web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kolonia Ndërkombëtare e Artit Viziv/ Mbahet për të 15-tin vit radhazi në Pogradec

15 Shtator 2024, 20:40, Qyteti im CNA

"Pogradeci '24'", Kolonia Ndërkombëtare e Artit Viziv, është mbajtur për të 15-tin vit radhazi në qytetin e Pogradecit, ku 22 artistë nga vende të ndryshme të botës, si Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Polonia, Anglia, Iraku, Koreja dhe vende të tjera, u bashkuan për të zhvilluar artin e tyre.

Artistët krijuan piktura të mrekullueshme në teknika të ndryshme, nga data 9 deri në 11 shtator, duke u frymëzuar nga qyteti liqenor.

Natyra, ajri dhe njerëzit janë disa nga elementet që këta artistë ndërkombëtarë patën si burim frymëzimi pasi vizituan edhe destinacionet turistike dhe historike, sipas organizatorit Saimir Ahmeti. Ndërkohë, ekspozita do të ketë ndalesën e radhës në festivalin ndërkombëtar të “Skampës”, i cili pritet të zhvillohet gjatë muajit tetor.

Kolonia Ndërkombëtare e Artit Viziv/ Mbahet për të 15-tin

"Është viti i 15-të i kolonisë ndërkombëtare të artit viziv. Është krijuar një traditë e bukur në këtë qytet që jep dashuri dhe frymëzim. Janë 22 artistë nga gjithë vendet e Ballkanit, kemi edhe nga Lituania, Koreja e Jugut, Anglia, etj. Janë artistë që qëndruan dhe morën frymëzim nga Pogradeci. Teknikë e veçantë është ajo e artistit nga Koreja, i cili punonte aluminin si një punëtor i fortë dhe i jepte ngjyrë të veçantë. Të gjithë e duan Pogradecin dhe për ta është diçka që ndihet në ajër, të frymëzon; ka të bëjë me natyrën dhe njerëzit. Është një lloj ndjesie që ndihet, por nuk e themi dot konkretisht se çfarë është. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë, mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Pogradecit. Përgjithësisht, tematikën e lëmë të lirë; nëse do ta linim me një tematikë të caktuar, mbase artisti s’do të ndihej aq i lirë për të dhënë më të mirën", deklaroi Saimir Ahmeti.

Kolonia Ndërkombëtare e Artit Viziv/ Mbahet për të 15-tin

Mes artistëve të shumtë dhe besnikë të kolonive të piktorëve është dhe piktorja Marjana Goxhabelliu, e cila shpreh emocionet e të pikturuarit në një vend si Pogradeci, duke theksuar se peizazhet që ofron liqeni janë nga më unikët dhe nuk mund të gjenden askund tjetër.

"Pogradeci është një nga qytetet më të bukura dhe të dashura që kam vizituar. Më pëlqen natyra, por edhe njerëzit janë nga më të urtët që kam takuar. Sa herë dëgjoj që organizohet Kolonia Ndërkombëtare e Artit në Pogradec, vij e para, sepse këtu gjithçka të frymëzon, veçanërisht liqeni. Është një magji më vete. Këtë herë kam sjellë një peizazh, ndërsa herët e tjera kam sjellë kompozime. Mendoj se kam kapur frymën dhe ngjyrën e qytetit. Mes artistëve kemi qenë një grup shumë i mirë; kemi shkëmbyer eksperienca dhe kemi kaluar shumë mirë me njëri-tjetrin. Madje, kishim dhe disa artistë që ishin ndër kërcimtarët më të mirë dhe kemi kaluar kohë të shkëlqyer. Për mua, deti është më i thjeshtë për ta stampuar si ngjyrë, kurse liqeni është më i vështirë. Sot, liqeni më dukej sikur kishte një pjesë të zezë që nuk arrija dot ta kapja", u shpreh Marjana Goxhabelliu.

Kolonia Ndërkombëtare e Artit Viziv/ Mbahet për të 15-tin

Jola Kitkowska nga Polonia dhe Lina Sami, me origjinë irakiano-angleze, janë dy prej artisteve të cilat janë bërë pjesë e kolonisë së pikturave, të cilat shprehen të impresionuara me atë që kanë gjetur në Pogradec.

"Është hera ime e parë këtu dhe jam shumë e surprizuar se sa i bukur është ky vend. Në këtë ekspozitë kam sjellë pikturën e një gruaje surreale, pasi më pëlqen të miksoj realitetin dhe imagjinatën si një botë ëndërrimi. Puna ime shpeshherë përfshin pak realitet dhe pak imagjinatë. Liqeni, malet, natyra këtu në Pogradec janë të mrekullueshme. Zogjtë janë gjithandej dhe ky qytet të jep ndjesinë e paqes dhe qetësisë, që është e mrekullueshme për artistët, pasi këtu mund të gjejnë frymëzim për pikturat. Gjithmonë përdor ngjyra të ndezura, më pëlqen të krijoj një pamje të fortë dhe një paletë të qartë”, tha Kitkowska.

Kolonia Ndërkombëtare e Artit Viziv/ Mbahet për të 15-tin

“E kam vizituar Shqipërinë që në vitin 2018, pra ka shumë vite që rikthehem çdo vit gjatë periudhës së verës dhe qëndroj këtu. Kam marrë pjesë edhe më parë në këto aktivitete gjatë 6 viteve që kam ardhur në Shqipëri. Gjithashtu, kam pasur një ekspozitë private në Pogradec në vitin 2019, kështu që nuk jam e huaj në këtë qytet. Kam dy piktura të ekspozuara sot, të cilat janë kombinime të rrënjëve të mia dhe artit modern”, deklaroi Lina Sami.

Kolonia Ndërkombëtare e Artit Viziv/ Mbahet për të 15-tin

Ndërkaq, ekspozita me veprat e artistëve ndërkombëtarë do të qëndrojë e hapur për dy javë në qytetin e Pogradecit, duke mirëpritur vendas dhe vizitorë./ CNA TV





Lajmet e fundit nga