web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Mbledh të rinjtë e apasionuar pas shkencës/ Hackathoni më i madh i NASA-S, në Korçë

5 Tetor 2024, 19:45, Qyteti im CNA

Për herë të parë në qytetin e Korçës vjen Hackathoni më i madh NASA SpaceApps Challenge, projekt ku të rinjtë nga e gjithë Shqipëria do të bëhen pjesë e 20 sfidave e do të konkurojnë me 70 000 të rinj nga e gjithë bota në këtë platformë të NASA. Ky projekt vjen për herë të 10-të në Shqipëri, ndërsa këtë vit u përzgjodh Korça me qëllim përfshirjen e të rinjve të këtij qyteti në këtë projekt të rëndësishëm.

Shembulli më i mirë i një historie suksesi është ajo e 17-vjeçarit me origjinë nga Korça, Blendi Avdolli, i cili ka fituar medaljen e arit në Olimpiadën Botërore të Inteligjencës Artificiale në Arabinë Saudite. Në këtë olimpiadë morën pjesë 90 konkurrentë nga e gjjthë bota, por medaljen arriti ta fitonte 17-vjeçari Avdolli. Në këtë olimpiadë të rinjtë u bënë pjesë e konkursit në gjuhën python e më pas u përballën me pyetje logjike, algoritmike dhe lidhur me probabilitetin.

"Jam 17 vjeç dhe këtë vit kam fituar medaljen e artë në Olimpiadën Botërore të Inteligjencës Artificiale në Arabinë Saudite. Olipiada u zhvillua në 8 deri në 12 shtator, morën pjesë 90 konkurentë nga e gjithë bota, shtetet më të fuqishme si Amerika, Hollanda, Kina etj. Fitova medalje ari nga 90 konkurentë. Bëmë një konkurs i cili ishte në gjuhën python, më pas kishim një raund te dytë e cila ishte me pyetje logjike, algoritmike dhe pyetje me probabilitetin", u shpreh i riu.

Mbledh të rinjtë e apasionuar pas shkencës/ Hackathoni më i

Detyra e të rinjve në këtë olimpiadë ishte krijimi i një inteligjence artificiale që parashikon zjarret në Afrikë. 17-vjeçarit Avdolli iu bë vlerësimi nga përqindjet më të ulëta të gabimit në programin e krijuar për parashikimin e zjarreve të vitit 2018. Blendi Avdolli këtë vit vjen si mentor në projektin e Nasa për të dhënë kontributin e tij i cili ka nisur prej moshës 10 vjeçare.

"Detyra jonë ishte për të krijuar një inteligjencë artificiale e cila parashikon zjarret ne Afrikë. Kishim të dhëna të zjarre të mëparshme nga 2001-shi deri në 2017-tën dhe duhet të parashikonim se ku do binin zjarret në 2018-tën. Vlerësimi u bë me anë të përqindjes së gabimit që kishte programi jonë dhe programi im kishte një nga përqindjet më të ulta të gabimit nga 90-të konkurentët. Ishte shumë e vështirë programimi. Me thënë te drejten kam 7 vite që punoj e studioj për gjuhën e programimit python bashkë me zyshat, mentorët dhe Albanian ICT Academy. Fryti i 7 viteve ishte medalja e artë në Olimpiadën e Parë Botërore të Inteligjencës Artificiale. Unë tek Nasa Space Apps Challenge vij si mentor por më parë kam qënë konkurent duke fituar nje herë vendin e tretë e një herë vendin e dytë", tha Blendi Avdolli.

Mbledh të rinjtë e apasionuar pas shkencës/ Hackathoni më i
Blendi Avdolli

Hatixhe Bilibashi, drejtuese e projektit Nasa International Space Apps Challenge për Shqipërinë ka treguar detaje sa i përket këtij projekti dhe rëndësinë e madhe që ai ka për të rinjtë të cilët duan të zhvillojnë aftësitë e tyre. Bilibashi thotë se këtë vit marrin pjesë rreth 70 mijë të rinj nga e gjithë bota, ku 60 prej tyre janë nga Shqipëria.

"Jemi për të 10-tin vit radhazi. Nasa International Space Apps Challenge është një Hackathon, i cili zhvillohet paralelisht në të gjitha shtetet e botës. Këtë vit marrin pjesë rreth 70 000 të rinj nga e gjithë bota ku njekohësisht kemi rreth 60 të rinj që janë pjesë e këtij konkursi nga Shqipëria. Çfarë kemi risi gjatë ketij viti? Mund të themi që për 9-të vite kemi zhvilluar në Tiranë Albanian ICT Academy që e sjell këtë projekt në Shqipëri. Në vitin e 10- të kemi ardhur në Korçë duke qënë se kemi një seli të dytë në Korçë dhe kemi patur dëshirë që të përfshijmë edhe të rinjtë e Korçës, duke i bashkuar edhe me të rinjtë e Tiranës dhe njëkohësisht të rinjtë e gjithë botës për të fituar nga kjo eksperiencë. Njëkohësisht për të dhënë idetë e tyre lidhur me zgjidhjet që NASA kërkon për sfida të ndryshme që i ka hedhur në dispozicion të këtyre të rinjve", u shpreh ajo.

Për drejtuesen e projektit, në këtë vit do të ketë 20 sfida në dispozicion, të cilat kanë lidhje me planetet, identifikimin e zjarreve, ruajtjen e efiçiencës së energjisë, ku zgjidhjen për këto do ta japin pikërisht këta të rinj.

Mbledh të rinjtë e apasionuar pas shkencës/ Hackathoni më i
Hatixhe Bilibashi

"Pse NASA e bën këtë Hackathon e pse i grupon këta të rinj, jo vetem nga Shqipëra por nga e gjithë bota? Le të themi që këtu janë të gjitha ato mendjet që kërkohen, ose ai kapitali intelektual që kërkohet jo vetëm nga Shqipëria por nga e gjithë bota, për të dhënë zgjidhjet e ndryshme, të cilat NASA deri sot edhe pse ne themi që NASA nuk ka arritur të japë zgjidhje për këto sfida që janë aktuale në të gjithë botën. Ju vë në dispozicion te dhëna dhe librari që NASA i ka në hapësirat e veta dhe këta të rinj kanë akses për t’i përdorur dhe t’i japin zgjidhje sfidave. Këtë vit janë 20 sfida në dispozicion, janë sfida nga më të ndryshmet që kanë lidhje me planete të ndryshme, me planetin e Hënës, kanë lidhje me hapësirën e Tokës, me identifikimin e zjarreve të problematikave të ndryshme, për ruajtjen e efiçencës së energjisë dhe kërkohet zgjidhje nga këta të rinj", tha Hatixhe Bilibashi.

Shqipëria, sipas Bilibashit, ka patur një sukses shumë të lartë në dy vitet e fundit, ndërsa pritshmëritë janë që të rinjtë shqiptarë të arrijnë të fitojnë një nga çmimet që vë NASA në dispozicion.

"Shqipëria ka patur një sukses shumë më të lartë ne dy vitet e fundit sepse kemi patur dy grupe të nominuara për çmime dhe shpresojmë shumë që këtë vit duke bashkuar të rinjtë jo vetëm kemi ardhur në Korçën e bukur, në Korçën e serenatave për të bashkuar mendjet e bukura të Korçës dhe të rinjve të tjerë nga e gjithë Shqipëria, e pse jo të arrijmë të fitojmë një nga çmimet që NASA vë në dispozicion dhe t’ju japim mundësi këtyre të rinjve që të shkojnë deri në NASA", deklaroi ajo.

Të rinjtë që do të përballen me 20 sfidat e projektit të NASA, do të kenë mundësi që në rast të rezultateve të larta, të vazhdojnë rrugëtimin edhe më lart, duke vizituar edhe organizatën në SHBA./ CNA





Lajmet e fundit nga