web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pusteci, thesari i fshehur i Prespës/ Kryebashkiaku Kolefski rrëfen historinë, natyrën, dhe traditën

24 Maj 2026, 11:22, Qyteti im CNA

Në juglindjen e Shqipërisë, aty ku kufijtë bashkojnë kultura, histori dhe tradita të hershme, ndodhet një nga zonat më të rralla dhe më autentike të vendit tonë, Bashkia e Pustecit. Një trevë e vendosur buzë liqenit të Prespës, mes maleve, natyrës së paprekur dhe një historie që vazhdon të jetojë në çdo fshat, në çdo kishë dhe në çdo familje të kësaj zone.

Këtu, larg zhurmës së qyteteve të mëdha dhe ritmit të shpejtë të përditshmërisë moderne, Prespa ruan ende qetësinë, traditën dhe shpirtin e saj të vërtetë. Liqeni i Prespës, ishulli i Maligradit, kishat bizantine të ndërtuara në shkëmbinj, vizatimet parahistorike, shpellat ku dikur strehoheshin peshkatarët dhe biodiversiteti i jashtëzakonshëm e bëjnë këtë zonë një nga pasuritë më të veçanta të Shqipërisë.

Pusteci, thesari i fshehur i Prespës/ Kryebashkiaku Kolefski rrëfen

Në këtë pjesë të vendit, natyra dhe trashëgimia kulturore bashkëjetojnë ende në mënyrën më autentike të mundshme. Por Prespa nuk është vetëm histori dhe peizazh por është mbi të gjitha vendi i njerëzve të saj. Banorë që prej brezash jetojnë mes liqenit dhe tokës, duke u marrë me peshkim, bujqësi, blegtori dhe duke ruajtur traditat që i kanë trashëguar ndër vite. Edhe sot, në shumë familje të Pustecit vazhdon kultivimi i çajit të malit, përgatitja tradicionale e gatimeve me peshk dhe mënyra e jetesës që e ka karakterizuar këtë zonë prej dekadash.

Në këtë speciale të CNA TV, do të udhëtojmë në zemër të Prespës shqiptare për të zbuluar historinë, kulturën, traditat dhe bukuritë natyrore të Bashkisë së Pustecit. Do të ndalemi në qendrat e rikonstruktuara të fshatrave, do të vizitojmë kishat shekullore dhe ishullin e famshëm të Maligradit, do të dëgjojmë histori të ndryshme dhe do të mësojmë më shumë për projektet dhe vizionin për zhvillimin e kësaj zone.

Në këtë rrugëtim na shoqëron kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, i cili e konsideron promovimin e Prespës një mundësi të rëndësishme për të nxjerrë në pah vlerat që mbart kjo trevë.

Pusteci, thesari i fshehur i Prespës/ Kryebashkiaku Kolefski rrëfen

“Faleminderit ju, vërtet është një nder i madh që ju po i bëni zonës edhe mua në veçanti po më bëhet vërtet qejfi që interesoheni që edhe ne të bëjmë atë transparencën edhe publicitetin për bashkinë tonë, bashkinë e vogël të Pustecit.”

Ndalesa e parë e jona është qendra e rikonstruktuar e fshatit Pustec, një investim i realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili ka transformuar një nga hapësirat më të rëndësishme të komunitetit. Në zemër të kësaj qendre ndodhet edhe Kisha e Shën Mhillit, një objekt me rëndësi të veçantë historike dhe shpirtërore për banorët e zonës.

Pusteci, thesari i fshehur i Prespës/ Kryebashkiaku Kolefski rrëfen

“Ky është një investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, të cilin e konsiderojmë si të nevojshëm. Është një qendër e vogël por e vendosur në mes të fshatit të Pustecit, ku është edhe kisha e Shën Mhillit që është një vlerë e veçantë, është edhe një festë fetare e cila festohet në këtë fshat. Dhe unë mendoj që qendra të tilla jo vetëm këtu, por në të gjitha zonat, në të gjithë fshatrat e kësaj zone ku të ketë një qendër, se të gjithë fshatrat e juglindjes janë vërtet domethënë janë vërtet për t'u vlerësuar edhe ne besojmë se do vazhdojmë edhe me fshatrat e tjerë.”

Pikërisht pranë kësaj qendre bie në sy edhe harta turistike e Bashkisë së Pustecit, e cila orienton turistët drejt të gjitha destinacioneve kryesore të zonës. Në të janë përfshirë ishulli i Maligradit, kishat bizantine, shtigjet për hiking dhe pikat më të rëndësishme turistike.

Pusteci, thesari i fshehur i Prespës/ Kryebashkiaku Kolefski rrëfen

“Harta tregon të gjitha destinacionet e bashkisë, e gjithë bashkisë së Pustecit. Aty është vendosur ishulli i Prespës, janë të gjitha atraksionet e tjera, le të themi të gjithë kishat bizantine që ndodhen rreth e rrotull liqenit të Prespës. Janë përcaktuar edhe vendet për hiking, duke e ditur që bashkia ka një kombinim midis liqenit, maleve të bukura domethënë edhe të pastra, ashtu që i ndihmon, deri diku i ndihmon. Por mund ta theksoj që ka nevojë, ne jemi duke punuar për ta zgjeruar këtë informacion edhe besoj që shumë shpejt do kemi të gjithë tabelat orientuese për të gjithë turistët.”

Një nga simbolet më të rëndësishme të identitetit fetar dhe kulturor të zonës është Kisha e Shën Mhillit. Historia e saj lidhet drejtpërdrejt me periudhën e komunizmit dhe ringritjen e besimit pas viteve ’90.

Pusteci, thesari i fshehur i Prespës/ Kryebashkiaku Kolefski rrëfen

“Këtu ka qenë një objekt më përpara i vendosur, një objekt i vjetër, që në periudhën e komunizmit u shkatërrua si kishë. Në të njëjtin vend, në të njëjtat themelet është ndërtuar kjo kishë edhe është shumë domethënëse sepse në zonën tonë ka një karakteristikë të tillë. Çdo fshat ka festën e vet fetare që e feston. Fshati Pustec ka këtë kishë, që njerëzit në këtë datë e festojnë si festën e tyre të familjes dhe ka një domethënie shumë të madhe për çdo familje këtu në Pustec.”

Përtej turizmit dhe trashëgimisë kulturore, banorët e Pustecit vazhdojnë të jetojnë kryesisht me bujqësi dhe peshkim. Familjet merren ende me kultivimin e çajit të malit, grurit, misrit dhe me blegtorinë, ndërsa peshkimi mbetet një nga burimet kryesore të të ardhurave për shumë banorë të zonës.

Pusteci, thesari i fshehur i Prespës/ Kryebashkiaku Kolefski rrëfen

“Unë do përmendja bujqësinë, do përmendja atë bujqësinë e vogël familjare që kanë. Ata mundohen që, siç e përmendët, edhe pse moshë e madhe, por akoma ka familje që merren me çajin e malit. Por unë do përmendja edhe peshkimin, se peshkimi futet tek bujqësia, suportohet nga Ministria e Bujqësisë dhe është një fushë shumë e rëndësishme. Këtu janë rreth 50 licenca, ose 100 familje (nga dy vetë), gjithë familje që mbajnë veten e tyre me peshkim. Njerëzit veç kulturës së çajit, mbjellin edhe të kultura të tjera si gruri, misri, ose kultura të tjera për të mbajtur edhe blegtorinë.”

Ashtu si shumë zona rurale të Shqipërisë, edhe Bashkia e Pustecit përballet prej vitesh me fenomenin e emigrimit dhe largimit të banorëve, kryesisht të të rinjve, drejt vendeve të tjera në kërkim të mundësive më të mira ekonomike.

Pusteci, thesari i fshehur i Prespës/ Kryebashkiaku Kolefski rrëfen

Afërsia me kufirin e Maqedonisë së Veriut ka bërë që një pjesë e banorëve të lëvizin çdo ditë për punë sezonale apo të përkohshme, ndërsa të tjerë kanë zgjedhur emigrimin afatgjatë jashtë vendit. Megjithatë, pavarësisht largimeve, shumë familje vazhdojnë të mbajnë lidhje të forta me vendlindjen dhe të rikthehen në Pustec, sidomos gjatë festave dhe sezonit veror.

“Këtu është një fenomen i tillë, duke qenë se ne jemi afër me kufirin e Maqedonisë së Veriut, njerëzit kanë ikje ditore, le të themi, një pjesë e mirë e tyre. Në mëngjes shpejt, ora 6 e mëngjesit për shembull nisen, punojnë në bujqësi ose në ndërtim tek zona rreth e rrotull bashkive që janë ngjitur me ne, Resnja siç është, ose Bitola. Pastaj ka nga ata të tjerët të cilët emigrojnë më thellë, dhe kjo pjesë është më shqetësuese le të themi, që ata që kanë vajtur edhe kanë krijuar kushte për të jetuar në vendet ku emigrojnë.”

Bujqësia mbetet një nga sektorët më të rëndësishëm për ekonominë e Bashkisë së Pustecit dhe burimi kryesor i të ardhurave për shumë familje të zonës. Kultivimi i çajit të malit, grurit, misrit dhe kulturave të tjera bujqësore vazhdon të jetë pjesë e jetës së përditshme të banorëve, ndërsa nevoja për përmirësimin e sistemit të ujitjes dhe kullimit konsiderohet jetike për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj zone.

Për këtë arsye, Bashkia e Pustecit ka aplikuar për projekte mbështetëse në sektorin e bujqësisë, me synimin për të përmirësuar infrastrukturën vaditëse dhe për të krijuar kushte më të mira për fermerët. Sipas Kolefskit, investimet në rezervuare, kanale kulluese dhe sisteme ujitjeje do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e prodhimit bujqësor dhe mbështetjen e familjeve që jetojnë me tokën.

Pusteci, thesari i fshehur i Prespës/ Kryebashkiaku Kolefski rrëfen

“Ne kemi qenë disa herë aplikantë tek Ministria e Bujqësisë. Sivjet bashkia e Pustecit është përfituese e një prej projekteve për ujitjen e kullimin. Do të bëhet rikonstruksioni i 3 rezervuarëve që do të futen të gjithë në funksion të ujitjes së fushës së Pustecit, sidomos në atë pikë ku janë të përqendruar edhe njerëzit të cilët kultivojnë çajin. Është pjesa poshtë Lajthizës që mbulon gjithë pjesën e Pustecit. Dhe gjithashtu do të përgatitim edhe projektin tjetër, do të përgatitim të gjitha kanalët kulluese të dyta e të treta, dhe vaditëse, që kanë mundësi të përfitojnë nga ky përmirësim i ujitjes.”

Teksa largohemi nga Pusteci dhe lëmë pas bregun e liqenit, përpara nesh nis të shfaqet një nga destinacionet më të veçanta dhe më të njohura të kësaj zone, Ishulli i Maligradit.

Pusteci, thesari i fshehur i Prespës/ Kryebashkiaku Kolefski rrëfen

I vendosur mes ujërave të qeta të liqenit të Prespës, ky ishull mbart jo vetëm bukuri natyrore të rralla, por edhe histori, legjenda dhe një trashëgimi kulturore që e bën një nga pikat më të rëndësishme turistike të juglindjes së Shqipërisë. Rruga drejt Maligradit është një përjetim më vete. Pamja e liqenit, qetësia që të rrethon dhe natyra pothuajse e paprekur krijojnë ndjesinë sikur po afrohesh drejt një vendi të fshehur mes historisë dhe natyrës.

“Tani po shkojmë drejt një nga destinacioneve më të mira, më të bukura të bashkisë së Pustecit, ose të liqenit të Prespës, pjesa e Shqipërisë, është Ishulli i Maligradit, ku do shikoni dhe vetë atje, që është vërtet një vend i veçantë, që mbart histori edhe bukuri natyrore bashkë. Asgjë nuk është asgjë, s'është e vërtetë. Domethënë, aty vërtet mund të ketë gjarpërinj, po gjarpërinjtë të cilët nuk janë helmues. Edhe për t'i parë është shumë vështirë që t'i shikosh sepse kur dëgjojnë zhurmën e ecjes së një personi apo të njerëzve, ata largohen dhe fshihen. Asnjë problem s'ka patur asnjëherë në atë pjesë. Asnjëherë.”

Në ishull ndodhet një nga kishat më të vjetra dhe më të ruajtura të zonës, një monument kulture me vlera të jashtëzakonshme historike. Ndërkohë Kolefski e cilëson këtë ishull "parajsë" të zogjve, pasi shpendët janë tërësisht të patrazuar e të pashqetësuar nga banorët.

Pusteci, thesari i fshehur i Prespës/ Kryebashkiaku Kolefski rrëfen

“Këtu ndodhet një nga kishat shumë të vjetra dhe të ruajtura shumë mirë, një trashëgimi kulturore e vlefshme kombëtare unë do ta quaja, që është një nga shumë bizutë që mbart ky ishull. Këtu gjen gjithë florën dhe faunën. Këtu është si të themi ‘parajsë’ e zogjve. Po ta shikoni është plot me zogj, sepse duke qenë të qetë që nuk trazohen as nga njerëzit edhe nuk shqetësohen, këtu ka gjithë ato llojet e shpendëve që rrijnë tek liqeni i Prespës. Është pulëbardha, pelikani patjetër, po pelikani e ka pjesën e vet të mbijetesës në Prespë. Rri në thellësi, i afrohet edhe bregut të liqenit. Pastaj janë guzat, janë ato shpendët zhytës që i quajmë ne.”

Sipas kryebashkiakut, vetë identiteti i liqenit të Prespës lidhet ngushtë me ishullin e Maligradit dhe historinë që ai mbart.

Pusteci, thesari i fshehur i Prespës/ Kryebashkiaku Kolefski rrëfen

“Deri diku mund të them që liqeni i Prespës njihet nga ishulli. Nga ishulli, nga kisha. Jo vetëm kisha, komplet sipërfaqja mbi ishull, mbart një histori. Unë do të thosha që ia vlen që të eksplorohet sepse kështu do të dalin më në pah edhe të rriten vlerat e veta. Nga një ekspeditë e cila kishte bërë ca hulumtime, janë zbuluar goxha gjëra të vlefshme dhe unë mendoj që do ta marrim shumë seriozisht që të vërtetë ta zbulojmë edhe ta shikojmë se çfarë historie mbart ky ishull.”

Një nga elementët më intriguese dhe më të rralla të Ishullit të Maligradit janë vizatimet parahistorike që ndodhen të gdhendura në shkëmbinj, dëshmi të qarta se kjo zonë ka qenë e banuar dhe e përdorur nga njerëzit që në periudha shumë të hershme. 

Në sipërfaqet shkëmbore të ishullit mund të dallohen figura të ndryshme, mes tyre vizatime që përfaqësojnë njerëz, peshq dhe simbole të tjera, të cilat sipas specialistëve lidhen me jetën dhe aktivitetin e banorëve të hershëm të kësaj zone. Vetë fakti që këto vizatime ruhen ende sot, mes natyrës së egër dhe izolimit të ishullit, i shton edhe më shumë misterin dhe rëndësinë historike Maligradit.

Pusteci, thesari i fshehur i Prespës/ Kryebashkiaku Kolefski rrëfen

Kryebashkiaku Kolefski, thotë se këto gjurmë tregojnë qartë se ishulli mbart një histori shumë më të thellë nga sa njihet aktualisht dhe se nevojiten më shumë studime për të zbuluar plotësisht vlerat e tij.

“Këto janë vizatime parahistorike, të cilat i shtojnë vlerën pjesës së ishullit të Maligradit. Një pjesë e tyre nuk mund të dallohen me syrin e njeriut të thjeshtë, ose në mungesë të ekspertit. Këtu ka disa vizatime, po ta shikoni edhe më sipër është një peshk, aty janë dy njerëz që tregojnë me dorë... Domethënë janë shumë vizatime të tjera, të cilat tregojnë që ky ishull ka qenë i banuar. Jo vetëm në këtë pjesë, por edhe në pjesën sipër të ishullit ku tregohet që ka mbetje të vendbanimeve shumë të hershme. Atë pjesën që përmenda, duhet të shikohet e të studiohet që të krijohet më shumë informacion si për turistët vendas, ashtu edhe për ata të huaj.”

Pusteci, thesari i fshehur i Prespës/ Kryebashkiaku Kolefski rrëfen

E vendosur në zemër të ishullit, kisha e Shën Marisë mbetet një ndër monumentet më të rralla të trashëgimisë kulturore dhe fetare në juglindje të Shqipërisë. E rrethuar nga natyra e paprekur dhe karakteristike e ishullit të Maligradit, kjo kishë shekullore tërheq çdo vit vizitorë vendas e të huaj, të cilët mahniten nga historia, arkitektura dhe afresket e saj unike.

Falë ndërhyrjeve restauruese dhe investimeve të kujdesshme të realizuara në bashkëpunim me institucionet e trashëgimisë kulturore dhe projektet e Bashkimit Evropian, kisha po rikthen gradualisht vlerat autentike që mbart prej shekujsh.

Restaurimi i derës karakteristike, ruajtja e afreskeve në muret e jashtme dhe pastrimi profesional i pikturave murale kanë nxjerrë në pah detaje të rëndësishme artistike e historike, duke e kthyer këtë objekt në një destinacion të rëndësishëm kulturor dhe turistik.

Pusteci, thesari i fshehur i Prespës/ Kryebashkiaku Kolefski rrëfen

"Të them të drejtën ndihem krenar për këtë punë sepse është bërë një restaurim, një projekt të Bashkimit Evropian, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës. Ky është një imitim i derës origjinale, e cila ndodhet te Muzeu i Korçës edhe besoj se kanë bërë një punë të mirë duke u afruar me origjinalen. Këtu jemi munduar që t’i ruajmë të gjithë këto afreske në muret e jashtme sepse çdo turist kishte tendencën që t’i prekte. Domethënë, çdo prekje mund të dëmtojë. Është bërë një investim i kujdesshëm që vërtet ia vlen. Jemi duke punuar për të zgjidhur ndriçimin, ku instalimet siç e patë të gjitha janë të bëra. Do të shikojmë atë pjesë, atë investim që i përshtatet më shumë zonave të tilla si zonë e mbrojtur, monument kulture e të gjitha këto me radhë.

Këtu, të gjitha këto janë afreske të ruajtura edhe të kuruara. Me ndërhyrjen e fundit këto dolën në pah duke i pastruar me kujdes në mënyrë profesionale që kanë nxjerrë vlerat e kësaj kishe. Kjo është një kishë me vlera të veçanta që çdokush vjen për ta vizituar. Është një vend i shenjtë edhe unë mendoj se është një vend vërtet që çdo njeri, të paktën nga Shqipëria, duhet ta vizitojë minimalisht një herë në jetën e vet."

E fshehur mes shkëmbinjve të liqenit të Prespës, larg zhurmës dhe mes natyrës së egër, ndodhet një nga objektet më të veçanta të trashëgimisë kulturore dhe fetare të zonës, kisha eremite e ndërtuar brenda shkëmbit.

Pusteci, thesari i fshehur i Prespës/ Kryebashkiaku Kolefski rrëfen

Një vend që të jep ndjesinë sikur koha ka ndaluar dhe ku historia vazhdon të jetojë në heshtjen e gurëve dhe në peizazhin që e rrethon. Kjo kishë, e ngritur në një terren të vështirë dhe pothuajse të fshehur mes shkëmbinjve, konsiderohet një nga dëshmitë më të rëndësishme të jetës eremite në zonën e Prespës.

Dikur, këto ambiente përdoreshin nga murgj dhe besimtarë që zgjidhnin izolimin dhe jetën shpirtërore larg vendbanimeve të mëdha. Vetë mënyra se si është ndërtuar kisha, e gdhendur dhe e përshtatur me formën natyrore të shkëmbit, tregon edhe lidhjen e fortë që njerëzit e asaj kohe kishin me besimin dhe natyrën.

Për të mbërritur deri tek kjo kishë duhet të kalosh një rrugë të ngushtë mes shkëmbinjve, ndërsa përballë hapet pamja mahnitëse e liqenit të Prespës. Pikërisht ky izolim e ka bërë kishën të ruhet ndër vite dhe të mbetet një nga monumentet më autentike të kësaj zone.

“Kjo është një nga katër kishat, të cilat ndodhen rreth e rrotull liqenit të Prespës. Është një ndërtim i veçantë, jo vetëm kjo, por të gjitha të tjerat kanë vlera të veçanta. Kjo është mirëmbajtur, qoftë nga banorët, qoftë edhe nga një ndërhyrje që kemi bërë ne si bashki nëpërmjet një projekti, duke rregulluar pak këto shkallët e ngjitjes, sepse më përpara bëheshin përpjekje edhe nga banorë individualë. Por, këto kërkojnë vërtet që të zbulohen për të gjithë ata të interesuarit, sepse besoj se mbartin një histori shumë të veçantë. Nuk janë vetëm këto katër, janë nëntë kisha, por katër janë të këtij stili, domethënë si kjo këtu brenda në shkëmbinj.”

Një pjesë interesante e traditës së zonës lidhet edhe me jetën e peshkatarëve në të kaluarën.

Pusteci, thesari i fshehur i Prespës/ Kryebashkiaku Kolefski rrëfen

“Po, shpellat këtu poshtë, këtu flinin peshkatarët gjatë kohës kur vinin të peshkonin, sepse flinin dhe s’ka patur mundësi. Shfrytëzonin kohën, hidhnin rrjetat ose që dilnin të peshkonin edhe flinin gjatë natës, që në mëngjes shpejt t’i mblidhnin dhe të vazhdonin punën. Kjo ka qenë shumë interesante dhe është përdorur tradicionalisht në zonën tonë.”

Vit pas viti, Bashkia e Pustecit po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj, të cilët zgjedhin Prespën për qetësinë, natyrën e paprekur, historinë dhe mikpritjen e banorëve.

Nga turistët e aventurës që eksplorojnë shtigjet malore dhe ishullin e Maligradit, deri tek ata që kërkojnë të kalojnë disa ditë larg zhurmës së qytetit, Prespa po kthehet gradualisht në një nga destinacionet më interesante të turizmit natyror dhe kulturor në Shqipëri.

Interesimi për zonën është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, ndërsa gjithnjë e më shumë turistë po zgjedhin të qëndrojnë më gjatë në bujtinat dhe familjet e zonës, duke u njohur nga afër me traditat, gatimet dhe jetën e përditshme të banorëve të Prespës.

Pusteci, thesari i fshehur i Prespës/ Kryebashkiaku Kolefski rrëfen

“Unë e shikoj vërtetë pozitivisht situatën. Ka një interesim shumë të madh për të gjithë turistët. Ne e kemi parë vitin 2025, sipas statistikave tona të bashkisë të cilat janë shumë të sakta se ne e kemi mbajtur duke pasur një mënyrë të komunikuar me të gjithë njerëzit, që merren me turistët ose me bujtinat. Ka pasur diku në 17,000-17,500 vizitorë, që kanë qëndruar për një natë ose më shumë. Interesante është se vitet e fundit ose kohët e fundit është shtuar edhe vizitorët të cilët preferojnë që të rrijnë në Pustec më shumë se një natë, dy, pesë, edhe kështu edhe më shumë. Vetëm me të dhënat e një agjencie turistike që ka sjellë turistë francezë, ka pasur 450 vizitorë të cilët kanë ndenjur më shumë se pesë ditë këtu. Madje është shumë interesante fakti që ata jo vetëm kanë vizituar Bashkinë Pustec që kanë qëndruar këtu, por kanë kontribuar dhe kanë dhënë një shembull shumë të mirë për ndihmën në komunitet. Ata kanë parë nevojat e njerëzve, fermerëve dhe kështu me radhë, me fondet e tyre, me kontributin e tyre fizik, kanë ndihmuar njerëzit këtu.”

Asnjë udhëtim në Prespë nuk mund të konsiderohet i plotë pa provuar gatimet tradicionale të zonës, të cilat mbeten një nga identitetet më të forta të Bashkisë së Pustecit. Kuzhina e kësaj treve lidhet ngushtë me liqenin, peshkimin dhe traditat e trashëguara brez pas brezi, ku çdo familje ruan mënyrën e vet të gatimit dhe shijet karakteristike të Prespës.

Pusteci, thesari i fshehur i Prespës/ Kryebashkiaku Kolefski rrëfen

Nga tava e famshme e krapit, tek peshku i thatë dhe pastërmaja tradicionale, gatimet e zonës përfaqësojnë edhe mënyrën e jetesës së banorëve që prej dekadash kanë jetuar pranë liqenit. Për turistët vendas dhe të huaj, kuzhina tradicionale është kthyer në një tjetër arsye për të vizituar këtë zonë dhe për të përjetuar nga afër mikpritjen e familjeve të Pustecit.

“Do të përmend disa, janë gjëra tradicionale që besoj se këtu kanë fillesën dhe këtu është origjina e këtyre gatimeve. Të gjithë e njohin tavën e krapit në Bashkinë Pustec, por unë do të përmend që ka shumë, ka shumë të tjerë dhe do të rekomandoja çdo vizitor që t’i provonte. Ne bëjmë peshkun pastërma, çdo lloj peshku bëhet pastërma. Kemi peshkun e thatë patjetër që gatuhet në mënyra shumë të ndryshme, shumë tradicionale. Edhe mund të përmend një nga gatimet si pastërmaja me pilaf, me oriz. Dhe për mua unë do t’ua rekomandoja të gjithëve që ta porositnin. Çdo restorant edhe çdo familje në Bashkinë e Pustecit e ka pasur traditë gatimin e vet me këtë lloj gatimi. I gjithë peshku ka të gjitha ato mënyra për t'u gatuar dhe çdo peshk ka shijen dhe veçantinë e saj.”

Mes ujërave të qeta të Prespës, maleve që rrethojnë liqenin dhe historive që ruhen brez pas brezi, Pusteci mbetet një nga ato vende të rralla ku koha duket sikur ecën ndryshe. Një trevë që nuk të tërheq me zhurmë apo me madhështi artificiale, por me thjeshtësinë, autenticitetin dhe shpirtin e njerëzve të saj. Këtu, çdo fshat ka historinë e vet, çdo kishë ruan kujtesën e një kohe tjetër dhe çdo familje vazhdon të mbajë gjallë traditat që kanë formuar identitetin e kësaj zone ndër vite.

Pusteci, thesari i fshehur i Prespës/ Kryebashkiaku Kolefski rrëfen

Ishulli i Maligradit, kishat bizantine të ndërtuara në shkëmbinj, vizatimet parahistorike, biodiversiteti i rrallë dhe tradita e hershme e peshkimit e bëjnë këtë zonë një muze të gjallë në natyrë.  Por përtej bukurisë së peizazhit, Pusteci mbetet mbi të gjitha vendi i njerëzve punëtorë, i familjeve që ende jetojnë me tokën, liqenin dhe mundin e përditshëm.

Një komunitet që pavarësisht sfidave të emigrimit, apo vështirësive ekonomike, vazhdon të ruajë optimizmin dhe dëshirën për ta zhvilluar zonën e tyre. Projektet për infrastrukturën, turizmin dhe bujqësinë po sjellin një tjetër frymë për Prespën shqiptare, ndërsa interesi në rritje i turistëve vendas dhe të huaj po i jep kësaj zone një mundësi të re zhvillimi. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse kush vjen një herë në Pustec, largohet me dëshirën për t’u rikthyer sërish.

Pusteci, thesari i fshehur i Prespës/ Kryebashkiaku Kolefski rrëfen

Për të parë lindjen e diellit mbi liqen, për të ndjerë qetësinë e natyrës, për të eksploruar historinë e fshehur të Maligradit apo për të shijuar gatimet tradicionale që mbajnë ende aromën e traditës së vjetër të Prespës.

Nga Bashkia e Pustecit, për CNA TV, kjo ishte një speciale kushtuar një prej zonave më të bukura, më të pastra dhe më autentike të vendit tonë. Një udhëtim mes historisë, natyrës dhe njerëzve të Prespës, që dëshmon se Shqipëria ka ende vende të mrekullueshme për t’u zbuluar./ CNA





Lajmet e fundit nga