web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

17 vite traditë/ Organizohet në Maliq "Panairi i ëmbëlsirave, prodhimeve bujqësore, blegtorale dhe bletërritësve"

25 Shtator 2024, 19:31, Qyteti im CNA

17 vite traditë/ Organizohet në Maliq "Panairi i

Për të 17-tin vit radhazi, Maliqi ka organizuar "Panairin e ëmbëlsirave, prodhimeve bujqësore, blegtorale dhe bletërritësve". Një festë që prej më shumë se një dekade është bërë një traditë për bashkinë e Maliqit, ku amvisat e fermerët bëhen bashkë në prodhimin e ëmbëlsirave dhe produkteve të tjera të kultivuara prej tyre.

Mes organizimit me këngë e valle të zonës, në stendat e ndryshme janë promovuar një shumëllojshmëri ëmbëlsirash që janë trashëguar brez pas brezi në familjet maliqare, por edhe produkte të tjera si rakia e rrushit, zahiretë e dimrit, lakrori në saç e petullat aq të pëlqyera nga të gjithë.

Zonjat duararta të cilat vijojnë të gatuajnë me një dëshirë e pasion të veçantë, shprehen se kanë sjellë ëmbëlsira të ndryshme për të gjithë qytetarët dhe vizitorët, duke promovuar kështu jo vetëm Maliqin si zonë, por edhe vlerat që kanë zonjat në gatim.

"Unë kam gatuar një tortë që e bëj gjithmonë për ditëlindjet e fëmijëve të mi dhe sot e përgatita për qytetarët e Maliqit. Maliqi mbahet për sheqer që prej kohësh, gratë e Maliqit kanë bërë llokume e pengjire. Tani është modernizuar proçedura e ëmbëlsirave por siç e shihni ka nga të gjitha. Sot janë për të qerasur qytetarët e Maliqit. Të paktën në Maliq nuk shiten ëmbëlsirat, dhurohen."

"Kam gatuar revani, e kemi traditë këtu në Maliq. Përmban gjalpë, miell, niseshte dhe miell misri. E kam trashëguar nga nëna ime, e cila ishte e vjetër dhe ka gatuar duke u bërë shembull këtu në Maliq. Jam vendase maliqare e gjithnjë gatuaj për Maliqin. Kemi edhe ëmbëlsira të tjera si ballkava, hasude, pengjire. Unë kam edhe lakrorin në saç si traditën time, bëjmë edhe petanikun."

"Në panairin e ëmbëlsirave që organizon bashkia Maliq kemi përgatitur ëmbëlsira duke filluar nga bakllavaja, revania me arra, trileçe, pengjire, kompekai. Gjithashtu kemi bërë petulla të fshira, petulla me vaj, e shumë të tjera. Njëkohësisht mes tyre kemi sjellë edhe zahiretë e dimrit, edhe prodhimet bujqësore e blegtorale të prodhuara nga fermerët tanë duarartë. Vitet e fundit ka pasur kërkesa dhe nga turistët, sidomos për lakrorin me dy petë, me qepë e me domate, në saç. Ndër të tjera edhe rakinë që prodhohet nga rrushi që kanë nxjerrë fermerët tanë."

Për kryetarin e bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu, ky panair është shumë i rëndësishëm për promovimin që i bëhet zonës me prodhimet bio si në asnjë zonë tjetër, ndërsa ka vlerësuar amvisat dhe fermerët për kontributin e tyre ditën e sotme në atë çka dhanë në këtë panair.

"Po vazhdojmë një traditë 17-vjeçare, me prodhime autoktone, bio si asnjë zonë tjetër, që nga Moglica, Gora dhe gjithë fusha e Maliqit. Në të gjitha stendat do të gjeni prodhime të amvisave tona duararta por dhe të fermerëve punëtorë të fushës së Maliqit, të blegtorëve të zonës, bletërritësve. Një panair gjithëpërfshirës për të cilin unë mendoj që është për tu vlerësuar, patjetër që ka defektet e saj që duhen përmirësuar nga njëri vit tek tjetri, por dua të falenderoj të gjithë fermerët e amvisat për kontributin e tyre dhe për atë çfarë japin në këtë panair. Gjithçka që ata japin e japin për ti provuar qytetarët, çdo gjë është falas, kështu jepet mundësia që edhe ata të krijojnë një treg nga pëlqimi i produkteve."

Bashkia e Maliqit ka në fokus zhvillimin e mëtejshëm të kulinarisë dhe promovimin e saj në të gjithë Shqipërinë, ndërsa kryetari Topçiu ka treguar se institucioni që ai drejton, ka përgatitur 2 projekte mjaft të rëndësishme për zonën e Gorës lidhur me krijimin e një qendre për zahiretë, dhe për fshatin Pirg lidhur me ndërtimin e një tregu për fermerët që deri më tani i tregtojnë prodhimet e tyre në rrugë.

"Ne po mendojmë të bëjmë dy projekte, njërin jemi duke e finalizuar për krijimin e një qendre të zahireve në zonën e Gorës. Projekti është hartuar dhe besojmë vitin që vjen do të ketë nisur puna, ndërsa projekti i dytë ka të bëjë me pellgun e Pirgut që duam ta kthejmë në një oaz të gjelbër, ku ne do të eleminojmë shitjen në rrugë të fermerëve dhe do të shitet gjithçka në këtë treg të organizuar edhe nëse do të ketë kosto minimale apo kosto zero të cilën do ta mbulojë bashkia e Maliqit."

I ftuari special në këtë panair ka qenë kryetari i bashkisë së Korinthit në Greqi, Nikos Stavrelis, i cili ka dhënë përshtypjet e tij lidhur me aktivitetin, ndërsa nuk ka lënë pa përmendur marrëdhëniet e mira që kanë dy bashkitë dhe finalizimin e binjakëzimit mes tyre.

"Jemi një qytet që kemi një marrëdhënie shumëvjeçare me bashkinë e Maliqit. Do mundohemi që të mbarojë binjakëzimi i qytetit të Korinthit që ka kaq vite që po e kërkojmë dhe besoj do realizohet. Ky është qëllimi që ne erdhëm sot këtu, të festojmë bashkë me ju. Shikoj dhe gëzohem shumë që ka kaq shumë njerëz, të provojmë prodhimet tuaja. Falenderoj shumë kryetarin e bashkisë së Maliqit dhe shpresoj që së shpejti të takohemi në Korinth dhe të mbarojmë punën e binjakëzimit. Kemi ardhur një grup prej 45 vetash, të cilët janë dy lloje shoqatash, ajo e muzikantëve dhe shoqata e një fshati që dinë të flasin e të kuptojnë shqip. Do mundohemi të kalojmë sa më bukur. Kemi edhe valltarë edhe këngë dhe do e shijojmë."

Edicioni i 17-të i "Panairit të ëmbëlsirave, prodhimeve bujqësore, blegtorale dhe bletërritësve" ka krijuar një atmosferë të bukur në lulishten pranë sheshit "Punëtori" në qytetin e Maliqit. Krahas ekspozimit të prodhimeve të zonës, banorët e Maliqit por dhe të rretheve të tjera të qarkut, kanë shijuar edhe muzikën e vallet tradicionale, ndërsa festimeve iu bashkua edhe grupi artistik i bashkisë së Korinthit./ CNA





Lajmet e fundit nga