web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

"Vera Kulturore Maqedonase", festivali që bashkon komunitetet në Prespë

2 Korrik 2024, 16:30, Qyteti im CNA

Zona e Prespës në vendin tonë është një nga më të bukurat që ka juglindja, me natyrën fantastike, atraksionet turistike e kulturore, e për më tepër mikpritjen e banorëve të saj. Fokusi për zhvillim sa më të madh të kësaj zone është pikërisht te turizmi dhe thithja e sa më shumë vizitorëve, e për këtë, në Bashkinë Pustec janë menduar një sërë aktivitetesh gjatë këtij sezoni që do t'i japin një tjetër pamje zonës e do ta bëjnë edhe më të njohur në Shqipëri.

"Vera Kulturore Maqedonase" vjen për të 19-tin vit radhazi në Prespë, me një organizim të veçantë ku në ditën e parë të saj, u shfaq ekspozita e skulptorit të mirënjohur maqedonas, Sinisha Noveski. Plot 5 ditë do të jenë të mbushura me aktivitete të ndryshme në Pustec, atje ku do të bashkohet minoriteti maqedonas i kësaj bashkie, me vizitorët nga shteti fqinj. Bashkia Pustec u kujdes që në këtë çelje të festivalit, të mirëpriste edhe ministrin e Kulturës të shtetit fqinj, jo vetëm për t'u bërë pjesë e aktivitetit, por edhe për t'u njohur më tej me atë çka ofron zona e Prespës. Dita e parë e aktivitetit u mbajt pranë muzeut të Sterjo Spasses në fshatin Gollomboç.

"Vera Kulturore Maqedonase", festivali që bashkon komunitetet

CNA TV sjell për shikuesit intervista mjaft të këndshme me organizatorët e këtij aktiviteti, me artistë pjesëmarrës, të cilët kanë treguar më shumë për përshtypjet e tyre, për lidhjen e ngushtë që ka Pusteci me Maqedoninë, e për dëshirën që këto lidhje të vazhdojnë sa më gjatë mes dy popujve.

Organizatori i të gjitha edicioneve të këtij festivali është aktori Edmond Sotir, i lindur e rritur në fshatin Lajthizë të kësaj bashkie, gjë që e bën shumë krenar për vendin që ai përfaqëson. Prej vitesh, Edmondi jeton e punon në Shkup, me një karrierë prej thuajse 20 vitesh si aktor në teatrin e këtij qyteti. Ai tregon se kërkon të bëjë më shumë për Prespën, ndërsa na jep edhe detaje se çfarë aktivitetesh do të organizohen në Pustec.

"Festivali titullohet 'Vera Kulturore Maqedonase', për 19 vite me rradhë po organizohet këtu. Unë jam organizatori që prej fillimit e deri më sot, jam me prejardhje nga Lajthiza, fëmijërinë e kam kaluar këtu por jetoj e punoj në Shkup në teatrin e komedisë si aktor. Gjatë verës, kur kemi kohë të lirë, kemi dëshirë të bëjmë diçka më shumë për këtë pjesë të Shqipërisë, për Prespën tonë. Këtë vit për herë të parë organizojmë një ekspozitë skulpturash nga skulptori i Maqedonisë, Sinisha Noveski. Kemi një promovim të një libri që është me këngë popullore maqedonase nga maqedonasit e Shqipërisë. Kemi një koncert të vogël dhe 3 shfaqje teatrale për fëmijë dhe teatër për të rritur që do të shfaqen deri në datën 5 korrik."

"Vera Kulturore Maqedonase", festivali që bashkon komunitetet

Organizimi dhe promovimi i këtyre aktiviteteve është mjaft i rëndësishëm për dy popujt, duke u bërë një urë lidhëse mes tyre. Ajo çka thekson aktori, është fakti se ndonëse Shqipëria nuk është pjesë e BE-së, ajo prezanton më shumë demokraci se vetë vendet që janë pjesë.

"Janë shumë të rëndësishme. Aktivitete të tilla janë një urë lidhëse midis dy shteteve, dy popujve, përtej liqenit. Janë aktivitete që afirmojnë jo vetëm kulturën, por edhe shtetin shqiptar, Prespën, vetveten dhe të mirat e njeriut. Kam për nder që jam pjesë e këtij projekti, edhe që jam lindur në Shqipëri e jam krenar që jam shtetas i Shqipërisë. Shqipëria është një nga shtetet e Ballkanit Perëndimor që nuk është në Evropë, por që ka të drejtat dhe demokracinë më të lartë se shtetet evropiane."

Sinisha Noveski, një nga skulptorët më të njohur në Maqedoni, vjen për herë të parë në Shqipëri për të sjellë një ekspozitë shumë domethënëse për dy shtetet fqinje.

"Vera Kulturore Maqedonase", festivali që bashkon komunitetet

Noveski tregon se në këtë ekspozitë ka shfaqur 10 skulptura, të krijuara në materiale të ndryshme, ku secila përmban një tematikë më vete. Ajo që artisti veçon është skulptura e dy grave, që mbajnë një fëmijë, për të treguar fabulën e marrëdhënieve të mira mes dy shteteve.

"Është hera e parë që vij në Shqipëri. Kam përshtypje shumë pozitive për këtë vend, njerëzit janë shumë të mirë, peizazhet janë fantastike, po ashtu edhe muzeu ku po mbahet ekspozita është shumë unik. Sot kam ekspozuar 10 skulptura, në materiale të ndryshme, si në gur dhe bronz. Tematika e skulpturave të mia është te njerëzit që kanë simbolikën e tyre. Kjo ekspozitë gjithashtu do të bëjë një lidhje të mirë mes dy popujve, maqedonasve dhe shqiptarëve. Veçanërisht në këtë ekspozitë kam sjellë një skulpturë që prezanton dy popujt. E kam sjellë duke krijuar dy gra, ku njëra i jep fëmijën tjetrës për t'u kujdesur. Ky aktivitet kulturor është një shembull i mirë për marrëdhënien e mirë kulturore mes Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe mendoj se do të vazhdojë edhe në të ardhmen."

"Vera Kulturore Maqedonase", festivali që bashkon komunitetet

Përshtypjet e Noveskit për Shqipërinë e konkretisht për Prespën janë ndër më të mirat, duke filluar nga njerëzit e mikpritja e tyre, gatimi, arkitektura, natyra dhe gjithçka që ofron zona. Ndonëse është hera e parë për të në Prespë, ai kërkon të rikthehet sërish për të parë edhe më shumë nga ky vend.

"Kam me të vërtetë përshtypje të mira për këtë vend, kam takuar njerëz dhe kanë qenë shumë mikpritës. Ushqimi është shumë i mirë, arkitektura është shumë e ngjashme me Maqedoninë. Gjithashtu, keni dhe liqenin e mrekullueshëm që i jep një tjetër dimension këtij vendi në Shqipëri."

Për kompozitoren nga Maqedonia, Darija Andovska, kjo është vizita e parë në Pustec, ndërsa në Shqipëri ka qenë edhe herë të tjera. Ajo ka dëgjuar shumë për këtë vend dhe thotë se mezi ka pritur ta vizitojë.

"Nuk është hera ime e parë në Shqipëri, por është e para në Pustec. Mezi po prisja të vija këtu sepse kam dëgjuar shumë gjëra të bukura për vendin. Dhe po, është ashtu siç kam dëgjuar, me natyrën, me ngjyrat e saj, liqenin dhe historinë impresionuese që ka."

"Vera Kulturore Maqedonase", festivali që bashkon komunitetet

Darija na tregon më shumë për profesionin e saj të pedagoges dhe kompozitores, duke nxjerrë në pah edhe ngjashmëritë që ka mes muzikës shqiptare dhe asaj maqedonase. Ndër të tjera, dëshira më e madhe e saj është të zhvillojë më tej bashkëpunimin mes universitetit ku ajo punon dhe universiteteve shqiptare për të mbajtur gjallë traditën.

"Unë jam pedagoge në universitet, jam kompozitore dhe po ashtu jap mësim në këtë fushë. Po përpiqemi shumë që të bëjmë bashkëpunime, të cilat nuk janë zhvilluar shumë në dekadat e fundit. Njoh shumë kompozitorë nga Tirana dhe po përpiqem që të bashkëpunojmë, duke bërë edhe shkëmbime eksperiencash mes studentëve tanë. Ka shumë ngjashmëri mes muzikës shqiptare dhe asaj maqedonase, çdo gjë është një miks dhe vë re që ka edhe shumë fjalë të ngjashme, duke qenë se jemi dy vende të vogla."

Lidhja e fortë mes dy shteteve, Shqipërisë e Maqedonisë, duket qartë nëpërmjet këtyre organizimeve që bëhen në zonat minoritare, si ajo e Pustecit. Për 5 ditë radhazi, banorët e kësaj zone, por edhe vizitorë të tjerë nga Shqipëria dhe Maqedonia, do të kenë mundësi të njihen, nëpërmjet shfaqjeve teatrale dhe muzikës tradicionale, me kulturën e përbashkët të dy shteteve fqinje. Ky sezon turistik për Bashkinë e Pustecit do të jetë i mbushur plot me aktivitete, me qëllim kryesor, afrimin e sa më shumë turistëve në zonë, edhe më të shumtë se vitet e tjera./ CNA TV





Lajmet e fundit nga