web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Shkodra, me vonesa në sezonin turistik/ Bashkitë: Duhet më shumë mbështetje

28 Maj 2025, 13:57, Qyteti im CNA

Shkodra, me vonesa në sezonin turistik/ Bashkitë: Duhet më

Problemet e turizmit në Qarkun Shkodër, në një kohë kur sezoni turistik ka nisur, janë të mëdha. Në një mbledhje të Task Forcës, prefektja e Qarkut Shkodër, Majlinda Angoni, u bëri të ditura bashkive dhe institucioneve të tjera shqetësime që nisin nga trafiku rrugor, mbeturinat apo menaxhimi i plazheve.

Shkodra, me vonesa në sezonin turistik/ Bashkitë: Duhet më

“Ne jemi përpara disa sfidave që duhet të përballojmë këtë vit. Menaxhimin e trafikut rrugor gjatë sezonit turistik, sidomos në Bashkinë Shkodër, ku kemi edhe një situatë të punimeve në rrugë. Një problematikë e hasur dhe që na vendos përpara vështirësive është edhe niveli i zhurmave përtej limiteve, sidomos fokusuar në zonat urbane, po ashtu në zonat e plazhit, pastërtia kusht i domosdoshëm, nuk duhet që të ekzistojë asnjë pikë inertesh, mbeturinash, papastërti të derdhura jashtë koshave të mbeturinave. Pra, kërkojmë një mënyrë të rreptë dhe masa drastike për sa i përket higjienës, pastërtisë dhe firmave kontraktuese në përballimin e këtyre situatave. Të mos bëhemi përrallë dhe të kemi raste ku turistët krahas bukurive natyrore të na nxjerrin edhe mbetjet e shpërndara në çdo anë”,-tha Angoni.  

Shkodra, me vonesa në sezonin turistik/ Bashkitë: Duhet më

Vija bregdetare dhe ajo liqenore nuk garantojnë siguri për pushuesit nga mungesa e vrojtuesve dhe mjetet lundruese jashtë standardit. Një shqetësim janë edhe shezllonet në hapësirat publike në Velipojë, ku deri tani të miratuara janë vetëm gjysma e tyre, duke rrezikuar të tjera konflikte të rënda si vitet e kaluara.

“Mungesa e vrojtuese në plazhe mbetet ende një problematikë që mund të ndikojë në rrezikun e jetës së pushuesve. Një problem tjetër është ushtrimi i aktivitetit të turizmit detar me mjete lundruese jashtë standardeve, sidomos problematikë kemi Komanin”,-tha Angoni.  

 “Deri tani jemi në fazën që Bashkia Shkodër na ka sjellë një projekt për lëvizjen e mjeteve lundruese në plazhe, për vendqëndrimet si dhe për zonat e notimit dhe gjëra të ngjashme që janë të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Këtë vit është shtuar edhe një korridor për mjetet lundruese dhe është shumë afër, pra është te zona më e ngarkuar e pushuesve dhe do të na krijojë pak probleme dhe shpresoj që nga ana e bashkisë të rishikohet ky problem”,-tha Asllan Shytaj, përgjegjës, Policia e kufirit dhe emigracionit.

 “Numri i aplikimeve për Bashkinë Shkodër për t’u pajisur me stacione plazhi ka qenë afërsisht 133, miratuara paraprakisht janë 65 dhe të refuzuara janë për mosplotësim të kriterit kryesor, që është struktura akomoduese janë refuzuar pjesa tjetër. Gjithashtu edhe këtë vit nuk do të miratohet asnjë parcelë që nuk ka vrojtues plazhi të certifikuar”, tha Bujar Shpendi, drejtor rajonal, Agjencia Kombëtare e Mjedisit.

Shkodra, me vonesa në sezonin turistik/ Bashkitë: Duhet më

Zëvendëskryetarët e bashkive u treguan kritikë në këtë mbledhje. Numri dy i Bashkisë Pukë, Ferit Ringaj, shenjestroi qeverinë për lënie pas dore të kësaj zone, ku në 2 vite nuk është dhënë asnjë investim.

 “Puka realisht sa u përket projekteve të mbështetura nga qeveria që janë të lidhura ngushtë me infrastrukturën, thuajse janë zero. U bënë dy vite që nuk kemi asnjë investim, as në akse rrugore, as në pjesën tjetër të infrastrukturës, si energjia elektrike apo shërbime të ujësjellësit apo të tjera. Puka kërkon vëmendje dhe ata projekte që janë të mos qëndrojnë në sirtarët e ministrive, por aq sa munden edhe ne të marrim atë pjesën që na takon sepse duhet shërbimi ndaj qytetarëve dhe të ngjallim shpresën që Puka të mos braktiset më, se boll është braktisur deri më tani dhe të krijohen premisat se po bëhet diçka për të tërhequr njerëzit që të qëndrojnë dhe të mos ikin”,-tha Ringaj.

 “Është në hartim e sipër një rregullore për hartimin e plazhit publik që do të ndërgjegjësojë edhe qytetarët për sa i përket mënyrës se si do të përdoret plazhi publik dhe kriteret që duhen respektuar nga qytetarët në funksion të mbarëvajtjes”, u shpreh Alban Preka, zëvendëskryetar i Bashkisë Shkodër.

“Ta mbulojmë me kapacitete njerëzore dhe mekanike, financiare, qoftë për pastrimin, qoftë për mirëmbajtjen e një mjedisi sa më të pastër dhe sa më të kulturuar. Për energjinë elektrike jemi munduar deri tani bashkë me OSHEE-në që të vendosim linjat e duhura, por kemi pak problematika, të cilat besoj se mund të kapërcehen”, tha Sytki Ndrecaj, zëvendëskryetar i Bashkisë Malësi e Madhe.

 “I kërkoj Bashkisë Shkodër që të na vijë në ndihmë për mbetjet e bizneseve që krijohen në lumin e Shalës sepse bizneset atje i kap zona e Shkodrës dhe mbetjet na mbesin ne, ndaj na ndihmoni në këtë pjesë”, tha Elvis Preçi, zëvendëskryetar i Bashkisë Vau-Dejës.

Shkodra, si një qark ku turizmi mendohet se është në rritje, përballet me shqetësime të mëdha të adresuara vitet e fundit, por që nuk kanë gjetur zgjidhje konkrete. Përveç problemeve në qytete apo plazhe, problem është edhe mungesa e energjisë elektrike në zonat malore herë pas here, ku më të prekura mbeten Thethi dhe Lëpusha, Vermoshi e Razma në Malësinë e Madhe./CNA





Lajmet e fundit nga