web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

"Netët Korçare të Poezisë"/ Festivali që shndërron qytetin në skenë ndërkombëtare vargjesh

25 Maj 2025, 10:47, Qyteti im CNA

Qyteti i Korçës mirëpriti edhe këtë vit, edicionin e 29-të të Festivalit Ndërkombëtar të Autorëve dhe Poetëve “Netët Korçare të Poezisë”. Një festival që bën bashkë poetë shqiptarë e të huaj, të cilët shfaqin talentin e tyre në këtë fushë, duke dhënë mesazhe të ndryshme përmes vargjeve dhe emocioneve që përcjellin.

Ky event organizohet nga biblioteka publike "Thimi Mitko" në bashkëpunim me Bashkinë e Korçës, me qëllimin e vetëm për të mbajtur gjallë traditën e këtij eventi në juglindje.

"Netët Korçare të Poezisë"/ Festivali që

Drejtoresha e bibliotekës publike “Thimi Mitko”, Jorida Tollkuçi, theksoi se prej 30 vitesh ky festival ka qenë një urë lidhëse mes poetëve nga Shqipëria, Kosova dhe vende të ndryshme të botës, duke e kthyer këtë aktivitet në një traditë kulturore ndërkombëtare. Këtë vit, festivali solli për herë të parë poetë nga Izraeli, ndërsa të ftuar ishin edhe autorë nga Greqia, Italia dhe Franca.

Gjatë dy ditëve të festivalit, aktivitetet nisën të shtunën me prezantimin dhe recitimin e poezive të poetëve pjesëmarrës, për të vijuar të dielën me mbjelljen simbolike të pemës së poezisë, panele letrare në bibliotekë, promovime librash dhe vizita në muzeumet e qytetit.

"Qyteti i Korçës në fundjavën e parafundit të Majit, ashtu si çdo vit mirëpret poetët në Festivalin Ndërkombëtar të Autorëve dhe Poetëve "Netët Korçare të Poezisë", një festival i cili shënon edicionin e 29-të të tij. Për 30 vite me radhë, ky festival dhe qyteti i Korçës kanë mirëpritur poetë nga Shqipëria, Kosova dhe vende të ndryshme të botës, duke e shndërruar atë në një festival ndërkombëtar.  Këtë vit ne kemi të ftuar poetë nga Greqia, Italia, Franca e për herë të parë poetë që vijnë nga Izraeli. Janë dy ditë të mbushura me aktivitete që fillojnë me ditën e shtunë, me prezantimin e poetëve dhe recitimin e poezive përshëndetëse. Më pas për të kaluar me ditën e diel, po e mbushur me aktivitete duke filluar me mbjelljen e pemës simbolike të poezisë, me panelet letrare në bibliotekën Thimi Mitko, ku personalitete të njohur nga bota dhe shqiptarë, do të promovojnë veprat e tyre. Më pas do të kalohet tek vizitat në muzeumet e qytetit dhe recitimet e poezive në ambjentet e muzeumeve", tha Tollkuçi.

 

Poeti francez Pierre Ech-Ardour, për herë të parë në Shqipëri, shprehu emocionin dhe mirënjohjen për ftesën në këtë festival. Ai ndau përshtypjet e para mbi qytetin e Korçës, duke theksuar harmoninë mes brezave dhe rëndësinë e mesazhit të paqes, që ai vetë synon të përcjellë përmes poezisë së tij.

 

"Kjo është hera e parë që unë vij në Shqipëri, e sigurisht në Korçë. Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe falenderues që më kanë ftuar në këtë aktivitet. E vizitova pak qytetin në ecje këtë pasdite dhe më bëri përshtypje që kishte shumë të rinj por edhe shumë të moshuar, si një miksim. Më e rëndësishme për mua është paqja, dhe këtë mesazh dua të jap sot”, u shpreh poeti francez.

 

 

E ftuara e nderit e këtij edicioni, drejtoresha e  Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, theksoi rëndësinë e këtij festivali për historinë e letërsisë shqipe dhe rolin që ai ka luajtur në ndërtimin e një urë komunikimi mes kulturave, gjuhëve dhe botëve të ndryshme.

Ajo vlerësoi faktin që “Netët Korçare të Poezisë” janë kthyer tashmë në një traditë që gjallëron jetën kulturore jo vetëm të qytetit të Korçës, por të gjithë vendit.

 

"Është shumë e rëndësishme që jemi sot në Korçë për të kremtuar festën e bukur të poezisë, të vargjeve që i shkojnë kaq shumë këtij qyteti të artit, fjalës, kulturës. Më vjen shumë mirë që Netët Korçare të Poezisë janë kthyer në një traditë për historinë e poezisë shqipe të dekadave të fundit, pasi festivali tashmë i ka kaluar 2 dekada dhe ka shërbyer si një urë lidhëse komunikimi mes botëve, gjuhëve, kulturave. Ky festival ka sjellë poetë nga e gjithë bota, ashtu si edhe këtë vit ndaj e shoh si një ngjarje që i jep jetë kulturës", u shpreh Bardhyli.

 

Poetja Valbona Lola, e cila mori pjesë për herë të parë në këtë festival, e konsideroi një nder dhe kënaqësi pjesëmarrjen në këtë event të veçantë. Ajo do të prezantohej me poezinë e saj “Të pres përjetësisht”, duke ndarë mendimin se çdo njeri që mbart dashuri në shpirt është një rreze drite për të tjerët, një mesazh që përputhet me temën e këtij viti, “Rreze drite”.

 

"Është nder dhe kënaqësi që jam pjesë sot e këtij eventi kaq të çmuar për qytetin e Korçës. Ky event kryhet çdo vit, është hera e parë që unë marr pjesë dhe jam shumë e lumtur të marr pjesë me një poezi të veçantë "Të pres përjetësisht". Lidhur me temën e këtij eventi që është "Rreze drite", unë mendoj që çdo njeri që mban dashuri brenda vetes së tij është një rreze drite për të gjithë të tjerët. Pra le të përpiqemi të jemi një rreze drite e çmuar për të gjithë njerëzit", u shpreh poetja.

 

Me një atmosferë të ngrohtë dhe të mbushur me emocionet e vargjeve që kapërcejnë kufijtë gjuhësorë dhe kulturorë, edicioni i 29-të i “Netëve Korçare të Poezisë” u rikthye sërish, duke lënë pas kujtime të paharrueshme për poetët dhe artdashësit.

Ky festival vazhdon të dëshmojë fuqinë e fjalës së shkruar për të ndërtuar ura mes njerëzve, duke e kthyer Korçën në një kryeqytet të poezisë ndërkombëtare. Me sytë nga edicioni jubilar i vitit të ardhshëm, “Netët Korçare” mbeten një dritare e hapur për dialogun artistik dhe një reflektim i bukur mbi dashurinë për fjalën./ CNA





Lajmet e fundit nga