LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Thellohet skandali i inceneratorëve/ Farudin Arapi zbulon shifrat

10 Qershor 2023, 17:33, Aktualitet CNA
Thellohet skandali i inceneratorëve/ Farudin Arapi zbulon shifrat
Administratori i inceneratorit të Fierit, Farudin Arapi

Administratori i inceneratorit të Fierit, të sekuestruar nga SPAK-u, zoti Farudin Arapi na ka zbuluar sërish një skandal, atë që është thënë shpesh në media dhe nga opozita, dhe nga gazetarët se te inceneratori i Tiranës vlera 29 euro/ton është një shumë e madhe abuzive dhe rezultat i një afere korruptive, e cila çuditërisht ende nuk po hetohet nga institucionet përgjegjëse.

Sipas Farudin Arapit, bashkitë e qarkut të Fierit duhet të paguajnë 12 euro/ton për mbetjet që ata menaxhojnë në inceneratorin e Fierit.

Në bazë të të dhënave zyrtare, kontrata koncesionare e inceneratorit të Tiranës aktualisht merr një shumë prej 29 euro/ton për mbetje, por kjo është vetëm vlera që merr nga bashkia e Tiranës, Durrësit apo Kavajës.

Shumat shkojnë nga 13 deri në 15 milionë euro në vit, kryesisht nga granti i pakushtëzuar i qeverisë shqiptare.

Duke parë të dhënat zyrtare, por edhe të vetë kompanisë, e cila pretendon se ka investuar rreth 30 milionë dollarë dhe ka fituar po kaq, përafërsisht në gati 6 vite, kompania koncesionare e inceneratorit të Tiranës ende nuk ka përmbushur kriteret e kontratës së saj.

Sot pas 6 vitesh, investimi 128 milionë euro nuk është kryer, inceneratori nuk ekziston, ndërkohë që shteti shqiptar vazhdon të paguajë ditë pas dite paratë në lidhje me këtë koncesion. Dhe vlera që paguhet është 29 euro/ton për mbetje.

Kjo është vetëm vlera e parave që kompania koncesionare merr nga shteti sepse një diferencë tjetër, e cila në 6 vite është me dhjetëra milionë euro, është shuma e parave që kompania koncesionare e landfillit të Tiranës dhe inceneratorit merr nga privatët, nga mbetjet e tjera, nga dherat, mbetjet urbane, e të tjera si këto.

Pra, nuk merr 29 euro/ton në total, kaq është vlera e atyre që merr nga bashkia e Tiranës, por sa është vlera që merr nga privatët, edhe kjo është dhjetëra miliona euro. Ndërsa në Fier paguhet vetëm 12 euro/ton për mbetje dhe jo një 29 sa paguhet në Tiranë dhe është i njejti shërbim, është e njejta punë që bën inceneratori në Fier, ndërkohë që në Tiranë inceneratori nuk ekziston.

Në Fier është ende jashtë funksionit, por ka një vlerë të përcaktuar dhe në momentin që do të vihet inceneratori në funksion, do të paguhen kostot.

Gjithashtu, një vlerë më të ulët në kosto ka edhe Elbasani, por këto shifra në fakt më shumë sesa të na tregojnë se sa të suksesshëm janë inceneratorët që kanë dërguar pas prangave ministra, zyrtarë të rëndësishëm të shtetit dhe kanë shpallur në kërkim “trurin” e tyre, Mirel Mërtirin dhe zbatuesit Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, Fieri dhe Elbasani na tregojnë një detaj tjetër, na tregojnë vlerën e lartë dhe abuzive që ka si kosto inceneratori i Tiranës në firmosjen e kontratës koncesionare.

Thellohet skandali i inceneratorëve/ Farudin Arapi zbulon shifrat
Fotomontazh - Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto

Janë disa fakte, për të cilat qeveria shqiptare dhe shteti duhet të reagojnë, institucionet duhet të hetojnë dhe të zbardhin të vërtetën.

Së pari, pse shuma është gati dyfish e gjysmë më e lartë në kosto sesa ajo e Fierit, ndërkohë që inceneratori nuk ekziston dhe prej 6 vitesh paratë paguhen.

Së dyti, pse kompania koncesionare ka ndryshuar disa herë aksionerët e saj pa njoftuar shtetin, megjithëse ligji i koncesioneve nuk e lejon.

Së treti, pse nuk është realizuar biznesplani i investimit nga kompania koncesionare, e cila në fakt në firmosjen e saj me qeverinë shqiptare ka deklaruar se ka në gjendje 128 milionë euro, të cilat nuk ekzistonin në kohën e firmosjes së kontratës, pra më pak fjalë qeveria është gënjyer.

Inceneratori i Fierit, dokumenti i firmosur nga Faraudin Arapi, vlera prej 12 euro/ton na tregon jo pak, por zbardh gjithnjë e më shumë, ditë pas dite aferën korruptive dhe skandalin me kontratën koncesionare të landfillit të Tiranës me 29 euro/tonin kur në Fier është 12.

Gjithçka ndodh me një kompani, e cila u pretendua fillimisht se ishte holandeze, por që u krijua nga Klodian Zoto dhe që tashmë ka përfunduar në emrat e disa italianëve, por që në hije gjithmonë qëndron në menaxhim Mirel Mërtiri, i cili fshihet nëpërmjet emaileve anonime në menaxhimin e kompanisë apo edhe shitjen e “kontratave me kusht”, ndërkohë që kontrata parashikon se për tu ndryshuar aksionerët duhet të merret leje nga shteti shqiptar. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë.

Thellohet skandali i inceneratorëve/ Farudin Arapi zbulon shifrat
Fotomontazh - Mirel Mërtiri, "truri" i inceneratorëve

SPAK ka të gjitha provat, ka të gjitha faktet dhe tashmë këtë ia jep në dorë inceneratori i Fierit, i cili është një akuzë e drejtpërdrejtë për landfillin e Tiranës, kostot e larta, shumat e milionave euro që më pas shkojnë për të paguar media, gazetarë, për korruptim, për të mbajtur në këmbë një koncesion që është quajtur afera e shekullit dhe që vlerat i ka mbi 750 milionë dollarë./ CNA.al

Lajmet e fundit nga