LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Altin Dumani punon të shtunë, por ka 5 muaj pa bërë asnjë punë

2 Maj 2023, 16:27, Aktualitet CNA
Altin Dumani punon të shtunë, por ka 5 muaj pa bërë
Kreu i SPAK, Altin Dumani

Altin Dumani erdhi në krye të SPAK-ut me një shpresë shumë të madhe.

Shqiptarët e panë si njeriun që do të ndryshonte shumë në hetimet që do të zhvillonte në institucion.

Ca dhe i çuditi se punonte edhe të shtunave, megjithëse ende nuk e dimë se çfarë ka bërë këtë shtunë apo këtë të hënë që ishte pushim, se ishte 1 Maji.

Apo ndoshta si punëtor që është feston dhe jo proteston.

Altin Dumani është kreu i SPAK-ut me mbështetje të amerikanëve, ka dhe një mbështetje të madhe publike, por ne jo pa qëllim i kemi thënë që ai po bëhet esëll duke ngrënë gjizë, duke e krahasuar me Agushin e “Njeriut me Top” të Dritëro Agollit.

Pa lënë mënjanë edhe karrocën e Dylit, pasi kështu po e drejton SPAK-un. Faktet janë fakte.

 

Pra, kallëzimi është bërë 2-3 vite më parë që kanë filluar procedurat hetimore, por me vajtjen e Dumanit në 16 dhjetor të vitit 2022, në 5-6 muaj nuk është bërë asnjë veprim.

Ndërkohë që ditë pas dite ne kemi nxjerrë fakte dhe prova, se çfarë ndodh në landfillin e Tiranës në një kontratë koncesionare 430 milionë dollarë, e cila do të shkojë me dyfish të ardhura, pasi nga vetë kompania deklarohen 25 milionë dollarë të ardhura në vit.

Ka një kontratë koncesionare kur për 6 vite duhet të ishin ndërtuar 4 linjat e prodhimit të energjisë, të cilat kanë afate disamujore.

Në 72 muaj gjithçka duhet të kishte përfunduar. Jemi në muajin e 68-të.

Nuk ka asgjë të ndërtuar. Ka thjesht dhe vetëm një landfill, incenerator nuk gjendet.

Kompania ka marrë dy kredi 10 milionë euro. Nga ana tjetër ka fituar 30 milionë dollarë dhe pretendon se ka investuar 30 milionë të tjera.

Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat e kompanisë mund të jenë mbi 100 milionë dollarë, sipas deklarimeve të saj, nga të cilat rreth 60 milionë dollarë janë nga shteti shqiptar apo më shumë, dhe të ardhura nga biznesi privat, pasi tashmë të ardhurat do t’i rriten kompanisë, sepse në Tiranë çohen edhe mbetjet e Durrësit, plus Bashkia e Tiranës, e Kavajës dhe Vorës.

Këto janë disa të dhëna me shifra, të cilat duhet ta shqetësojnë Altin Dumanin, i cili në një dalje të tij mediatike nuk u soll si kreu i SPAK-ut, por u soll si ministër i Edi Ramës duke qarë arbitrazhin.

Altin Dumani punon të shtunë, por ka 5 muaj pa bërë

Në fakt, ai pretendoi se nuk njihte aksionerët e vërtetë, ne ia kemi treguar dhe me dokumente.

Nga ana tjetër, edhe të gjitha faktet ligjore në lidhje me kontratën koncesionare do t’i nxjerrim ditë pas dite, t’ia tregojmë kontratat, studimet e fizibilitetit, shumat e parave të paguara, paratë që fitohen.

Një kontratë koncesionare me 29 euro/ton mbetje për incenerim, ndërkohë që inceneratori sot mungon, pas 6 vitesh dhe me shumë gjasa edhe për një apo dy vite të tjera nuk do ta kemi.

Në 8 vite është gati 30% e afatit kohor të koncesionit dhe kompania pritet që të ketë fitime marramendëse, por incenerator atje nuk ka dhe kostot i paguajnë qytetarët e Tiranës.

Në rast se Dumani nuk i shikon, nuk i dëgjon edhe kur punon të shtunën, të paktën të çojë ekspertë të bëjnë vlerësimet dhe verifikimet e gjithçkaje që ka ndodhur në landfillin e Tiranës.

Altin Dumani punon të shtunë, por ka 5 muaj pa bërë

Atë që dje ia ka kërkuar publikisht dhe Erion Veliaj, i cili topin ia ka lënë Prokurorisë dhe Gjykatës, duke theksuar se nuk mban përgjegjësi për atë që ndodh brenda në landfill dhe janë të tjera institucione përgjegjëse ato që po hetojnë.

Ndërkohë, shqiptarët i kanë dhënë kompanisë koncesionare nëpërmjet shetit apo privatit mbi 100 milionë dollarë në këto 5 apo 6 vite dhe paratë vazhdojnë e paguhen, ndërsa Altin Dumani, që u bë kreu i SPAK-ut, duke punuar edhe ditën e shtunë, mesa duket, kërkonte të flinte të shtunën dhe të ishte pushim, prandaj është bërë edhe drejtuesi i kësaj Prokurorie. Ndryshe nuk shpjegohet fakti pse SPAK-u nuk vepron ndaj inceneratorit apo landfillit të Tiranës, nuk kryen veprimet procedurale për t’u thënë në fund shqiptarëve cila është e vërteta, sa janë abuzimet, ka apo nuk ka të tilla dhe në rast se është në rregull kompania të vazhdojë detyrën.

Në rast se ka abuzime ligjore dhe shkelje, përgjegjësit të shkojnë para drejtësisë. Altin Dumani nuk mund të sillet edhe njëherë si ministër i Edi Ramës.

Altin Dumani është kreu i SPAK-ut, që nuk duhet të hajë gjizë dhe të ngasë karrocën e Dylit apo të bëhet një Agush, por duhet atë të shtunë që punonte, të shkojë, të punojë dhe të nxjerrë përgjegjësit e moshetimit të koncesionit për landfillin dhe inceneratorin e Tiranës, i cili me foto, me pamje çdo ditë është treguar që nuk ekziston dhe sot me dokumente CNA i ka treguar si kanë qenë afatet kur duhet të ndërtoheshin.

Pse nuk janë ndërtuar? Kush janë shkelësit? Pse nuk është zbatuar kontrata?

Qoftë nga të dyja palët, qoftë me arbitrazh, por e vërteta duhet të dalë para shqiptarëve njëherë e mirë dhe përgjegjësit duhet të ulen përpara drejtësisë, zyrtarë, privatë, media dhe kushdo tjetër qofshin, që kanë futur duart në llumin e korrupsionit, duke vjedhur, abuzuar dhe shkelur ligjin me shqiptarët e varfër, të cilëve u kanë vjedhur nga xhepat e tyre për një aferë që ka ndyrë piramidën shtetërore, pushtetin vendor e deri në biznese private dhe media./ CNA.al

Lajmet e fundit nga