artizanale, biznese të prodhimit të vajit organik e kështu me radhë.

ARBANA OSMANI PREZANTON “BANA’S” NË “GLOBAL ALBANIAN GASTRONOMY”

Bizneset shqiptare "pushtojnë" Berlinin/ Mbi 100 kompani korrin

Surpriza e këtij panairi ishte pjesëmarrja e Arbana Osmanit, e cila ka zgjedhur që restorantin e saj “Bana’s” tashmë t’ia prezantojë edhe publikut gjerman. Arbana Osmani vendosi të ndajë për CNA-në disa nga strategjitë për biznesin e saj dhe se si lindi pasioni për të hapur këtë restorant, i cili që në fillesat e tij pati shumë sukses dhe u mirëprit nga shqiptarët. Pa mbushur ende një vit nga hapja e “Bana’s”, restoranti ka 3 pika të tij në Tiranë, Shkodër dhe Prishtinë. Osmani zbulon se synimi i saj i afërt është që të zgjerohet në tregun europian, duke hapur restorante edhe në Gjermani dhe Zvicër.

“’Bana’s’ ka nisur nga një pasion imi për kuzhinën, kulinarinë dhe dëshirën për të ngrënë mirë. Kam publikuar dy libra, që në fakt kanë recetat e mamit, gjyshes, por edhe nga udhëtimet. Asnjë shpikje e madhe, por një dëshirë për të ndarë receta të mira me ndjekësit e mi. Lindi nga pasioni, vijoi me dëshirën për ta çuar këtë brand në një nivel më të lartë. Ne akoma pa bërë 1 vit kemi tri pika, një në Tiranë, një në Shkodër dhe një në Prishtinë. Jemi duke parë mundësinë për t’u zgjeruar në tregun europian, si në Gjermani, apo Zvicër”, tha Osmani.

Arbana Osmani është një ndër moderatoret e mirafirmuara në tregun mediatik shqiptar dhe nuk kishte si të mos e pyesnim se cila prej dy botëve është më e bukur, ajo e kulinarisë apo ajo e medias.

“Janë të ndryshme, por të themi se bota e kulinarisë ka më pak stres, është më terapeutike. Mendoj që vëmendjen e mori brandi, se unë isha një personazh i njohur, por askush nuk do të hajë gjëra të këqija se i pëlqen Arbana. Mendoj se suksesi është puna”, tha Osmani.

“ROZAFA” “ZBRET” NË BERLIN

Bizneset shqiptare "pushtojnë" Berlinin/ Mbi 100 kompani korrin

Në këtë event madhështor nuk kishte si të mungonte “Rozafa”, një kompani lider në industrinë e peshkut në Shqipëri, e njohur për gastronominë. Me shumë anije peshkimi dhe 4 qendra të rëndësishme përpunimi, “Rozafa” është kthyer në gjigantin e flotës së peshkimit në detin Adriatik dhe Mesdhe. Kompania “Rozafa” e sipërmarrësit Gjergj Luca zotëron një rrjet restorantesh si në Tiranë, Elbasan, Maliq dhe në Shëngjin.

UJI SELITA, NË PANAIRIN E BERLINIT

Bizneset shqiptare "pushtojnë" Berlinin/ Mbi 100 kompani korrin

Pjesëmarrës në panair ishte edhe uji Selita, i cili prej 3 vitesh është prezent në tregun shqiptar, ndërsa në një kohë fare të shkurtër është bërë një nga produktet e ujit më të preferuar për shqiptarët. Synimi i këtij brendi është që të zgjerohen globalisht, duke përfshirë këtu edhe Gjermaninë.

“Uji Selita është në tregun shqiptar prej tri vitesh. Kemi shumë formate, duke filluar nga 0.33 L dhe duke përfunduar te 5L i plastikës. Pastaj te pjesa e qelqit jemi në tri formate, si natyral dhe ujë me gaz. Jemi në këtë panair që të jemi në shumë vende, të tregtohemi globalisht. Synojmë edhe Gjermaninë. Është një ujë me vlera minerale që i përshtatet shumë tregut gjerman.”

AKULLORJA E KOSOVËS “SANREMO ICE CREAM”, NË PANAIRIN E BERLINIT

Bizneset shqiptare "pushtojnë" Berlinin/ Mbi 100 kompani korrin

Gazetari Elvi Fundo ka biseduar me një prej biznesmenëve të Kosovës, i cili ka sjellë në panair "Sanremo Ice Cream", një akullore artizanale e prodhuar fillimisht në Prizren dhe tashmë prej një viti tregtohet në Berlin. Planet e "Sanremo Ice Cream" janë që brendi në 5 vitet e ardhshme të ndërkombëtarizohet.

“’Sanremo Ice Cream’ është prodhuar në Prizren, është artizanale, me receta italiane. Deri tani është tregtuar në tregun e Kosovës. Që prej një viti e tregtojmë në Berlin. Është certifikuar e kontrolluar sipas standardeve. Po ecën shumë mirë edhe në Berlin, planet janë prej Berlinit të shpërndahemi në gjithë Europën. Koncepti është shumë interesant edhe për lokale dhe gastronomi që të përdoret. Synimet janë që ky brend të bëhet i njohur, në 5 vite të bëhet i njohur në Europë dhe më pas të ndërkombëtarizohemi”.

“BIRRA E GJYSHIT”, NË PANAIRIN E BERLINIT

Bizneset shqiptare "pushtojnë" Berlinin/ Mbi 100 kompani korrin

Mes shumë stendave ishte edhe “Birra Gjyshi”, një prodhim artizanal dhe me shije të veçantë për adhuruesit e këtij produkti. Birra prodhohet në qytetin e Pogradecit. Ky produkt ka hyrë në treg që prej vitit 2019 dhe synon të depërtojë në tregun ndërkombëtar, e pse jo të konkurrojë edhe birrat gjermane me të veçantën që konsiston në prodhimin dhe përbërjen e saj.

“‘Birra e Gjyshit’ është artizanale dhe lindi si dëshirë për të konsumuar një produkt të veçantë dhe të shëndetshëm, dhe sidomos për të konsumuar një produkt biologjik. Prodhohet në Pogradec. Birra ka hyrë në treg që në vitin 2019. Kjo është arsyeja pse jemi këtu. Birrat gjermane nuk mund t’i imitosh, por ne kemi një stil të veçantë për një treg që i pëlqen birra artizanale dhe mund t’i afrohet se është diçka e veçantë. Është një birrë e pafiltruar, pa konservantë, është natyrale. Këto janë dy stile belge me 4.4% alkool dhe 5.5% alkool”.

VAJI I ULLIRIT “MUSAI”, NË “GLOBAL ALBANIAN GASTRONOMY”

Bizneset shqiptare "pushtojnë" Berlinin/ Mbi 100 kompani korrin

Shqipëria njihet për prodhimin e vajit të ullirit të cilësisë së lartë. Një prej bizneseve që sjell për klientët vaj organik ekstra të virgjër, që prej vitit 1995 është edhe vaji i ullirit ‘Musai’. Vaji i ullirit ‘Musai’ konkurron në tregun vendas dhe të huaj si produkt i certifikuar bio/organik nga institucionet ndërkombëtare. Vaji tregtohet në shumë vende të botës, përfshirë atë amerikan, ndërsa ka si synim shtrirje më të gjerë në Europë, e konkretisht në Gjermani.

“Kompania është në treg që prej vitit 1995, pra vitin tjetër bëjmë 30 vite. Produkti është i certifikuar organik. Është një produkt supercilësor. Prodhojmë një vaj ulliri nga varieteti autokton kalinjot i Vlorës. Teknologjia që përdorim në kompaninë tonë është nga teknologjitë më të fundit. Vit për vit përmirësohemi në teknologji. Kjo ka treguar që prodhimi është shumë cilësor dhe jemi vlerësuar me 17 medalje ari në konkurset ndërkombëtare. E kemi vajin në tregun europian, edhe në Angli, por tregun më të mirë kemi tregun amerikan. Prej vitesh jemi shumë stabël në tregun amerikan. Në tregun europian e kemi në disa klientë, në disa segmente. Synojmë tregun gjerman, është një nga tregjet më të mira, e kemi pasur dhe synojmë ta rihedhim si produkt. Gjermanët janë pak të vështirë, se nuk janë të njohur me cilësinë superiore të vajit të ullirit. Gjermanët janë mësuar me vajin e butë, ndërsa varieteti kalinjot karakterizohet nga aroma e fortë dhe elementët më të mirë që duhet të ketë vaji.”

“SHKALLA SH.”, HISTORI QË DATON 100 VITE MË PARË

Bizneset shqiptare "pushtojnë" Berlinin/ Mbi 100 kompani korrin

“Shkalla Sh.” është një tjetër kompani shqiptare që mori pjesë në “Global Albanian Gastronomy”. E krijuar në vitin 1996, “Shkalla Sh.” prodhon vaj organik ekstra të virgjër. Produktet e saj ishin në stendën e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve.

Ky produkt është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare. Kompania është përfshirë në katalogët e vajit të ullirit global që nga viti 2007. Në sajë të përpjekjeve të vazhdueshme dhe me asistencën e donatorëve të huaj, “Shkalla Sh.” eksporton vaj ulliri organik ekstra të virgjër në Zvicër, si dhe prodhon për tregun vendas. Pjesëmarrja në festivalin e gastronomisë synon depërtimin e mëtejshëm në tregun e huaj, kryesisht atë gjerman.

“Global Albanian Gastronomy” ofroi dy ditë me mundësi të jashtëzakonshme, plot me takime me figura të shquara dhe gastronomë të njohur. U zhvilluan diskutime frymëzuese, promovime dhe degustime të shijshme të ushqimeve tona tradicionale, ndërsa panairi u vizitua nga mijëra qytetarë të huaj dhe shqiptarë. Bizneset shqiptare u bënë bashkë për të shijuar dhe vlerësuar pasuritë e traditës sonë.

Berlini foli shqip në datat 2 dhe 3 tetor dhe tregoi se shqiptarët dinë të shkëlqejnë kur bëhen bashkë!/ CNA





Lajmet e fundit nga