web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Historia përsëritet: Kuba, Kina dhe Lufta e Re e Ftohtë

17 Qershor 2023, 19:20, Blog Elliott Abrams

Historia përsëritet: Kuba, Kina dhe Lufta e Re e Ftohtë

Më 8 qershor, gazeta amerikane “Wall Street Journal”, zbuloi se Kina do të ndërtojë një stacion të ri të madh të spiunazhit në Kubë. Sipas saj Kina dhe Kuba kanë arritur një marrëveshje sekrete, sipas së cilës Kina do të krijojë një bazë të përgjimit elektronik në ishull, duke lëshuar një sfidë të re gjeopolitike ndaj SHBA-së.

Një bazë përgjimi në Kubë, afërsisht 100 milje nga Florida, do t’i jepte mundësi shërbimeve sekrete kineze të kontrollonin komunikimet elektronike në të gjithë SHBA-në juglindore, ku ndodhen shumë baza ushtarake, si dhe të monitoronin trafikun e anijeve amerikane.

Zyrtarët e njohur me këtë çështje, thanë se Kina ka rënë dakord t’i paguajë Kubës disa miliarda dollarë për ta lejuar atë të ndërtojë stacionin e përgjimit. Gjatë pjesës më të madhe të Luftës së Ftohtë, nga viti 1962 dhe deri në 2002, Bashkimi Sovjetik drejtoi një bazë të madhe përgjimesh në Kubë.

Vendi ndodhet më pak se 100 milje larg Shteteve të Bashkuara, ndaj u dha sovjetikëve një qasje shumë më të mirë në komunikimet elektronike në Shtetet e Bashkuara sesa mund të kishin kudo tjetër. Ajo ishte baza më e madhe e përgjimit jashtë Bashkimit Sovjetik.

Ajo zinte një sipërfaqe të jashtëzakonshme prej 72.5 km2, dhe atje punonin më shumë se 1000 rusë.

Dhe ashtu siç ishte e vërtetë për BRSS, kjo bazë e re kineze do të jetë vendi më i afërt dhe më i favorshëm i Kinës për përgjimin elektronik të Shteteve të Bashkuara. Ashtu siç baza  sovjetike u drejtua së bashku nga inteligjenca kubane, inteligjenca ushtarake sovjetike dhe shërbimi SIGINT i KGB-së, mund të presim që disa agjenci kineze të inteligjencës dhe elementë të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të bashkohen me inteligjencën kubane për të punuar në bazën e re.

GlobalSecurity.org raportoi vite më parë se “baza ruse përgjon transmetimet përmes kullave me mikrovalë në Shtetet e Bashkuara, lidhjet e satelitëve të komunikimit dhe një gamë të gjerë transmetimesh radio me valë të shkurtra dhe me frekuencë të lartë”.

Po ashtu theksohej se ajo “shërbeu si një strukturë analitike që mbështeti satelitët rusë SIGINT”. Ne mund të presim që Kina t’i bëjë të gjitha këto, madje edhe më shumë.

Së pari, zëvendësimi simbolik i BRSS nga Kina në spiunimin e Shteteve të Bashkuara nga Kuba nuk mund të jetë më zbuluese sesa kaq për Luftën e re të Ftohtë në të cilën ndodhemi.

Kina e përkufizon sot veten si zëvendësuese dhe pasardhëse e sovjetikëve në rolin e kundërshtares kryesore të Shteteve të Bashkuara. Nëse spiunimi nga Kuba ishte i dobishëm për sovjetikët, Kina dëshiron të ketë të njëjtat avantazhe sepse ka përballë të njëjtin armik.

Së dyti, ky zbulim për Kinën dhe Kubën, tregon shumë qartë se sa idiote janë treguar administratat e Obamës dhe Bajdeni në përpjekjet e tyre për të përmirësuar marrëdhëniet me Kubën. Sigurisht, regjimi komunist kuban do të na pranojë paratë që u ofrojmë, por ai nuk ofron ndonjë riorganizim jashtë kampit komunist.

Nëse ai kamp po drejtohet aktualisht gjithnjë e më shumë nga Pekini dhe jo nga Moska, ky është riorganizimi që do të zgjedhë Havana. Administrata Bajden është përpjekur që t’i afrohet Havanës, duke përmbysur disa politika të epokës së Donald Trump, duke anuluar kufizimet në udhëtimet drejt dhe nga Kuba, si dhe duke riaktivizuar një program të ribashkimit familjar.

Gjithashtu, administrata aktuale i ka zgjeruar shërbimet konsullore, për të lejuar më shumë kubanë të vizitojnë SHBA-në dhe ka rivendosur një pjesë të personelit diplomatik që u tërhoqën pas një serie incidentesh misterioze shëndetësore që prekën personelin amerikan në Havanë.

Dhe cila ka qenë përgjigja e autoriteteve kubane ndaj këtyre përpjekjeve? Afrimi me Kinën po komuniste. Ndërsa brenda vendit ka krye një goditje të fortë ndaj çdo lloj zëri opozitar. Shtypja është thelluar që kur Migeel Diaz-Kanel pasoi Raul Kastron si president i vendit në vitin 2018 dhe si kreu i Partisë Komuniste në vitin 2021, pak para se të shpërthenin demonstratat e mëdha popullore.

Siç e përmblodhi më të drejtë një raport i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë: Mosfunksionimi i përgjithshëm i vendit ishullor, e ka shtuar pakënaqësinë popullore tashmë të përhapur, por Diaz-Kanel nuk ka treguar ndonjë interes për liberalizim politik.

Përkundrazi, në majin e vitit 2022 ai miratoi një kod të ri penal që e kriminalizon më tej kundërshtimin e qeverisë. Një vit më parë, dhjetëra mijëra kubanë dolën në rrugë në protesta mbarëkombëtare, më të mëdhatë që kishte parë Kuba në gati 3 dekada.

Por çfarë ndodhi më 11 korrik 2021 dhe më pas? “Americas Quarterly” raportoi vitin e kaluar se shtypja e demonstratave spontane atë ditë dhe të nesërmen ishte tronditëse. Forcat ushtarake dhe të Ministrisë së Brendshme, si dhe agjentë të fshehtë, u përballën dhunshëm me masat e njerëzve që marshuan nëpër rrugët e dhjetëra qyteteve dhe qytezave në të gjithë ishullin.

Egërsia e asaj që zbuluan pamjet filmike, u shoqërua me ashpërsinë e represionit ligjor që pasoi. Në janarin e vitit 2022, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm tha se mbi 700 persona po përballeshin me akuza penale në lidhje me protestat. Në qershor, ajo njoftoi se 297 persona ishin dënuar me nga 5 deri në 25 vjet burg.

Ndjekja penale për krime si rebelimi, ka rezultuar të jetë edhe më e rëndë sesa dhuna fizike e ushtruar korrikun e vitit të kaluar. Shumë nga të akuzuarit janë të mitur të moshës 16 ose 17 vjeç, dhe disa kanë marrë dënime më të gjata se sa vitet që mbajnë mbi shpinë.

Mjedisi politik në Kubë është shumë i tensionuar. Tani regjimi komunist do të marrë atë që sipas Wall Street Journal është një “pagesë prej disa miliarda dollarësh” nga Kina në formën e një kompensimin për ndërtimin e bazës së re SIGINT”.

Kuba mbetet ajo që ka qenë që kur Fidel Kastro mori pushtetin në vitin 1959: një vend i qeverisur nga një parti komuniste që e përcakton veten si armik i Shteteve të Bashkuara dhe aleat i çdo kundërshtari tjetër të SHBA-së. Tani, Kina po zëvendëson Rusinë si bankieria e Kubës dhe Kuba po luan serish rolin e saj të vjetër të Luftës së Ftohtë në Luftën tonë të re të Ftohtë me Kinën. E kush thotë se historia nuk përsëritet?/ “National Riview” - Përkthyer nga CNA.al





Lajmet e fundit nga