web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Dy festa në një ditë/ 15 Gushti rikthen emigrantët në Ziçisht të Devollit  

15 Gusht 2024, 22:22, Qyteti im CNA

Banorët e Ziçishtit në Devoll, besimtarët orthodhoksë por edhe myslimanë, janë bërë bashkë në organizimin e festës së Shën Marisë, fillimisht duke marrë pjesë në meshën e mbajtur mëngjesin e kësaj të enjteje, e më pas duke u mbledhur të gjithë së bashku për të festuar me këngë e valle.

Prifti i fshatit Ziçisht, Atë Viktor Konomi, ka treguar se kjo ditë është e veçantë edhe për 100 vjetorin e krijimit të Shoqërisë “Shën Trinia”, e cila ka lënë gjurmë gjatë këtyre viteve në investimet e kryera në këtë fshat. Ndër të tjera, ai i ka uruar të gjithë besimtarët orthodhoksë për të patur bekim gjatë gjithë jetës.

Dy festa në një ditë/ 15 Gushti rikthen emigrantët në

“Ditën e 15 Gushtit ne kremtojmë nënën Mari, pasi bëmë meshën te kisha, banorët mblidhen këtu dhe dëfrehen me mundësitë që kanë. Përveç nënës Mari, kemi edhe një përvjetor shumë të rëndësishëm, 100 vjetori i Shoqërisë Ziçishtare ‘Shën Trinia’. Si qëllim ka patur që fshatin ta ketë të përparuar, komisioni që ka qenë në atë periudhë, ka qenë me njerëz të ditur, me shkolla të larta. Unë jap një mesazh për të gjithë besimtarët, të krishterë, fshatin Ziçisht dhe kudo që ndodhen. Jo vetëm për ta, por edhe për komunitetin mysliman sepse Shqipëria njihet për bashkëjetesën fetare, zoti t'ju japë bekimin”, tha Atë Viktor Konomi.

Bashkia Devoll u kujdes që kjo festë të organizohej sa më bukur në mënyrë që vizitorët të shijonin bukuritë e fshatit. Njëri nga organizatorët, Gjergji Liço, ka dhënë lajmin e mirë se në Ziçisht këtë të enjte kanë ardhur vizitorë të huaj, si edhe janë rikthyer ziçishtarë nga vende të largëta emigrimi.

Dy festa në një ditë/ 15 Gushti rikthen emigrantët në

“Jam i lumtur sepse këtë vit si kurrë ndonjëherë më parë, për shkak edhe të largimit të banorëve nga fshati, sërish festa e Shën Marisë po mbledh ziçishtarë të emigruar, por dhe vizitorë vendas dhe të huaj. Sot kemi patur tepër vizitorë në kishën e Shën Mërisë dhe turistë të huaj e ky është një lajm i mirë. Përfitoj nga rasti t’ju bëj thirrje institucioneve shtetërore që të investojnë e të kthejnë vëmendjen nga Ziçishti. Uroj gjithë ziçishtarët dhe besimtarët orthodhoksë, gëzuar festën e Shën Marisë. Për ata që janë duke na ndjekur, ju bëj një ftesë të vizitojnë Ziçishtin sepse ka vlera të shumta, kanë çfarë të vizitojnë dhe do mbeten të kënaqur”, deklaroi Liço.

Andon Andoni prej vitesh jeton në kryeqytet, ku ushtron profesionin e pedagogut, ndërsa nuk e harron kurrë origjinën e tij. Ai rikthehet së bashku me vëllain e tij të ardhur nga Amerika.

Dy festa në një ditë/ 15 Gushti rikthen emigrantët në

“Gjithmonë ndodh si tek ata zogjtë shtegtarë që nuk e dinë se ku e kanë folenë e vërtetë, në atë vend ku shtegtojnë apo në atë vend nga i cili shtegtojnë. Edhe unë si shumë ziçishtarë, jemi mbledhur të gjithë së bashku, kanë ardhur nga Amerika, Tirana, Greqia, për një ditë të tillë jo vetëm e shenjtë për Shën Mërinë, por edhe që na grumbullon të gjithëve ne me dashuri e me mirësi. Unë sot kam ardhur me vëllain tim, që ka ardhur nga Amerika, mbrëmë e kam pritur në aeroport dhe e kam sjellë me shumë dëshirë vetëm për këtë event”, u shpreh Andon Andoni.

Edhe Ilirjan Buxhaku pas 28 vitesh në SHBA, është rikthyer në fshat, ndërsa tregon një fakt shumë interesant për fshatin dhe njerëzit e Ziçishtit.

“Nga Amerika dhe pas 28 vitesh vij për herë të parë në këtë festë. Është një traditë e vjetër, nuk besoj të ketë tjetër vend në Shqipëri më të civilizuar se Ziçishti. Unë jam nga prindërit ziçishtar, por kam qenë në veri të Shqipërisë dhe më pas 28 vite në Florida të Amerikës”, tha Ilirjan Buxhaku.

Dy festa në një ditë/ 15 Gushti rikthen emigrantët në

Vizita e veçantë në këtë ditë të shënuar, është ajo e turistes finlandeze Aino Vaananen, me profesion fotografe. Ajo shprehet mjaft e kënaqur që vizitoi Ziçishtin, pasi njërëzit janë shumë mikpritës dhe natyra fantastike.

“Është hera ime e parë në këtë fshat. Po udhëtoj me disa kolegë, jam fotografe, ndërsa kolegët e mi po bëjnë kërkime etnografike, unë po bëj foto këtu. Kam qenë në Shqipëri 2 ose 3 herë më parë, në Korçë, në jug, në Tiranë. Erdha këtu sepse kolegët më folën për këtë fshat dhe qenka e mrekullueshme. Atmosfera shumë e ngrohtë, janë shumë mikpritës. Mund ta dallosh që njerëzit kanë krijuar një atmosferë shumë të bukur. Edhe pamja është fantastike”, theksoi ajo.

Dy festa në një ditë/ 15 Gushti rikthen emigrantët në

Për të gjithë besimtarët orthodhoksë, 15 Gushti është një nga ditët më të shënuar, duke u kthyer edhe në ditën ku bëhen bashkë të gjithë komunitetet fetare, emigrantët, banorët e fshatrave e më gjerë./ CNA





Lajmet e fundit nga