web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Drama e familjarëve të mercenarëve të vrarë të Grupit Vagner dhe e një populli ende të marrosur pas Putinit

4 Qershor 2023, 18:30, Blog CNA
Drama e familjarëve të mercenarëve të vrarë të
Foto ilustruese

Larisa kontrollon mesazhet e shkëmbyera me nipin e saj në rrjetet sociale, duke u ndalur te një foto e Andreit dhe duke e zmadhuar atë në ekranin e celularit të saj. Një djalosh i dobët, i zbehtë, i veshur me një pulovër të errët. Ai po vështron kamerën me një pamje serioze në fytyrë. Pas tij duken krevatet e një kazerme me të burgosur. Sytë e Larisës mbushen me lot. “Pse ai? Ishte kaq i brishtë fizikisht”- thotë ajo duke qarë. Kur më në fund arrin të largojë shikimin nga fotografia, më tregon një regjistrim audio të nipit të saj.

Duke u përpjekur të duket i qetë, ai thotë: “Përshëndetje, jam mirë, por po shkoj në luftë... Por jo me ushtrinë ruse. Por për një ushtri private... Mos qani, qetësohuni, gjithçka do të shkojë mirë... Unë do të luftoj për 6 muaj dhe pastaj do të kthehem në shtëpi”.

Por Andrei Kargin, 22 vjeç, i dënuar me disa vite burg për vjedhje të përsëritur, dhe i dërguar në front në Ukrainë si pjesë e Grupit Vagner, nuk u kthye më kurrë në shtëpi. Mesazhet dhe fotoja janë gjithçka që i kanë mbetur Larisës nga nipi. Gruaja shtatshkurtër, por energjike në të 40-at fshin lotët me dorë dhe ulet në stolin përpara shtëpisë së saj të vogël që ndodhet midis fushave dhe stepave në një fshat në rajonin e Volvogradit.

“Der Spiegel” ka zgjedhur të mos e publikojë emrin e fshatit për arsye sigurie. “Si mund ta dërgonin Andrushkën në luftë? Ai nuk ishte i përshtatshëm për të. Kur ka qenë i vogël ka vuajtur nga tuberkulozi. Edhe tani kishte probleme të vazhdueshme me mushkëritë dhe shpinën. Ata e dërguan Andrushkën dhe të gjithë të burgosurit e tjerë si mish për top”- shprehet gruaja duke ngashëryer.

Gjatë disa muajve, kreu i Grupit Vagner, Jevgeni Prigozhin, rekrutoi dhjetëra mijëra të burgosur nga burgjet ruse, duke i dërguar valë pas vale drejt pozicioneve ukrainase. Mijëra të dënuar duket se nuk kanë mbijetuar, siç e ka pohuar edhe vetë Prigozhin, sidomos në Bakhmut, qytet që u arrit të pushtohet pas disa muajsh luftime të përgjakshme.

Nipi i Larisës ka 6 muaj që ka vdekur. Ajo ka një sërë pyetjesh, dhe deri më tani, askush nuk ka treguar interes për t’i kthyer përgjigje, as agjencitë shtetërore dhe as Grupi Vagner, që e ka injoruar si të ishte veçse një lypëse e bezdisshme në anë të rrugës.

“Çfarë do? A nuk po merr para?”- i kishte bërtitur në telefon një burrë nga Grupi Vagner para se ta mbyllte bisedën. Ai e këshilloi Larisën që të pajtohej me vdekjen e Andreit. Por ajo nuk është në gjendje ta bëjë këtë. Ndihet përgjegjëse për Andrein, të cilin sapo e kishte rigjetur.

Pas vdekjes së hershme të nënës së tij, e cila me sa duket pinte shumë, Andrei përfundoi në një jetimore në moshën 6-vjeçare. Babai i tij, vëllai i madh i Larisës, u largua herët nga familja dhe nuk bëri asgjë për t'u kujdesur për djalin e tij. Kështu Andrei përfundoi te një familje kujdestare, diçka që Larisa e mësoi vetëm vite më vonë.

Ajo dëshiron të kuptojë pse nipi i saj e lejoi veten të rekrutohej. A e detyruan ata të Vagnerit?

A u josh nga premtimi për amnisti dhe lirim nga burgu? Pse nuk ia sollën trupin e tij, siç e bënë për prindërit e një tjetër ish-ushtari në këtë fshat? Pse nuk ka marrë ende një certifikatë vdekjeje për Andrein?

Mbetet e paqartë se sa të burgosur rusë që luftojnë në Ukrainë për llogari të Grupit Vagner janë vrarë. Kjo pjesërisht sepse shumë nga familjet e tyre preferojnë të heshtin, ose nga frika e ndëshkimit ose thjesht sepse nuk dinë asgjë për fatet e të dashurve të tyre. Vagner i lë shpesh në errësirë informative anëtarët e familjes.

“Der Spiegel” kontaktoi me dhjetëra prej tyre. Në shumicën e rasteve, ata dinë vetëm se djemtë, vëllezërit ose bashkëshortët e tyre janë ende gjallë, sepse po marrin ende pagën mujore. Me fjalë të tjera, paraja është e vetmja shenjë e jetës. Gjithnjë nëse vjen.

Vetë Larisa thotë se nuk ka parë kurrë ndonjë pagesë nga Grupi Vagner. Ushtria mercenare u premtoi të burgosurve të rekrutuar të paktën 200.000 rubla në muaj për shërbimin e vijës së parë të frontit, ekuivalente me rreth 2.400 euro. Një shumë e madhe në një vend ku pagat mesatare mujore janë vetëm disa qindra euro.

Por Larisa nuk është e interesuar për paratë. Dhe jo se nuk ka nevojë. Ajo ëndërron të ketë një shtëpi më të madhe për veten dhe fëmijët e saj, një kuzhinë më të gjerë dhe kondicioner për ditët e nxehta të verës. Por nuk dëshiron ta paguajë atë me paratë e Vagner.

Ajo e pranon se ka frikë nga Grupi Vagner. Megjithatë ka vazhduar të telefonojë, të dërgojë mesazhe, të postojë apele në mediat sociale dhe të shkoje tek autoritetet shtetërore në përpjekje për të zbuluar se ku mund të gjendet trupi i nipit të saj. Për shumë muaj, nuk dëgjoi asgjë.

Rreth 7 javë pasi mori mesazhin e fundit zanor të Andreit në fund të shtatorit 2022, telefoni i Larisës ra një të shtunë në mëngjes. Zëri i fuqishëm i një burri u prezantua si një komandant Vagner. Ai i tha asaj, që ishte familjarja më e ngushtë se Andrei ishte vrarë. Larisa e pyeti se kur do ta tërhiqte trupin. “Për këtë duhet të pyesni në zyrën ushtarake lokale”- ishte përgjigja komandanti i Vagner.

Ndërkohë pasi shkoi tek kjo e fundit i thanë: “Ne nuk dimë asgjë. Nuk kemi asnjë lidhje me Grupin Vagner”. Do të kalonin muaj përpara se një grua që nuk e njihte, t’i dërgonte Larisës një foto të varrit të Andreit në fshatin Bakinskaja. Ky fshat ndodhet në Rusinë Jugore, disa qindra kilometra larg fshatit të lindjes së Larisës, dhe është vendi ku Prigozhin ka krijuar varrezat më të mëdha të të vrarëve të Vagner.

Qendra e trajnimit e Vagner në Molkino është vetëm 10 kilometra larg. Gjatë një vizite në fillim të prillit, “Der Spiegel” numëroi më shumë se 600 varre, ose 12 herë më shumë se sa kishte pasur rreth tre muaj më parë. Dhe varre të reja shtohen çdo ditë, me një varrmihës që punon çdo ditë.

Varri i Andreit gjendej në një nga rreshtat e parë. Kishte një kurorë plastike me stemën Vagner së bashku me një yll të artë dhe një kryq të thjeshtë ortodoks që mban emrin e tij, datëlindjen

18 mars 2000 dhe ditën e vdekjes së tij, 15 nëntor 2022. Dikush ka shtuar një karafil rozë.

Por a është varrosur vërtet atje nipi i saj, kaq larg shtëpisë së tij? Është një pyetje të cilën Larisa e bën shpesh. Ajo do që të zhvarrosë Andrein dhe të kryejë një test të ADN-së. Por për këtë duhet të padisë në gjykatë Grupin Vagner, një perspektivë jo shumë premtuese duke pasur parasysh se do të përfshinte një ushtri mercenare që sipas ligjit rus as që duhet të ekzistonte.

Për me tepër ajo do të duhet të bindë vëllain e saj që të sigurojë një mostër të ADN-së. Por atij nuk i intereson aspak fati i djalit të tij. Por pavarësisht gjithçkaje Larisa e lavdëron Putinin: “Ai është një president i mirë dhe ka bërë shumë për vendin tonë. Unë e respektoj atë”. Asaj i duket e çuditshme që ai vazhdon të tolerojë Prigozhin dhe Grupin Vagner. “Por presidenti nuk di shumë për këtë grup”- thekson ajo./ Pershtatur nga CNA

Marrë me shkurtime





Lajmet e fundit nga