web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Vetëm një kryengritje e armatosur mund të rrëzojë Putinin dhe ta transformojë Rusinë në një vend demokratik

1 Korrik 2023, 21:50, Blog Mikhail Khodorkovsky

Vetëm një kryengritje e armatosur mund të rrëzojë

Pavarësisht dështimit, përpjekja për grusht shteti e Jevgeni Prigozhin ishte një moment tepër tronditës për Rusinë, pasi nxori në pah cenueshmërinë e presidentit Vladimir putin. Gjatë orëve të rebelimit, unë u shpreha që opozita demokratike e Rusisë duhet ta mirëpriste mundësinë që paraqiste puçi, jo sepse Prigozhin është miku ose aleati ynë - sepse ai është një bandit dhe kriminel lufte - por sepse rrëzimi i Putin mund të ndodhë vetëm përmes forcës.

Kjo ishte hera e dytë që Putin përballet me një moment vërtet revolucionar. I pari ishin protestat e mëdha popullore të viteve 2011-2013. Megjithatë në atë kohë, opozita demokratike nuk ishte në gjendje të përfitonte.

Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se rënia e regjimit të Putinit dhe krijimi i një Rusie më të mirë, nuk do të ndodhë përmes kutive të votimit apo mjeteve të tjera paqësore, por do të kërkojë një kryengritje të armatosur. Ne ose mund të jemi të përgatitur për këtë ose duhet t’ia lëmë gjithçka rastësisë.

Vetëm një popull i armatosur mund ta rrëzojë këtë diktaturë. Natyra e tentativës së grushtit të shteti nuk ishte krejtësisht e paparashikueshme. Në fakt, unë e kam theksuar edhe më parë rrezikun që i kanosej Putinit për shkak të shfaqjes së mijëra individëve që si rezultat i pushtimit të tij kriminal të Ukrainës, kanë në duar armët dhe përvojën luftarake.

Unë thashë në atë kohë se nëse ushtria e Ukrainës do të çante linjat e frontit rus, një turmë luftëtarësh që do të tërhiqeshin në Rusi do ta kërcënonte regjimin, ashtu siç rikthimi i trupave nga fronti në Luftën e Parë Botërore e përshpejtoi rrëzimin e Carit dhe ardhjen në pushtet të bolshevikëve.

Nëse Prigozhin do të kishte pasur sukses, do të ishte naive të mendohej se grushti i shtetit do të kishte sjellë demokratizimin e vendit, lirimin e të burgosurve politikë dhe shpalljen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Nëse ne në opozitën demokratike dëshirojmë t’i arrijmë këto synime, atëherë jo vetëm që duhet të mbështesim rrëzimin e regjimit aktuale, por duhet edhe të jemi të gatshëm të mbrojmë me forcë interesat tona demokratike kur ai të bjerë. Në këtë fazë, liria jonë nuk do të fitohet duke u përgatitur për zgjedhje.

Megjithatë ajo që bëri të qartë tentativa për grusht shteti, është se Putin është aktualisht një “rosë e çalë”, ditët e të cilit janë të numëruara. Ajo i ka dhënë një goditje potencialisht fatale legjitimitetit të regjimit të tij, në sytë e elitave ruse por edhe shoqërisë ruse në përgjithësi.

Ai është ekspozuar si një udhëheqës i dobët, i paaftë për të kontrolluar rrethin e tij të brendshëm dhe forcat e sigurisë, dhe që fshihet kur është i kërcënuar. Larg nga të qenit një mjeshtër i manipulimit dhe i nxitjes së përçarjeve midis atyre që janë poshtë tij, ai rrezikon të rrëzohet nga forcat që ai ka krijuar por që tani nuk mund t’i kontrollojë më.

Për popullatën e përgjithshme, lehtësia me të cilën mercenarët e Prigozhin pushtuan Rostov-on-Don, një qytet në Rusinë jugore që shërben si një bazë kyçe e logjistikës për forcat ruse në Ukrainë, e demaskon idenë se Putin ka një mbështetje të madhe publike.

Ndërkohë, elitat ruse nuk mund ta shikojnë atë si garantues të statusit, stabilitetit dhe prosperitetit të tyre. Presidenti nuk mund të kontrollojë më trupat e tij, dhe popullsia nuk u beson më miteve që ai përhap për luftën e tij të panevojshme dhe kriminale.

Prigozhin e kuptoi dobësinë e Putinit, gjendjen e problematike të makinerisë së tij të luftës dhe moralin e rrënuar të trupave të tij. Ai nuk do të kishte rebeluar nëse nuk do të mendonte se kishte një shans serioz për sukses. Ne pamë se si ka gjasa të ndodhë rënia e pashmangshme e regjimit.

Opozita demokratike dhe aleatët tanë të natyrshëm në Perëndim, duhet të përgatiten për rrëzimin e regjimit dhe nuk mund të lejojnë që banditi që aktualisht është në krye të arsenalit bërthamor të Rusisë të zëvendësohet nga një bandit tjetër.

Perëndimi duhet të besojë tek opozita demokratike e Rusisë dhe ta fuqizojë atë në mënyrë që kur regjimi të shpërbëhet, ne të jemi në gjendje të shfrytëzojmë momentin. Fuqitë perëndimore duhet të njohin institucionet tona opozitare, siç është Komiteti rus i Veprimit, si përfaqësues legjitimë të shoqërisë ruse, duke na dhënë mundësinë të konkurrojmë më mirë me “patriotët” e armatosur siç janë soji i Prigozhin.

Njëkohësisht, nuk duhet të ketë asnjë lëshim në mbështetjen e Perëndimit për Ukrainën. Ai duhet të vazhdojë të armatosë ukrainasit për t’i nxitur ata drejt arritjes së fitores. Forcat e Putinit janë në kaos dhe Ukraina duhet të mbështetet plotësisht për të arritur avantazhin.

Megjithatë, brenda Rusisë është koha të pranojmë se dështimi i luftës që nisi, e ka bërë të pashmangshme rënien e Putinit. Në rast se Perëndimi dëshiron që të shohë ndonjëherë një Rusi të aftë për të qenë një aktore e përgjegjshme në skenën botërore, ai duhet t’i japë mbështetjen e tij opozitës demokratike.

Ndërkohë, kjo e fundit duhet të përgatitet për atë që do të vijë më pas, dhe për realitetin e hidhur se revolucioni i ardhshëm rus nuk do të jetë i kadifenjtë (paqësor). Regjimi dhe forcat që do ta rrëzojnë do të jenë të armatosura.

Ne mund ta urrejmë Prigozhinin, por s’mund të injorojmë faktin se ai ka demonstruar potencialin për një sabotim të suksesshëm të regjimit të dëmshëm të Putinit. Ndryshimi i regjimit po vjen. Është e pamundur të thuhet me saktësi se kur. Por një gjë është e sigurt: ne duhet të jemi gati për të.

Shënim: Mikhail Khodorkovsky, ish i burgosur politik dhe drejues i Yukos, një kompani ruse e naftës./ “The Economist” - Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga