web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Sfidoi hegjemoninë e Romës/ Kush ishte Hanibali i Kartagjenës, një nga strategët ushtarakë më të mëdhenj të të gjitha kohërave?

11 Qershor 2023, 18:34, Blog CNA

Sfidoi hegjemoninë e Romës/ Kush ishte Hanibali i Kartagjenës,

Gjatë gjithë periudhave historike ka pasur udhëheqës të mëdhenj ushtarakë, aftësitë strategjike të të cilëve kanë përcaktuar rrugëtimin e qytetërimit tonë. Një udhëheqës i tillë ushtarak ishte pa dyshim Hanibali i Kartagjenës. Një gjeneral i jashtëzakonshëm, Hanibal Barka zhvilloi një luftë epike kundër Perandorisë Romake gjatë Luftës së Dytë Punike, e cila formësoi historinë e botës mesdhetare.

Emri i tij u bë një simbol i pashlyeshëm i terrorit, dhe deri më sot ai konsiderohet si një nga mendjet më të mëdha ushtarake të të gjitha kohërave. Hanibali u lind në vitin 247 Para Krishtit në Kartagjenë (në Tunizinë e sotme). I ati ishte udhëheqësi i njohur kartagjenas Hamilkar Barka. Hanibali u rrit në një familje të mbushur me ambicie.

Krahas vëllezërve të tij Hasdrubal dhe Mago, dhe disa motrave, i riu Hanibal u edukua nën kujdesin e veçantë të të atit, që rrënjosi tek ai dëshirën e pashuar për aventura. Kartagjena, dikur një forcë dominuese në Mesdhe, kishte krijuar koloni në Siçili, Sardenjë dhe Spanjë. Megjithatë, ngjitja e shpejtë e Republikës Romake përbënte një sfidë të madhe për supremacinë e Kartagjenës. Në vitin 264 Para Krishtit, Roma pushtoi qytetin e Mesanës në Siçili dhe kështu shpërtheu Lufta e Parë Punike. Hanibali lindi gjatë asaj periudhe të trazuar dhe ai dëshmoi konfliktin e zgjatur që pasoi për më shumë se dy dekada, duke kulmuar me fitoren e Romës në vitin 241 Para Krishtit me Traktatin e Lutatit.

Gjatë gjithë kësaj kohe, babai i Hanibalit, Hamilkar, ishte një udhëheqës i nderuar. Ai  komandonte ushtrinë dhe kishte ndikim të konsiderueshëm. Por pavarësisht pozitës delikate  Senati Kartagjenas nuk i dha Hamilkar burime të mjaftueshme për të siguruar një fitore të plotë, ndaj lufta përfundoi duke vendosur Romën si fuqinë dominuese të Mesdheut Perëndimor.

Pas luftës, Roma vendosi taksa të rënda mbi Kartagjenën, duke e varfëruar thesarin e saj, dhe duke ia bërë të pamundur të zëvendësonte luftëtarët e saj mercenarë. Madje Hamilkar u përball me sfidën e një revolte të këtyre të fundit, duke tensionuar më tej gjendjen tashmë të pasigurt të Kartagjenës.

Në këtë situatë nisi të merrte formë shpirti i paepur dhe vendosmëria e palëkundur e Haniblit, duke nxitur ambicien e tij për të sfiduar fuqinë e Romës. Duke e njohur entuziazmin e djalit të tij, Hamilkar e pranoi kërkesën e Hannibalit dhe së bashku nisën një udhëtim drejt Spanjës.

Atje ai i tha djalit të tij të vogël të betohej solemnisht për të mos u miqësuar asnjëherë me Romën. Hanibal Barka u rrit në ushtri, duke përmirësuar aftësitë e tij në udhëheqje dhe artin e luftës taktike. Kur babai i tij vdiq në betejë, kunati i Hanibalit, Hasdrubal, mori detyrën si udhëheqës ndërsa Hanibali i shërbeu si oficer.

Kur Hasdrubal u vra në vitin 221, Hanibali i Kartagjenës i kërkoi Senatit të merrte komandën e ushtrisë. Kjo ndodhi kur Hanibali ishte rreth 26 vjeç dhe ishte martuar me princeshën iberike Imilce. Përballë dominimit në rritje të Romës, Hanibali hartoi një plan të guximshëm për t’u përballur drejtpërdrejt me romakët.

Fillimisht ai vazhdoi fushatat e babait të tij në Spanjë, duke u përpjekur të krijonte aleanca dhe burime strategjike në atë rajon. Ndërkohë në vitin 2018 Para Krishtit, Hanibali sulmoi aleatin e Romës në Saguntum, afër Valencias së sotme, një bastion i rëndësishëm për kontrollin e rrugëve detare në Detin Mesdhe.

Ky akt shkeli një traktat të mëparshëm midis Romës dhe Kartagjenës dhe dërgoi një mesazh të fuqishëm në Romë, duke çuar në nisjen e Luftës së Dytë Punike. Pasi rrethoi qytetin dhe e ktheu atë në gërmadha, Hanibali i Kartagjenës u drejtua në veri.

Duke e paraqitur veten si çlirimtar, ai tërhoqi me sukses rekrutë. Për të shmangur përballjen me flotën e fuqishme të Romës, ai filloi përpjekjen e guximshme për të udhëtuar nga Spanja Veriore dhe Galinë Jugore, me synimin për të arritur në Itali duke kaluar Alpet.

Po atë vit ai komandoi një forcë mbresëlënëse të përbërë nga mbi 100.000 trupa dhe një kontigjent të frikshëm prej rreth 40 elefantësh lufte. Ndërsa rruga e saktë që ndoqi Hanibali  përmes Alpeve është ende objekt debati midis studiuesve, është pranuar gjerësisht se udhëtimi ishte i rrezikshëm dhe i mbushur me sfida.

Përveç klimës së ashpër të Alpeve, ushtria e tij u përball me sulmet e pamëshirshme guerile nga fiset vendase. Ato e penguan rrugën e kartagjenasve duke rrokullisur gurë të rëndë në një përpjekje për të ndalur përparimin e tyre. Ndër sfidat më të mëdha ishte ajo e një shtegu të kontrolluar nga Allobrozhët, një fis vendas i Galisë së lashtë.

Por Hanibali dërgoi fshehurazi spiunë, të cilët zbuluan një dobësi thelbësore në mbrojtjen e Allobrozhët: ata zinin pozicionet e tyre vetëm gjatë ditës dhe i braktisnin natën. Duke shfrytëzuar këtë dobësi, Hanibali shpiku një strategji të zgjuar. Ushtria e tij ngriti kampin, duke ndezur zjarre të shumta për të krijuar iluzionin e vendosjes për natën.

Duke besuar se një sulm nën errësirë nuk kishte gjasa të ndodhte Allobrozhët u larguan nga pozicionet e tyre në fund të ditës. Duke përfituar nga rasti, forcat e Hanibalit u vërsulën me shpejtësi përmes kalimit, duke mos hasur asnjë rezistencë.

Ndërsa nuk ka asnjë provë të drejtpërdrejtë arkivore për kalimin e Alpeve nga Hanibali, udhëtimi rraskapitës i Hanibalit shkaktoi jo pak kosto, duke reduktuar ndjeshëm forcat kartagjenase për shkak të betejave, kushteve të vështira të motit dhe dezertimeve. Megjithatë, përkundër të gjitha gjasave, pas 17 ditësh të mundimshme, Hanibali i Kartagjenës sfidoi pritshmëritë, duke mbërritur në Itali me rreth 20.000 këmbësorë dhe 6.000 kalorës.

Ushtria e Hanibalit u bashkua me forcat anti-romake në veri të Italisë për të filluar sulmin kryesor në territorin romak. Pavarësisht se shkaktoi shkatërrime në zonat rurale dhe siguroi disa fitore të rëndësishme, Hanibali i Kartagjenës u përball në fund me disfatën.

Kjo për shkak të taktikave të gjeneralit romak Kuintus Fabius Maximus (në vitet 217-216 Para Krishtit), të cilat u bënë të njohura si Taktikat Fabiane. Fabius e kuptoi se mund ta mposhtte Hannibalin e Kartagjenës duke i angazhuar njerëzit e tij në përleshje të vogla dhe të kushtueshme.

Kjo solli reduktimin e ndjeshëm të trupave të tij, duke e detyruar në fund që të tërhiqej.

Gjithsesi, Hanibali i Kartagjenës vazhdoi të luftonte me Romën për më shumë se një dekadë dhe goditja e tij vendimtare erdhi vetëm në vitin 202 Para Krishtit, kur ai u mund nga Shipion  Afrikani në Betejën e Zamës në Afrikën e Veriut, duke i dhënë fund Luftës së Dytë Punike dhe duke dëmtuar reputacionin e Hanibalit.

Si pjesë e traktatit të paqes, Kartagjena u detyrua të dorëzonte territoret e saj në Spanjë dhe Afrikën e Veriut, të shpërbënte flotën dhe t’i paguante një dëmshpërblim të madh Romës.  Hanibali u detyrua nga romakët të tërhiqej nga detyra në vitin 195. Pasi kërkoi fillimisht strehim në Perandorinë Seleukide, ai u gjend në oborrin e mbretit Prusias të Bitinisë, në Turqinë e sotme.

Kur romakët kërkuan ekstradimin e tij, Hanibali i Kartagjenës zgjodhi të vriste veten duke gëlltitur helm në 183 para Krishtit, një akt i fundit sfide kundër armikut të tij të përjetshëm. “Le tua heqim romakëve frikën nga ky plak ngatërrestar”- thuhet të ketë thënë për të historiani romak Tit Livi./ Pershtatur nga CNA





Lajmet e fundit nga