web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Afera e inceneratorëve përtej korrupsionit

14 Dhjetor 2023, 16:31, Editorial REDAKSIONALE

Afera e inceneratorëve përtej korrupsionit

Afera e inceneratorëve është një skandal që shkon mbi 110 milionë euro, para të dhëna nga taksapaguesit shqiptarë dhe nga qeveria shqiptare për 6 vite për një incenerator që nuk ekziston.

Inceneratorët nuk janë një çështje militantizmi politik apo tifozllëqe tifozësh për të mbajtur një qëndrim pro apo kundër tyre sepse ka vetëm një fakt.

Janë paguar mbi 110 milionë euro nga taksat e shqiptarëve të varfër, nga biznesi, i cili këto kosto i faturon te qytetarët dhe nuk ka incenerator.

Është zbërthyer një skemë e madhe mashtrimi me disa individë që përdorën brande të huaja të forta ndërkombëtare për të gënjyer qeverinë shqiptare, ku kjo e fundit, përfshi edhe Bashkinë e Tiranës edhe pse denoncim pas denoncimi iu tha që aty ka vjedhje, ka abuzim, ka skemë mashtrimi, nuk bëri asnjë lëvizje.

Nuk e vuri ujin në zjarr të verifikonte të dhënat që jepnin gazetarët. Gjithçka u përpoq ta kalonte me propagandë.

Afera e inceneratorëve përtej korrupsionit

Tentoi t’i ndante qytetarët me tifozllëk. Në fakt, në rastin e inceneratorëve, nuk ka tifozë. Të gjithë duhet të jenë në krahun e qytetarëve sepse nuk është çështje politike e denoncuar nga një parti apo ndonjë korrupsion i vogël, por është një aferë e madhe ku ka rënë shteti, ku kanë rënë institucionet që nuk verifikuan dokumentet, ku ka rënë shteti sepse lejuan të vidhet pa ndalim.

E në rast se do të ishin bërë të gjitha mediat bashkë, disa vite më parë kur CNA filloi të denonconte këtë aferë, mund të ishin ndalur të paktën 50 milionë euro, por nuk u bë.

Pagesat vazhduan, kompania merrte paratë dhe një pjesë e medias në vend që të ishte në krahun e qytetarëve shkoi në ortakëri, siç ishte rasti me “Top Channel”.

Bëri pazare, siç ishte rasti i “Report TV”, që ne e kemi treguar se si e ndryshoi qëndrimin. Media të tjera, portale, që u paguan nga inceneratorët dhe vazhdojnë të paguhen.

Individë të përfshirë me skema për të marrë para për xhepat e tyre, të cilat nuk ishin të një biznesi privat, por të shqiptarëve të varfër që u vidheshin dhe u jepeshin mediave për propagandë për të thënë se sa të mirë ishin inceneratorët, e duke u tallur me shqiptarët, duke u thënë që ja ku është inceneratori kur ai nuk ekzistonte.

Duke u thënë ja ku është inceneratori, ndërkohë 150 mijë metra katrorë pronë e qytetarëve e Bashkisë së Tiranës abuzohej dhe mbulohej me dhera.

Kompania koncesionare ishte një shpikje në Holandë e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, “trurit” të inceneratorëve, njeriut që ka paguar miliona euro për mediat, për t’i blerë, për t’i trajtuar si vasalë, për të gënjyer, për të propaganduar të pavërtetën dhe gjoja për ta trajtuar çështjen politikisht kur në fakt ishte një akt kriminal, ku mediat për herë të parë duhet të ishin bërë të gjitha bashkë për një arsye, interesin madhor të vendit.

Shqipëria është e vërtetë që ka problematika me mbetjet, por në rastin e Tiranës ishte bërë një aferë korruptive, ashtu siç kishte ndodhur me Fierin dhe Elbasanin nga personat e arrestuar.

Afera e inceneratorëve përtej korrupsionit
Mirel Mërtiri dhe 3 inceneratorët

Janë provuar faktet dhe ajo që mund të thuhet është thjesht dhe vetëm në 3 pyetje që kërkojnë përgjigje.

1. Këta persona që e organizuan, ishin mashtruesit më të mëdhenj?

2. Këta persona korruptuan shtetin dhe i kishin bashkortakë njerëzit e politikës?

3. Këta persona ishin pronarët apo ishin zyrtarët e politikës pronarët e vërtetë të inceneratorëve?

Ky është thelbi i çështjes së inceneratorëve, ky është rasti ku media, një pjesë e madhe e saj, sidomos ajo në mbështetje të qeverisë, u vendos në krah të inceneratorëve duke marrë shuma të majme parash për të mashtruar popullin, për të gënjyer dhe për të mbrojtur një aferë.

U bë media bashkëpunëtore në krim, për më tepër në shkelje të ligjit, duke abuzuar janë kërcënuar prokurorë me misione speciale për të fshehur të vërtetën dhe për të shpëtuar “trurin” e inceneratorëve, Mirel Mërtirin.

Askush, asnjëherë, në asnjë rast, cilado media qoftë, nuk mund të përdoret në formën e një mitralozi kundër SPAK-ut thjesht dhe vetëm që të shpëtohej një hajdut, një i korruptuar që kishte bashkëpunuar me zyrtarët e shtetit dhe kishte ndërtuar një skemë totalisht mafioze.

Afera e inceneratorëve përtej korrupsionit

Prandaj, afera e inceneratorëve nuk po ndalet dhe e vërteta do të zbardhet deri në fund. Ajo është një dhe vetëm një, korrupsion, vjedhje, abuzim i parave të taksapaguesve, të biznesit shqiptar në 6 vite, në shuma të mëdha që kalojnë 110 milionë euro.

Ky është fakt i padiskutueshëm dhe gjithçka që thonë tjetër është një gënjeshtër sepse inceneratori nuk ekziston, incenerator nuk ka.

Kushdo që pretendon se afati ishte përtej vitit 2023, duhet të ishte 2026, ka vetëm një përgjigje.

Në çdo lloj date të konsideruar si fillim të kontratës, sot të paktën një nga linjat e incenerimit duhet të ishte në punë dhe sipas asaj që është firmosur nga kompania dhe qeveria shqiptare në lidhje me planin e investimit, në 3 vitet e para ishte puna më kryesore, më e madhe e investimit që shkonte mbi 100 milionë euro. Kjo punë nuk është kryer dhe kjo është pranuar nga vetë kompania, e cila ka deklaruar se ka investuar vetëm 30 milionë euro.

Në fakt, duhet të investonte 3 apo 4 herë më shumë dhe një nga linjat e incenerimit duhet të ishte në punë.

Këtu e vërteta flet vetë. Kjo nuk është bërë dhe inceneratori nuk ekziston. Çdo argument tjetër, çdo reklamim tjetër që bëhet është thjesht dhe vetëm shërbim ndaj korrupsionit dhe aferës nga media dhe individë të korruptuar, që në vend të misionit të tyre të gazetarisë, janë kthyer në ushtarë të çetës kriminale dhe hajdutërisë me inceneratorët./ CNA





14:47 Editorial REDAKSIONALE

Autori i fotos

Gënjeshtari publik, Aldor Nini, tentoi të shfrytëzonte...

Lajmet e fundit nga